Ilmi S. Qazimi: Veteranët e kombit, “thesare” të gjalla të LANÇ

735
Sigal

Askush nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj kësaj shtrese shoqërore, por të mësojë prej anëtarëve të saj dhe t’i respektojë fisnikërisht ata

Veteranët, “relikte” të gjalla të LANÇ

Ilmi S. Qazimi

Mbajtja gjallë e idealeve të Luftës për liri e çlirim kombëtar, ruajtja e emrit dhe nderit, dinjitetit dhe lavdisë së pjesëmarrësit në atë Luftë si dhe respekti deri në fund e pa asnjë mangësi e gjakut të dëshmorëve të atdheut dhe fitoret e arritura- këto lartësojnë dhe fisnikërojnë shoqërinë shqiptare

Në njësinë administrative nr.3 të metropolit shqiptar gjallon një jetë e zhurmshme plot dinamizëm. Aty kryejnë aktivitet të dendur biznese e institucione, lokale tregtare të mirëfillta dhe qendra të gjithfarshme me veprimtari njerëzore të dobishme për banorët e të gjitha moshave, dy gjinive, profesioneve, kombësive, nivelit arsimor etj., të komunitetit e kohës sonë. E midis tyre zhvillojnë një veprimtari të admirueshme edhe organizata e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar e pasardhësve të tyre si dhe organizata kombëtare e familjeve të dëshmorëve. Ata që morën pjesë aktive në atë luftë tashmë po pakësohen. Kjo është e natyrshme. Por pasardhësit që po e do të ndjekin gjurmët e prindërve e të të rënëve për liri, po shtohen çdo ditë. Edhe kjo është një prirje e natyrshme shqiptare, sepse gjeni trashëgohet edhe në traditë, zakon, virtyt. Ajo që bie në sy në këto dy organizata, ku drejtojnë z. Xhevat Lluri,” djaloshi” 80 vjeçar dhe ‘i riu’ kuçiot Kujtim Bisha është gjallëria e jetës, optimizmi për realizimin e detyrave, këmbëngulja për arritjen e objektivit të caktuar. Edhe diçka tjetër me mjaft rëndësi: këto dy organizata shkojnë në një harmoni të plotë e të sinkronizuar me njëra tjetrën aq sa nuk i dallon dot se cili aktivitet i përket njërës e kush i takon asaj tjetrës. Mbajtja gjallë e idealeve të luftës për liri e çlirim kombëtar, ruajtja e emrit dhe nderit, dinjitetit dhe lavdisë së pjesëmarrësit në atë luftë si dhe respekti deri në fund e pa asnjë mangësi e gjakut të dëshmorëve të atdheut dhe fitoret e arritura- këto janë qëllimet madhore të këtyre dy organizatave. Dhe ata nuk lodhen kurrë duke punuar me të rinjtë e të rejat, me të moshuarit, me nxënësit e shkollave e njerëz të profesioneve të ndryshme. Tregojnë e flasin për vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, heroizmin e rrallë partizan,gjakun e dëshmorëve. Ata udhëheqin me shembullin personal nëpër aktivitete komunitare dhe nuk paguhen nga askush. Dhe as nuk kërkojnë pagesë. Iu mjafton pensioni simbolik. Ndër morinë e aktiviteteve të këtyre dy organizatave, ashtu si edhe gjetiu në Tiranë e posaçërisht në disa rrethe të vendit, janë edhe kremtimi i ngjarjeve historike apo datave që kanë rëndësi simbolike njerëzore si përkujtimore, ditëlindje jubilare, promovime vlerash artistike si libra, shkrime, vepra arti etj.

Këto ditë, si pasardhës veterani pata fatin, nderin dhe kënaqësinë të isha i ftuar në një nga këto takime madhështore në thjeshtësi të këtyre dy organizatave, ku pjesëmarrësit uronin Kadri R. Hajdinin për tetëdhjetë vjetorin e lindjes. Ky është pasardhës veterani,një bir e nip dëshmori nga Vlusha prehistorike, fshat i ngjeshur me ngjarje të mëdha të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, siç janë ato të rënies së 23 dëshmorëve, krijimi i Brigadës së 7 Sulmuese Partizane etj. Duke i parë e dëgjuar aty në atë takim aq të ngrohtë, m’u dukën sikur secili syresh ishte i tillë ,pra djalosh, sepse zemra e tyre nuk plaket kurrë. Të tillë dukeshin Skënderi, Tahiri, Myzaferi, Izeti, Gjoni,Shabani,kësisoj edhe Faiku, Besniku, Hasani, Vasili, Iliri, …Atyre vërtet takati fizik edhe iu është rënduar, por shpirti luftarak nuk iu është zbehur aspak. Atdhetarizmi i pashoq tek ta duket në vrullin me të cilin evokojnë të kaluarën dhe shpresën për të ardhmen e sigurt të brezave që vijnë. Veteranët e mbledhur nënvizuan disa të veçanta tek ‘djaloshi’ tjetër që posa mbushi të tetëdhjetat si pasardhës i tyre. Ai, Kadriu, para disa vitesh kur forca të errëta, të dala nga llumi i shoqërisë sonë thyenin e shkatërronin buste e lapidare, simbole të gjakut shqiptar të derdhur në luftë kundër pushtuesve nazistë e fashistë dhe tradhtarëve të vendit, me nismën e vet, me paratë e pensionit dhe së bashku me nipin e tij Rizain, ideoi, organizoi punën dhe ndërtoi një lapidar madhështor në nderim të dëshmorëve të fshatit të Vlushës atje pranë malit të Tomorrit. Shokët e tij thanë gjithashtu se e njohin Kadriun mirë, edhe kur ishte në Çorovodë, Vlushë e Poliçan e tashmë prej më se 20 vjetësh në Tiranë, atdhetar të flaktë, mik të sinqertë,shok të gjendur, baba shembullor, gjysh të respektuar dhe aktivist të palodhur. Atij i dhuruan edhe mesazhe urimi, fletë nderi si dhe sende fare të thjeshta por që simbolizojnë madhërisht flamurin kombëtar, dëshmorët e atdheut, veteranët e Luftës. E ai,duke marrë ato, më sy të përlotur, zotohej se do jetë gjithnjë në radhët e para për zbatimin e detyrave që shtron organizata. Është ideali i zjarrtë për të ruajtur,mbrojtur dhe propaganduar vlerat më të mira të popullit tonë, që atdhetarisë t’i sigurohet vazhdimësia,ja kush i detyron këtë burra që të jenë kaq konsekuent deri në fund në misionin e tyre të shqiptarizmit.

Veteranët janë një shtresë shoqërore e cila përbëhet nga ata që morën pjesë në Luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e tradhtarët e vendit, si dhe më pas për ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Atyre u dhimbset më shumë se kujtdo tjetër atdheu. Ata rrëqethen më tepër se cilido tjetër kur dëgjojnë ngjarje të hidhura si këto që po ndodhin këto vite tek ne, të iniciuara nga grupe politike të pakontrolluara keqdashëse. Është pikërisht ajo shtresë që edhe kur të na mungojë plotësisht nga ana fizike do të jetë kurdoherë e pranishme në çdo periudhë të zhvillimit shoqëror, sepse idealet për të cilat ata luftuan nuk shuhen kurrë,mbasi i shpien më tej pasardhësit e tyre të panumërt. Si e tillë askush nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj kësaj shtrese shoqërore, por të mësojë prej anëtarëve të saj dhe t’i respektojë fisnikërisht ata. Është në kulturën e çdo kombi dhe detyrë e institucioneve të tij,që të nderojë pa ndërprerje e me gjithë respektin e kërkuar ashtu si dëshmorët edhe veteranët të ndjekur nga pasardhësit e tyre.