Sigal

Pr/ligji i ri për ndihmën ekonomike -Masa shtrënguese për ata që refuzojnë të punojnë

Një projektligji i ri në lidhje me skemën e ndihmës ekonomike pritet të miratohet këtë vit nga Kuvendi shqiptar. Ministria e Shëndetësisë ka bërë hap prapa për sa i përket ligjit fillestar për Mbrojtjen Sociale, pasi ky ligj shfaqi problematika me skemën e re të shpërndarjes së ndihmës ekonomike, ku mijëra familje të varfra u përjashtuan nga përfitimi për shkak se ishin të paafta të plotësonin dokumentacionin e komplikuar.

Kështu me ligjin e ri synohet thjeshtimi i procedurave për qytetarët dhe gjithashtu parashikohen masa shtrënguese për ata që refuzojnë ofertat e zyrës së punës. Skema e ndihmës ekonomike garanton mbështetje për ato individë dhe familje në nevojë të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike.

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e ndihmës ekonomike, kanë të bëjnë me:

1-Administrimin dhe funksionimin e një skeme të përmirësuar të ndihmës ekonomike;

2-Thjeshtimin e procedurave të panevojshme për shkak të riorganizimit të skemës, të cilat janë bërë pengesë për mospërfitimin në kohë të ndihmës ekonomike;

3-Nxitjen e punësimit dhe përfshirjen e personave në moshë aktive pune përfitues të ndihmës ekonomike në programet aktive të punësimit dhe formimit profesional;

4-Mosrefuzimin e ofertave të përshtatshme të punës nga zyrat e punës;

5-Forcimin e masave shtrënguese në rastet e refuzimit apo largimit nga puna, me synimin për të shmangur sigurimin e të ardhurave në mënyrë alternative (informale);

6- Përjashtimin nga detyrimi i paraqitjes në zyrat e punës për tu regjistruar si punëkërkues të papunë të anëtarëve të familjeve në zonat rurale që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç;

7- Menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shmangien e abuzimit.

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e aftësisë së kufizuar, kanë të bëjnë me:

1-Përcaktimin e së drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal;

2-Trajtimin e barabartë të të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar;

3-Heqjen e kufizimit për shkak të punësimit, duke garantuar që ky përfitim të mos ndërpritet në rast punësimi, por t’i shërbejë personit me aftësi të kufizuar për t’u integruar plotësisht në jetën shoqërore;

4-Thjeshtimin e procedurave të panevojshme për përfitimin e pagesave të aftësisë së kufizuar (heqjen e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak), dhe dhënien e këtij përfitimi bazuar në vendimin e autoritetit përgjegjës për përcaktimin e kësaj të drejte.

Projektligji përcakton mënyrën e financimit të programeve së mbrojtjes sociale, kontrollin e përdorimit të fondeve, sanksionet në raste të konstatimit të shkeljeve dhe procedurën e ankimimit për qytetarët.