Shqiptarët paguajnë 370 milionë euro në vit taksa mjedisore

405

Edhe pse qeveria ua merr me dhunë qytetarëve taksën e mjedisit, Shqipëria renditet si vendi më i ndotur në Evropë, pasojat e së cilës janë sëmundjet kanceroze, të zemrës dhe ato nervore. Ku shkojnë paratë e taksapaguesve?

Qytetarët paguajnë mbi 370 milionë euro në vit taksa mjedisore, por Shqipëria është vendi më i ndotur i Evropës. Për çfarë përdoren paratë?!

Si ndotja e mjedisit po “vret” çdo ditë shqiptarët, askush nuk mban përgjegjësi

Alarmi i OBSH: Ajri i ndotur, shkaktar i kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe problemeve mendore

Raporte dhe publikime të ndryshme ndërkombëtare e rendisin gjithmonë Shqipërinë si një ndër vendet më të ndotura në botë, referuar sasisë së plehrave, gazrave, tymrave të makinave, por edhe mungesës së theksuar të gjelbërimit. Një statistikë e publikuar disa kohë më parë nga Forumi Ekonomik Botëror e rendiste vendin tonë mes 5 shteteve më të rrezikuara nga ndotja. Shqipëria është madje më e ndotur dhe se Kina. Ndërkohë që një publikim tjetër, ai i Portalit Numbero e ka paraqitur Shqipërinë si vendin më të ndotur në Evropë. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë nevojë të lexojnë raportimet e institucioneve ndërkombëtare për nivelin e ndotjes dhe rreziqet e tij, pasi qytetarët përballen çdo ditë në përditshmërinë e tyre me ndotjen që po u merr frymën e po u shkurton jetën. Rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me plehra, të cilat i gjen kudo nga hedh sytë. Tymrat e makinave mbushin mushkëritë e njerëzve dhe fëmijëve, në trotuare gjen vetëm beton dhe me ajrin thith helm e jo oksigjen. Mirëpo, ajo që e bën akoma më skandaloze situatën është se zyrtarisht qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 370 milionë euro si taksa për mjedisin në vit. Sipas një publikimi të fundit të INSTAT, në 2017, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën vlerën e rreth 47 miliardë lekë, duke pësuar rënie me 0,64 % krahasuar me vitin 2016, ndikuar kjo kryesisht nga rënia e të ardhurave nga taksat e transportit. Lind pyetja, ku shkojnë e për çfarë përdoren këto para? Sepse plehrat, jo vetëm që mbeten rrugëve e të pa ricikluara, por sa vijnë e shtohen. Në pallatet e qyteteve nuk gjen të mbjellë një pemë, nuk gjen një pjesë rruge të gjelbëruar. Në qytet duhet të ecësh me metra të tërë për të gjetur një kosh mbeturinash. Makinat kanë pushtuar rrugët dhe nuk merret asnjë masë për parandalimin e ndotjes që vjen nga tymi i zi që lëshohet nga automjetet. Nëpër dete, lumenj e liqene më shumë se sa njerëzit, notojnë mbeturinat, teksa qeveritarët reklamojnë “parajsën” e turizmit në Shqipëri.

Alarmi i OBSH: Ajri i ndotur, rrezik serioz për jetën e fëmijëve!

Rreziku i sëmundjeve që vijnë nga ndotja e ajrit dhe mjedisit sa vjen e rritet. Një gjetje alarmante e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregoi për ndikimin e ajrit tek fëmijët. Sipas OBSH-së, ajri i ndotur bën që shumë fëmijë të lindin me probleme mendore e fizike. Rreth një e treta e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës e kancerit në mushkëri i atribuohen ndotjes së ajrit.

Për çfarë i paguajnë shqiptarët taksat e mjedisit?!

Për sa i përket të ardhurave nga taksa mjedisore, sipas Institutit të Statistikave, për vitin 2017, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 53,18 %, të shoqëruar nga taksat e transportit 42,77 %, taksat e ndotjes me 4,01 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,04 %. Në vitin 2017, vlerëson INSTAT, të ardhurat nga taksat e transportit janë ulur me 4,88 %, ndërsa janë rritur taksat e energjisë me 2,87 %, të ardhurat e taksave të ndotjes me 1,31 % dhe taksat e burimeve natyrore me 23,27 %, krahasuar me një vit më parë. Në 2017, pesha e të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është 3,06 %, duke pësuar rënie me 0,18 %, krahasuar me 2016. Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2017, përbëjnë 11,91 % të totalit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rënie me 1,01 % krahasuar me 2016.