Shqipëria, ndër vendet e fundit në botë për rikuperimin ndaj fatkeqësive natyrore

518
Sigal

BB: 3500 shqiptarë braktisën shtëpitë prej zjarreve, tërmeteve e përmbytjeve në 2017-n

Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara nga fatkeqësitë natyrore në botë, teksa siç raporton FM Resilience, vendi ynë është ndër shtetet e fundit në botë për sa i përket aftësive rikuperuese ndaj rreziqeve të natyrës. Gjithashtu sipas Bankës Botërore, fatkeqësitë natyrore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve të Shqipërisë, më shumë se në vendet e tjera. Duke iu referuar të dhënave të BB, në vitin 2017, rreth 3500 persona në Shqipëri u detyruan që të shpërngulen prej shtëpive për shkak të fatkeqësive natyrore apo ato të shkaktuara nga dora e njeriut. Kjo shifër është dhe më e larta në Rajonin e Ballkanit. Duke iu rikthyer studimit të FM Resilience, në indeksin e tij, Shqipëria nuk performon mirë në menaxhimin e riskut, e renditur e 120, në 10 më të ulëtat në botë. Sipas këtyre risqeve, Shqipëria është më e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe zjarreve, por edhe përmbytjeve, fatkeqësive natyrore të tjera si tërmete etj.

Situata me fatkeqësitë natyrore në Rajon dhe Botë

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në Serbi dhe në Malin e Zi numri i të shpërngulurve për shkaqe të fatkeqësive natyrore ishte përkatësisht 42 dhe 2, disa herë më i ulët se në Shqipëri. Ndërsa, në Greqi gjatë 2017-s u identifikuan 800 persona, të cilët u shpërngulën për shkak të fatkeqësive natyrore apo të shkaktuara nga dora e njeriut, në Kroaci rreth 230 persona. Ndër vendet e Bashkimit Evropian numrin më të lartë të personave të shpërngulur e ka Franca me rreth 21 mijë raste, ndërsa Italia shënoi për 2017-n vetëm 2100 raste, më pak se Shqipëria. Në botë, vendet me numrin më të lartë të të shpërngulurve në rajon janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe India. Kostot ekonomike prej fatkeqësive natyrore në 2018-n ishin 107.7 miliardë dollarë në të gjithë botën, ndërsa një vit më parë 144.1 miliardë dollarë.