Raporti i ILDPKPI/ 315 deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë janë referuar për afera korruptive, pastrim parash e përfitime të paligjshme

126

315 deputetë, kryebashkiakë e drejtorë, në 4 vitet e fundit, janë referuar te pastrimi i parave, prokuroria etj.

 

Afera korruptive dhe përfitime të paligjshme të zyrtarëve, ILDKPKI referoi 53 raste, në 2018-n

315 zyrtarë të rangjeve më të larta janë referuar në drejtorinë e përgjithshme të pastrimit të parave apo prokurori nën dyshimin e përfshirjes nëpër afera korruptive apo përfitime të paligjshme, në 4 vitet e fundit. Ndërkohë vetëm, në vitin 2018 u referuan pranë Prokurorisë, hetimit tatimor, Policisë së Shtetit si dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave të paktën 53 raste zyrtarësh të ndryshëm. Të dhënat u bënë publike nga raporti zyrtar i aktivitetit për vitin 2018 të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. “Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2018 ka referuar pranë institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit 315 subjekte, në të cilat janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Drejtorë Drejtorie etj. Për periudhën raportuese janë paraqitur në total 53 raste referimesh penale” thuhet në raportin e ILDKPKI që më tej thekson se në një analizë të punës 5-vjeçare Inspektorati i Lartë ka aplikuar në total 1.672 masa administrative ndaj zyrtareve, si 140 masa administrative me gjobë. “Në total për periudhën 2014-2018 rezulton të jenë aplikuar 1.812 masa administrative “gjobë”. Gjithashtu, rezulton të ketë referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Policisë së Shtetit, si dhe strukturave të hetimit tatimor në total 315 kallëzime penale dhe referime të tjera” thuhet në raport. Ndërkohë, sipas ILDKPKI, rezulton se numri i përgjithshëm i subjekteve deklarues deri në fund të 2018-s është 15.086, nga të cilët: 17.8% ose 2.682 subjekte rezultojnë të jenë në funksion; 82% ose 12.373 subjekte rezultojnë të jenë ish-subjekte deklarues; 0,2% ose 31 subjekte rezultojnë të jenë kandidatë. Po kështu, numri i deklaratave të administruara nga Inspektorati i Lartë për vitin 2018, është 3.679 deklarata të interesave private, nga të cilat, të ndara sipas llojeve të tyre, rezultojnë këto të dhëna statistikore: Deklarata Periodike/Vjetore – 2.597 deklarata; Deklarata Para Fillimit të Detyrës–532 deklarata; Deklarata Pas Largimit nga Funksioni–534 deklarata; Deklarata Kandidati–16 deklarata, raportoi ILDKPKI.