Kamionët po shkatërrojnë urat që lidhin fshatrat me Librazhdin

653
Sigal

Banorët: Ato nuk kanë as mirëmbajte, as shërbime dhe ndonjë ditë do të ndodhi ndonjë tragjedi

Përgjatë Luginës së Shkumbinit numërohen disa ura, të cilat lidhin fshatrat e disa prej komunave me qytetin e Librazhdit ose anasjelltas. Por duke mos u mirëmbajtur po bëhen të rrezikshme dhe shndërrohen në burim aksidentesh, pasi mbi to kalojnë me dhjetëra makina të tonazheve të rënda në ditë. Urat janë ndërtuar me konstruksione metalike dhe janë ndërtuar nga ndihmat e ushtrisë për t’u ardhur në ndihmë fshatarëve të këtyre zonave. Janë më dhjetëra ura si ajo e Spatharit në Komunën Qendër që ju shërben fshatrave Spathar, Babje e Sopot që i lidh me rrugën kryesore, po kështu ura e Qukësit në Bushtricë që lidh banorët e Qukësit Skënderbej më rrugën nacionale, Ura e Fanjës në Bërzeshtë që lidh fshatrat Fanjë, Bërzeshtë, Godovush, Dritaj me rrugën nacionale dhe mjaft ura të tjera.

Automjetet

Në këto ura kalojnë çdo ditë dhe natën qindra automjete, kamionë të tonazheve të rënda, të cilat shfrytëzojnë lëndën drusore në pyjet e malit Plak, Dardhës, malit të Qukësit, Turjes si dhe kamionë që transportojnë minerale hekuri dhe ngarkesa të rënda më zhavorre. Sipas tonazhit të përcaktuar për këto ura lejohet të kalojnë makina me peshë deri në 24 ton, në hyrje të tyre kanë qenë vendosur disa tabela (sinjalistikë) që përcaktonin tonazhin e vendosur nga Drejtoria e Rrugëve. Ngarkesa e këtyre kamionëve  ka raste që i kalon të 60 tonët.

Sinjalistika

Por për çudi këto tabela sinjalizuese kanë humbur ose vjedhur nga persona që ju interesonte të qarkullonin të lirë në mënyrë që të justifikohen duke thënë se nuk ka sinjalistikë. Sipas Ferit Alliut nga  Qukësi bëhet e ditur për gazetën “Telegraf” se, është bërë problem dhe është shumë e rrezikshme qarkullimi në këto ura. “Ato nuk kanë as mirëmbajte, as shërbime dhe ndonjë ditë do të ndodhi ndonjë tragjedi pasi ne lëvizim çdo ditë me furgonat e linjës nga fshati për në qytet. Në këto ura kalojnë  furgonat që dërgojnë fëmijët në shkolla, mësuesit, qytetarët, urgjencat e ndryshme. Duhet të vihet dorë sa nesër të mos jetë vonë. Ndaj,- thotë Alliu -i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa sa më shpejt pasi burimi i aksidentit është shumë pranë”.