“Qeveria, për interesa elektorale, do të zhytë vendin në borxhe të reja”

103

INTERVISTA/Pajtim Bello, specialist ekonomist: “Ligji për rritjen e nivelit të borxhit mbi 60% të PBB, i jep goditje sistemit financiar të vendit”

Zoti Pajtim Bello, një ndër specialistët më të mirë të ekonomisë, në intervistën për “Telegraf”, thotë se borxhi i Shqipërisë ka qenë përherë mbi 60 %, qeveria i ka publikuar shifra të rremë dhe me ligjin për rritjen e përqindjes së borxhit, qeveria pranon publikisht dështimin e politikave ekonomike.

– Zoti Bello, jemi në gjendje të llogaritim borxhin?

– Institucionet dhe instrumentet për të llogaritur borxhin nuk mungojnë. Ajo që mungon është transparenca e qeverisë ndaj publikut. Qeveria ka vite që fsheh nivelin e lartë të borxhit publik dhe këtë e bën duke manipuluar shifrat. Borxhi ka vite që është mbi kufirin 60% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), por qeveria e ka fshehur këtë fakt, duke preferuar të luajë me zjarrin. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes tuaj, më duhet të them se qeveria i ka të gjitha mundësitë për ta llogaritur realisht borxhin e brendshëm, por ajo ka bërë të kundërtën. Publikut i ka referuar shifra të rreme dhe këtë e ka bërë qëllimisht, për t’i lënë vetes liri veprimi në veprime të kundraligjshme dhe me rrezik për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve.

– Rritja e nivelit të borxhit, me ligj, si duhet vlerësuar?

–  Së pari është përpjekja e qeverisë për t’i shpëtuar përgjegjësisë për veprimet antiligjore që ajo ka bërë 3-4 vitet e fundit, ku niveli i borxhit publik ka qenë mbi kufirin 60%. Tashmë e vërteta mbi nivelin e borxhit nuk mund të fshihet dhe qeveria nxiton të rregullojë legjitimitetin e aventurës financiare të luajtur prej saj. Së dyti, qeveria është e vendosur që, për interesa elektorale, të zhysë vendin në borxhe të reja. Kjo tashmë do të bëhet nën mbrojtjen e ligjit dhe shkaktarët e një trauma financiare do të ndjehen të mbrojtur. Besoj që i gënjen mëndja se do t’i shpëtojnë përgjegjësisë, sepse shqiptarët e mbajnë mend mirë çfarë dredhish po përdor qeveria dhe deputetët e maxhorancës për të zhytur vendin në një kolaps financiar. Ndërkohë, indirekt, duket që qeveria pranon se ka mashtruar shqiptarët mbi nivelin e borxhit publik dhe pranon dështimin e politikave ekonomike që ajo ka ndjekur këto vite.

–  A përbën shqetësim edhe përqindja e borxhit deri në nivelin e përcaktuar në ligj? Në çfarë kushtesh ekonomike mundet që të pranohet rritja e nivelit të borxhit dhe sa duhet të jetë përqindja?

– Niveli i borxhit publik varet nga niveli ekonomik i një vendi dhe përllogaritet nga një sërë faktorësh, që lidhen kryesisht me ekonominë e vendit, por jo vetëm, sepse ndikohet edhe nga zhvillimet ekonomike rajonale. Për vendin tonë, është pranuar që niveli i borxhit publik të mos kalojë mbi 60% të PBB. Në këto vite, ekonomia jonë ka prezantuar shumë indikatorë të përkeqësuar, pra niveli i lartë i borxhit publik nuk është i vetmi rrezik që na kanoset. Ne jemi njohur me faktin që kreditë e këqija për bankat është rritur ndjeshëm këto vite dhe aktualisht luhatet në 28 deri 30%. Kjo është shifër e frikshme dhe ka tendencë përkeqësimi. Për vetë situatën ekonomike të rënduar subjektet ekonomike nuk kanë mundësi të paguajnë kreditë e marra, për të mos thënë se shumë prej tyre kanë falimentuar. Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj kompanive private. që kanë kryer punë ose shërbime për qeverinë dhe ndërkohë nuk janë paguar nga ajo. Këto shuma janë rreth 250 milionë Euro, ku në vend të parë renditen kompanitë e ndërtimit. Tashmë, ky borxh, edhe pse jo zyrtarisht, do t’i bashkohet borxhit të brendshëm dhe do të ketë një ndikim shumë dimensional. Do të rritë nivelin e borxhit publik me një kërcim të menjëhershëm, do të çojë në falimentim shumë subjekte ekonomike dhe do të shkaktojë rritjen e kredive të këqija. Kreditë e marra prej subjekteve private kanë shërbyer si kreditim i drejtë për drejtë për qeverinë, por tashmë kjo lojë nuk mund të ecë më tej. Këto kredi janë kthyer në gur të rëndë për tërë ekonominë e vendit dhe janë pjesë e pandarë e borxhit publik. Por nga ana tjetër kompanitë private janë përfshirë në një rreth borxhesh të ndërsjella, rreth ky që është zgjeruar e trashur nga viti në vit. Po të vështrosh me kujdes, do të konstatosh se qeveria dhe tërë shoqëria është përfshirë në borxhe të formave dhe natyrave të ndryshme. Këto borxhe tashmë janë kthyer në një ortek gjigand dhe ky është rreziku që vjen prej politikave të dështuara të qeverisë, prej mungesës së përgjegjësisë për fatet e ekonomisë dhe të vendit. Rritja e borxhit rrit dhe afron rrezikun që përshkruam më sipër.

– A nuk është paradoksale, kur thuhet nga qeveria se ekonomia rritet 3-4 %, kur paralelisht kemi rritje të borxhit dhe deficitit?

– Rritja ekonomike e vendit, nga një përrallë, është shndërruar në një gënjeshtër të madhe, sa që nuk e besojnë edhe vetë kryegënjeshtarët. Është provuar me shifra, që rritja ekonomike nuk ekziston. Nuk mund të ecet me manipulim shifrash, sepse një ditë e vërteta do të flasë vetë. Kështu po ndodh edhe tek ne. Viti që shkoi, por edhe ky vit, po shoqërohen me mosrealizim të të ardhurave nga buxheti i shtetit. Qeveria kërkon të marrë borxhe të reja, duke e asfiksuar ekonominë. Tashmë ekonomia ka tregues të disbalancuar, si për borxhin publik, për deficitin buxhetor, për eksport/importin etj.. Me kalimin e ligjit për rritjen e nivelit të borxhit mbi 60% të PBB-së, po i jepet një goditje sistemit financiar të vendit dhe pasojat do të jenë shkatërruese për të gjithë vendin.

– Flitet për rritje të borxhit, po nuk bëhet  fjalë fare për normat e interesit. Heshtja, ka ndonjë dritëhije?

– Pa dyshim, që ka një mungesë transparence në komunikimin me publikun taksapagues. Askush nuk flet për barrën që iu hidhet qytetarëve, sepse ata janë paguesit e borxheve që merr kjo qeveri. Këto borxhe do të jenë gur në qafë edhe për brezat e ardhshëm.

– Faleminderit!