Task-Forca, verifikim për 30 mijë parcela në të gjithë vijën bregdetare

1077
Task-Forca për verifikimin e pronave në bregdet e ka nisur punën nga Hipoteka e Vlorës. Task-Forca do të verifikojë dokumentacionin në Hipotekë dhe më pas do të procedojë me verifikimet në institucionet e tjera, si dhe në terren. Sipas kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, Vlora është një nga qarqet me abuzimet më të mëdha të pronave. “I gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Nuk ka ndodhur më kot, është lënë i paregjistruar këto 20 e ca vite për t’u shqyer. Vetë qyteti i Vlorës nuk është i regjistruar në Hipotekë. Ka qenë mënyrë për ta lënë jashtë sistemit dhe për ta shqyer pronën si kanë mundur dhe si kanë dashur”, shprehet Artan Lame. Por Vlora nuk është qarku i vetëm që do të kalojë në sitë. Task-Forca do të verifikojë mbi 30 mijë parcela në të gjithë vijën bregdetare të vendit. “Problematike janë zonat e Velipojës e bregdetit të Lezhës, të Shëngjinit, zona e Kune Vainit, zona e ishull Lezhës, i gjithë Gjiri i Lalzit, zona e Kavajës, bregdeti i Semanit, bregdeti i Nartës, zona komplet të pa hedhura në sistem, zona e Orikumit dhe një shigjetë e bregdetit të rivierës përgjithësisht i jugut”, shprehet Lame. Qeveria ka pezulluar tërësisht regjistrimin e pronave bregdetare në hipotekë dhe po përgatit ndryshimet ligjore përmes të cilave do të shtetëzojë tokën e marrë abuzivisht. “Në zonën e Orikumit ka një pjesë të regjistruar, pastaj Karaburun e tatëpjetë është jashtë sistemit. Në Porto Palermo ka dy zona të hedhura dhe pastaj përsëri janë të pa hedhura, duke përfshirë edhe Sarandën. Ka qenë mënyra për ta lënë jashtë sistemit dhe për ta shqyer pronën si kanë mundur dhe dashur në të gjitha këto vite”, tha Lame. Ai u shpreh se “problemi i pronave bllokon zhvillimin e vendit”. “Nëpërmjet prefektëve dhe nëpërmjet Task Forcës së ngritur të bëjnë verifikimin e atyre që s’janë regjistruar ende. Ndërsa te ato të regjistruara të shohim se sa këta persona kanë qenë banorë të fshatit në vitin 1991, sesa i takonte të merrte tokë dhe se sa ka qenë tokë bujqësore në atë kohë”, shprehet kreu i ALUIZNI-t.
Sigal