QSUT e mbushur me ilaçe të skaduara

758
Sigal

Keqmenaxhimi i barnave, jo vetëm që nuk japin më efekt në shërimin e sëmundjeve, por rrezikojnë jetën e pacientëve. 85% e medikamenteve importohen nga tregje të dorës së tretë dhe me data skadimi të falsifikuara

85% e medikamenteve importohen nga tregje të dorës së tretë, me afat të shkurtër përdorimi

QSUT e mbushur me ilaçe të skaduara, keqmenaxhimi i barnave po rrezikon jetën e pacientëve

Farmacia Qendrore e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë është e mbushur plot me ilaçe të skaduara të cilat kanë krijuar një magazinë me medikamente helmuese që po vënë në rrezik jetën e pacientëve. Kjo pasi skadimi i rreth 90 % të stokut të ilaçeve ka sjellë mangësi në medikamentet e QSUT dhe në shumë raste pacientët humbasin jetën pasi nuk marrin mjekimin e duhur nga mjekët e spitalit që shpeshherë janë ankuar për këtë gjendje. Barnat e skaduara janë të viteve 2012-2018 dhe kapin një kosto totale prej rreth 4 milionë euro. Këto ilaçe të skaduar janë në pritje të një tenderi që do t’i asgjësojë, teksa familjarët e pacientëve detyrohen të blejnë ilaçe në farmaci private, duke i krijuar dhe një shqetësim ekonomik familjeve shqiptare përveç atij shëndetësor. Mjekët ankohen se në shumë raste mungojnë barnat kryesore që janë të domosdoshëm për të sëmurët e hospitalizuar. Disa prej tyre janë zëvendësuar me medikamente që importohen nga Bullgaria, India, Kina dhe vende të tjera të Evropës Lindore. Aktualisht vetëm 15 % e stokut të medikamenteve janë të firmave të njohura evropiane, pjesa tjetër mbërrin nga tregje të dorës së tretë. Nën pretekstin e uljes së shpenzimeve, QSUT ka “gjetur rehat” me tregun kinez dhe atë të Evropës Lindore. Nga këto ilaçe me vlerë rreth 4 milionë euro, vetëm 34.7 milionë lekë e tyre janë brenda afatit të përdorimit, ndërsa pjesa tjetër rezulton e skaduar. Dëmi i madh ekonomik pasohet nga të tjera skandale, pasi së shpejti pritet të zhvillohet një tender për asgjësimin e medikamenteve të skaduara. Për këtë skandal financiar dhe dëm edhe për shëndetin dhe ambientin drejtuesit e QSUT-në nuk kanë proceduar penalisht asnjë person përgjegjës. Përkundrazi, në muajt e fundit ka pasur sërish sasi të madhe medikamentesh të blera shtrenjtë, por me afat përdorimi pak mujor dhe për pasojë kanë skaduar.