Shpërblimet në fundvit, “bonus” administratës dhe pensionistëve

111

Afrimi i fundit të vitit rikthen diskutimet nëse do të ketë apo jo shpërblim për administratën dhe pensionistët, një praktikë kjo e ndjekur vitet e fundit. Zyrtarisht, qeveria ende nuk ka marrë një vendim për akordimin e fondit të posaçëm për këtë qëllim. Por çfarë thotë numri dy i Ministrisë së Financave, Ervin Mete, për mundësinë që këtë vit të ketë shpërblim për administratën publike dhe pensionistët? Praktika e shpërblimit të administratës dhe të pensionistëve ka qenë një praktikë e përvitshme e qeverisë.


Fillimisht ka qenë paga e 13-të që i shpërndahej administratës por që më pas u zëvendësua me dhënien e një shpërblimi, masa e të cilit lihej në vullnetin e Këshillit të Ministrave. Praktika e shpërblimit masiv të administratës dhe pensionistëve u zbatua deri në vitin 2013, por më pas do të kategorizohej me argumentin e vështirësive financiare me të cilat përballej arka e shtetit. “Ne besojmë se shpërblimin ua japim nëpërmjet rritjes së pagave, administratës. Ndërsa për pensionistë tdo të vlerësohet…por primare kemi që të mos lëmë asnjë detyrim të prapambetur. çka do të thotë se ato që janë detyrime nga kontratat, synimi është të shlyehen deri në fund të vitit. Nëse shlyejmë këto dhe kemi sufiçit atëherë do vlerësojmë mundësinë e një shpërblimi për pensionistët. Edhe për ne do të ishte i dëshiruar”­ tha Ervin Mete për scan.

Vitet e fundit, praktika e ndjekur ka qenë ajo e dhënies së shpërblimeve për kategori të ndryshme të administratës dhe pensionistëve. Pavarësisht deklarimeve publike për vështirësitë financiare me të cilat përballej arka e shtetit, qeveria ia ka dalë të sigurojë një fond të posaçëm për shpërblimet e fundvitit.

Muajt e fundit qeveria deklaron se situata e të ardhurave në buxhet është përmirësuar. Por tashmë mbetet për t’u parë nëse ky përmirësim i deklaruar i situatës së arkës së shtetit, do të reflektohet edhe në përmirësimin e masës së shpërblimit dhe zgjerimin e kategorive përfituese të tij.