Jo ndalim importi të automjeteve, por ndërhyrje te karburanti

1032
Konfindustria shprehu shqetësimin për pasojat ekonomike për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare, nga zbatimi i masës së shpallur së fundmi nga ekzekutivi për ndalimin e importit në Shqipëri për makinat e prodhuara para vitit 2009. Sipas shoqatës së biznesit, arsyetimi i përfaqësuesve të ekzekutivit, që masa ka si qëllim mbrojtjen e mjedisit, nuk qëndron në rastin e Shqipërisë. Sipas te gjitha studimeve del, që jo më pak e 87% e ndotjes mjedisore të karburanteve vjen nga cilësia jashtë çdo standardi të lejueshëm në qarkullim dhe më pak se 13% vjen nga teknologjia e mjeteve motorike. Cilësia e dobët, që vjen nga përdorimi i sasive shtesë të palejueshme të karburanteve të tregtuara, është arsye thelbësore e përvetësimit edhe të mbi 150 milionë euro taksa të paguara nga qytetarët dhe bizneset. Konfindustria vlerësoi se ulja e nivelit shqetësues të ndotjes mjedisore, sidomos në Tiranë dhe qendrat e mëdha urbane të vendit, duhet të fillojë nga përmirësimi me dorë të hekurt dhe sa më shpejt i cilësisë së standardit krejtësisht të papranueshëm të karburanteve në qarkullim në tregun vendor. Gjithashtu, duke filluar nga Tirana, duhet të mbështeten me të gjitha mënyrat rinovimi i parkut të mjeteve mjeteve të transportit publik, që shkakton jo më pak se 30% të ndotjes mjedisore nga karburantet. Konfindustria vlerësoi, se në kushtet e Shqipërisë vendime të tilla të rëndësishme, sikurse është përcaktimi i afatit kohor 10-vjeçar të ndalimit të importit të makinave, jo vetëm nuk japin zgjidhje për ndotjen mjedisore, por mund të prodhojnë pasoja negative prej dhjetëra milionë euro në vit kosto shtesë të papranueshme për qytetarët dhe biznesin.
Sigal