Studimi i INSTAT: 90 milionë euro tvsh nuk mblidhen, ulja e pragut nuk dha efekt, FMN ishte kundër

170

Studimi i INSTAT: 90 mln euro TVSH nuk mblidhen, ulja e pragut nuk dha efekt

Shqipëria, të paktën teorikisht, ka mundësi të arkëtojë nga TVSH edhe rreth 90 milionë euro, ose rreth 11 miliardë lekë. Ky vlerësim sasior është bërë nga një studim shkencor i INSTAT që mban autorësinë e ekspertit Ermir Liço, por jo qëndrimin zyrtar të institucionit.

Sipas matjeve të referuara në studim, hendeku i TVSH-së në vitin 2018 ishte rreth 11 miliardë lekë dhe në terma relativë është 7,75%. Hendeku përfshin një numër të madh të transaksioneve dhe aktiviteteve që duhet të tatohen, por për arsye të ndryshme, nuk janë tatuar. Duke analizuar hendekun e TVSH-së në vitin 2015 dhe atë në vitin 2018 studimi del me konkluzionin se ndryshimi në kufirin e regjistrimit në TVSH në vitin 2018 nuk ka sjellë të ardhurat e pritura nga ndryshimi në bazën e tatueshme.

Të ardhurat buxhetore nga TVSH janë rritur me vetëm 3,06% në vitin 2018 dhe hendeku ka rënë me rreth 1.39 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm. Por efekt negativ në të ardhurat e TVSH-së kishte edhe lehtësimi fiskal në sektorin e turizmit dhe zhvlerësimi i kursit të këmbimit.

Taksimi është një nga instrumentet më të rëndësishme fiskale dhe në shumë vende është zëri kryesor në të ardhurat buxhetore. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjeneron të ardhura të konsiderueshme, më shumë se një e pesta e të ardhurave totale tatimore në botë dhe është futur në rreth 140 vende. TVSH-ja paguhet vetëm për vlerën e shtuar në çdo fazë të prodhimit dhe shpërndarjes. Në këtë mënyrë, çmimi përfundimtar i produktit është i barabartë me shumën e vlerave të shtuara në secilën fazë të mëparshme.

Në Shqipëri, TVSH-ja është zbatuar për herë të parë në tremujorin e katërt të vitit 1995, duke zëvendësuar tatimin mbi xhiron që ishte më parë. Ekonomia shqiptare është e vogël dhe e ndërvarur nga importet, pjesa kryesore e TVSH-së paguhet për importet, afërsisht 75% dhe pjesa e mbetur mblidhet nga vlera e shtuar e brendshme.

Roli i kufirit të TVSH-së

Regjistrimi në skemën e TVSH-së shpesh imponon kosto administrative dhe financiare për bizneset dhe pragu më i lartë i regjistrimit të TVSH-së ndihmon në nxitjen e rritjes ekonomike sepse i mban bizneset e vogla larg këtyre kostove.

Ky përjashtim për bizneset e vogla e bën më të lehtë nisjen e sipërmarrjeve të reja ose startup-et, por ka evidenca se kufiri i TVSH-së siguron një frenim të rritjes ndërsa bizneset i afrohen atij. Nga ana tjetër, zvogëlimi i kufirit të regjistrimit në TVSH mund të çojë në ndryshimin e sjelljes nga biznesi, duke e zvogëluar artificialisht deklarimin e xhiros për të qëndruar nën kufirin, por ky është një çmim që vlen të paguhet për shmangien e shpenzimeve disproporcionale administrative për bizneset, edhe pse biznesi i vogël paguan një pjesë të vogël të të ardhurave totale, ku mund të aplikohet një normë e thjeshtuar ose 0%, por duhet futur nën skemën e TVSH-së.

Vlerësimi i hendekut të TVSH-së është bërë sipas metodës lart-poshtë bazuar në të dhënat e llogarive kombëtare, më saktësisht të tabelave të burim-përdorimeve. Bazuar në metodën lart-poshtë, TVSH-ja e pa mbledhur në Shqipëri, apo hendeku i TVSH-së, ishte rreth 11,11% e TVSH-së totale për vitin 2015. Pjesa më e madhe në të ardhurat totale teorike të TVSH-së (75,28%) e zë konsumi final, konsumi ndërmjetës në sektorët e përjashtuar përfaqëson 17,83% të të ardhurave totale teorike të TVSH-së dhe pjesa tjetër (6,89%) përfaqësohet nga ndërmarrjet nën kufi.

Në vitin 2018, hendeku i vlerësuar është i barabartë me 10.900 milionë lekë dhe në terma relativë është 7,75%. Llogaritjet bazohen në të njëjtat raporte të sektorëve dhe produkteve të përjashtuara, si në vitin 2015, me supozimin se nuk ka ndryshime strukturore në ekonomi dhe ndryshimet në vlerësimet mund të interpretohen nga ndryshimet legjislative të prezantuara në paketën fiskale të vitit si ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, futja e TVSH-së 6% për Akomodimin dhe Agroturizmin dhe sjelljen e autoriteteve tatimore.

Implikimet e uljes së kufirit

Shumica e produkteve janë nën regjimin 20% që është shkalla standarde dhe ka disa kategori, të cilat janë të përjashtuara nga TVSH-ja ose jashtë fushës së TVSH-së. Shërbimet e akomodimit dhe agroturizmi kishin ndryshime në regjimin e TVSH-së në vitin 2018, ku janë futur lehtësime fiskale për këto aktivitete, me një ulje të normës së TVSH-së në 6%. Një ndryshim tjetër në legjislacionin e TVSH-së për vitin 2018 është ulja e pragut të regjistrimit të TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë dhe të gjitha profesionet e lira janë të detyruara të raportojnë, duke rritur numrin e bizneseve që janë të detyruar të raportojnë dhe të paguajnë TVSH.

Reduktimi i pragut të regjistrimit në TVSH ndikon në sjelljen e biznesit, duke kufizuar qarkullimin e tyre për të mbetur nën pragun apo më keq, duke filluar një treg informal të TVSH-së, nëse autoritetet tatimore nuk janë efikase.

Edhe FMN kundër uljes së pragut

FMN ka shprehur rezerva për efektin që ka sjellë në buxhet ulja e pragut të TVSH-së, për rikthimin e vonesave në rimbursimin e TVSH-së si dhe ka dhënë rekomandime për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të bizneseve. FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar në raportin e monitorimit të ekonomisë këtë vit. Sipas Fondit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo përbënte një rritje prej gati një të tretën në regjistrin e TVSH-së.

FMN thekson se zgjerimi i regjistrit të TVSH-së do të ketë ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT – dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave. FMN ka vlerësuar tatimet për kalimin me sukses të 13,000 mikrobizneseve në sistemin e TVSH-së në vitin 2018.

Por, Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi vendos një barrë të shtuar në DPT me kthim të vogël, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor. (FMN, ishte që në fillim kundër uljes së pragut të TVSH-së, pikërisht me argumentin se ai do të rriste ngarkesën për tatimorët, pa sjellë rritje të ardhurash – Shënim i Monitor).

FMN ka shprehur kritika dhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën, shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë”.

Deri në tetor, detyrimi i TVSh-së që duhet të rimbursohet ishte 14.4 miliardë lekë, me një rritje prej 3 miliardë lekësh vetëm në tetor. 26% e këtij detyrimi është për eksportuesit, ndërsa pjesa tjetër për projektet e mëdha për gazsjellësin, hidrocentralet dhe naftën. FMN ka vënë në dukje se niveli i borxhit tatimor është ulur, sidomos pas amnistisë fiskale, ndërsa saktësia e regjistrave është përmirësuar. Totali i detyrimeve të bizneseve ishte 107 miliardë lekë deri më 31 tetor 2018, krahasuar me 111.5 miliardë lekë në tetor 2017 dhe 147 miliardë lekë në 2016-n. 56% e detyrimeve i përkasin subjekteve pasive dhe FMN rekomandon që duhet një strategji për fshirjen e tyre.