Zef Preçi: Sigurimet dhe shiu i fillimdimrit

Në Shkodër prej shekujsh qarkullon një fjalë e urtë e popullit që thotë: “Gjithmonë dimri ka qenë dimër dhe vera (stina e verës - ZP) ka qenë verë…”. Edhe pse kjo shprehje ka të bëjë me marrëdhëniet midis brezave dhe është në fushën sociale, nuk e teproj që, për analogji, ta mbart në sferën e fenomeneve natyrore, duke përfshirë çfarë po ndodh tre-katër ditët e fundit me reshjet e fillimdimrit. 

Reshjet e shiut, intensive për disa orë katër ditë më parë, në fakt nxorën në sipërfaqe atë ishte në të vërtetë rreth mënyrës sesi qeveriset vendi në pushtet qendror dhe vendor. Më konkretisht, personalisht nuk jam kurrë kundër gjithçkaje që bën të duken bukur qendrat tona të qyteteve (edhe pse dikush thotë se “Rilindja urbane” ishte një këshillë e Erdogan, që njeh mirë se çfarë do një popull anadollak apo ish-pjesë e Perandorisë Turke). Por kurrsesi nuk mendoj “se të përdorësh farën e grurit për të bërë bukë” (siç thoshte këto ditë një ekspert i njohur i ekonomisë) zgjidh problemin në periudhën afat mesme e aq më pak në atë afatgjatë. Sepse, nëse përdorim farën për të bërë bukë, mund të ushqehemi një apo disa vakte, por vitin tjetër nuk do të kemi se çfarë të korrim… E kam fjalën se mund të ishim treguar pak më të duruar për të shpenzuar qindra milionë euro për tulla, llaç e pllaka çimentoje për rrugë e trotuare, kur me dy ditë shi 10% e popullsisë mbeti pa çati në kokë, mijëra hektarë u përmbytën, 193 ura u shkatërruan, mijëra kokë bagëti ngordhën etj.

Edhe në rastin tonë, të paktën të mund të vendosim disa standarde të njohura miminaliste, madje edhe që kanë qenë në një formë ose në një tjetër edhe në periudhën e regjimit komunist. Në vijim po listoj disa ide se si mund të shkëputemi sadopak nga ky realitet i trishtë që më shumë se një fatkeqësi natyrore, tingëllon si hakmarrje e natyrës ndaj ndërhyrjeve njerëzore dhe qeverisjes së papërgjegjshme që çon në këto ngjarje të dhimbshme, që mjerisht nuk janë as të fundit. Kjo sepse jemi në fillim të dimrit dhe shiu e bora këtë “punë” bëjnë prej shekujsh, prej mijëra vjetësh…

Qeveria, Ministria e Bujqësisë dhe inspektoratet e shumta që veprojnë në vend kanë të gjitha mundësitë për të hedhur në hartë gjendjen e kanalizimeve, zonat e rrezikut dhe për të zbatuar rekomandimet e studimeve të kryera gjatë 20 viteve të fundit, dhe që duhet thënë se ofrojnë informacion të bollshëm që mund të ushqejë vendimmarrjet shtetërore për këtë qëllim. Por vendimmarrjet qeveritare kanë kuptim, jo vetëm kur janë deklarative, apo kur “udhëheqja” e kalon natën jashtë me solidaritet me banorët e prekur nga përmbytjet (edhe kjo duhet bërë), por kur premtimet shoqërohen me projekte dhe projektet financohen për përmirësimin e infrastrukturës kulluese dhe ujitëse të vendit. Kjo duhet bërë në nivel shtetëror dhe me përgjegjësi shtetërore dhe jo duke deleguar këto funksione dhe fondet qorrazi te pushteti vendor, që do të bëjë atë që bëri këtë vit: shton administratën, punëson militantë dhe përgatit mbushjen me vota të kutive të votimit në zgjedhjet e radhës duke devijuar fondet nga qëllimi primar i tyre.

Qeveria mund dhe duhet të ndërmarrë një plan kombëtar dhjetëvjeçar për zhvendosjen e detyrueshme të ndërtesave të banimit të ndërtuara në toka bujqësore, jashtë “vijës së verdhë” të qendrave të banuara, nën nivelin e detit, në shtretërit e lumenjve, etj. Nëse do të jetë e nevojshme, me ligj, Parlamenti duhet të shpallë të paligjshëm çfarëdo regjistrimi në zyrat e pasurive të patundshme të ndërtimeve informale apo të bizneseve në zona të tilla. Zbatimi i planit kombëtar të përmendur më sipër për zhvendosjen e detyruar të banorëve në zonat e rrezikut të përmbytjeve duhet të shoqërohet me masa lehtësuese si kredi favorizuese për ndërtimin e banesave/vilave të reja, me hartimin nga qeveria të planeve urbane tip të qendrave të banimit në zona të tjera të larta, me sigurimin paraprak të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, me rrugë, shkolla dhe çfarëdo elementi tjetër të infrastrukturës komunitare në to.

Qeveria duhet të shfrytëzojë çfarëdo mundësie investimesh në prodhim energjie elektrike në stabilizimin e shtretërve të lumenjve kryesorë të vendit, si Drini, Vjosa, Shkumbini, etj., pa shkelur normat e mbrojtjes së mjedisit, si dhe të kompensojë rregullisht familjet dhe bizneset që preken nga përmbytjet. Në fakt, shkenca e probabilitetit dhe të sigurimeve na mësojnë se një ngjarje është e rastit kur nuk ndodh rregullisht (p.sh përmbytjet e përvitshme të ndërtimeve nën shtratin e lumenjve janë një “ngjarje pothuajse e sigurt” dhe nuk besoj se gjendet kompani sigurimi në botë që të sigurojë kundër një fenomeni që e ka probabilitetin afër 100%-it që të ndodhë)…

Në mas-media, falë qëndrimit emocional të shumë njerëzve dhe si rrugëdalje momentale është hedhur për të tretën herë në tre vjet ideja e “sigurimit të detyrueshëm” të banesave dhe bizneseve në nivel kombëtar, dmth e krijimit mbi këtë bazë të një fondi solidariteti të menaxhuar nga kompanitë e sigurimeve, etj. Pavarësisht paaftësisë së politikanëve apo stafeve vendim-marrëse në qeverisjen e vendit për të kuptuar rolin e shtetit apo se si funksionojnë kompanitë e sigurimeve, pavarësisht etjes së pashuar “për të bërë para në tavolinë” të oligarkëve, pavarësisht gjendjes gati të pashpresë të një numri shumë të madh familjesh që janë momentalisht apo që mjerisht do të jenë përsëri pas pak kohësh nën efektin shkatërrues të përmbytjeve, kjo nuk është rruga e zgjidhjes së problemit. Zgjidhja kalon përmes edukimit-parandalimit, zhvendosjes së detyrueshme, mirëmbajtjes së rreptë të çdo burimi rreziku dhe kontrollit të rreptë të territorit për të penguar me çdo çmim ndërtime banimi dhe biznesi që rrezikojnë jetë njerëzish dhe pasurish private e publike. 

Studimet e ndryshme mbi efektivitetin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF) në çështje të tilla siç është fondi i kompensimit që trajton Byroja Motorrike e këtij institucioni tregojnë se përfitimet e të dëmtuarve të siguruar në mënyrë të detyrueshme janë minimale dhe se kompanitë e sigurimeve përdorin gjithçka për të maksimizuar fitimet e veta, duke përfshirë edhe lobimin politik. Ndoshta kjo është arsyeja që në draftin që qarkulloi rreth një vit më parë rreth sigurimit të detyrueshëm të ndërtesave të banimit parashikohej deri edhe shmangia e zgjidhjes në rrugë gjyqësore të konflikteve midis siguruesve dhe të siguruarve në mënyrë të detyruar. Ndoshta kjo është hera e parë në historinë e një shteti modern ku administrata qeveritare merr atributet e gjyqësorit. Çdo koment tjetër është i tepërt. Dmth nëse i hapet rruga sigurimit të detyrueshëm, siç edhe ka mundësi të ndodhë s’afërmi, janë të gjitha gjasat që Fondi i Sigurimit të Banesave të ketë të njëjtin fat si ky i Byrosë Motorrike, pra që ata që përmbyten të mos kompensohen përkatësisht.

Është koha të kuptojmë të gjithë se kuadri ligjor në fuqi për sigurimet e banesave dhe të bizneseve ofron gjithçka është e mundshme për këtë qëllim, dhe se çfarëdo taksë shtesë është kundër produktive dhe nuk ka lidhje me zgjidhjen e problemit - respektimin e kushteve klimatike dhe standardeve ligjore, territoriale, të ndërtimit, etj., të nevojshme në një shoqëri normale dhe shtetit të së drejtës.