Sondazhi me biznesin e vogël: Kriza na mbylli aktivitetin

26
Situata për biznesin e vogël nuk duket aspak optimiste. Vetëm në muajin shkurt 2018, numri i subjekteve që kaluan në statusin pasiv e tejkaloi 1000, duke u katërfishuar në raport me katër vite më parë. Të gjendur pa rrugëdalje, bizneset e vogla po tentojnë që të shpëtojnë duke bërë çregjistrime fiktive, por mesa duket fenomeni është pikasur nga Tatimet. “Monitor” kreu një sondazh me bizneset, që kaluan në status pasiv në shkurt. 67% e subjekteve dhanë si arsye krizën, uljen e fuqisë blerëse dhe konkurrencën. Në shumë pak kohë, përqindja e individëve që raportojnë se kanë emigruar pas mbylljes së biznesit është rritur. Sipas të dhënave të analizuara nga “Monitor”, gjatë shkurtit 1,088 biznese kaluan në statusin pasiv. Prej të gjithë bizneseve që kishin kaluar në statusin pasiv, me përzgjedhje të rastësishme u telefonuan 10% e tyre, sipas peshave specifike që kishin bizneset pasive sipas Drejtorive Rajonale Tatimore. Bizneset pasive u pyetën në lidhje me: arsyet pse kishin bërë kërkesë për pezullimin e aktivitetit; prej sa kohësh operonin; dhe a ishin të punësuar diku tjetër pas mbylljes së aktivitetit. Prej të dhënave të analizuara prej sondazhit, 67 % e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht. Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. (Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin). Nga të dhënat, vetëm për për muajin shkurt, nga 2015 deri në 2018-n, numri i bizneseve të mbyllura është katërfishuar në katër vitet e fundit. Sipas shifrave të nxjerra nga lista e subjekteve të Tatimeve, në shkurt të vitit 2015, vetëm 287 biznese kishin kaluar në status pasiv. Në shkurt të 2016-s, numri i tyre thuajse u dyfishua, ku sipas të dhënave të Tatimeve ishin 541 biznese të kaluara në listën e pasiveve. Në shkurtin e një viti më parë, subjektet ishin 738, ndërsa këtë shkurt bizneset që kaluan në pasiv ishin 1,088. Në rritjen e numrit në shkurt ka ndikuar dhe tendenca e subjekteve për t’u çregjistruar dhe regjistruar sërish me emër tjetër, në mënyrë që t’i shmangen TVSH-së që hyn në fuqi nga 1 prilli.

Po hyn në krizë vetëpunësimi
Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi, vetëpunësimin. Por, vetëpunësimi në Shqipëri duket se ka filluar të tkurret, duke reflektuar konsumin e dobët dhe riorganizimin e tregtisë me pakicë drejt super-marketeve e qendrave tregtare. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13%, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë. Nga të dhënat e përllogaritura, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16%. Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total, i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të punësuar.