Banka Botërore: 45% e të punësuarve në 2017-2018 ishin me shkollë fillore
Gjysma e punonjësve shqiptarë janë “të pashkolluar”
Personat e arsimuar vetëm me 8
klasë shkollë vazhdojnë të dominojnë tregun e punësimit në vendin tonë. Pjesa më
e madhe e të punësuarve në Shqipëri, nuk kanë kualifikimet e nevojshme për punën
që kryejnë, madje gjysma e të gjithë të punësuarve nuk janë mjaftueshëm të
kualifikuar për çdo lloj pune. Në këtë konkluzion ka arritur Banka Botërore, e
cila në analizën e trendeve të punësimit ka raportuar se përgjatë viteve
2017-2018, rreth 45% e punonjësve shqiptarë kanë edukim arsimor të ulët, me një
diferencë të lartë në krahasim me masën 22% të mesatares rajonale. Në ndryshim
nga vendi ynë, në shtetet fqinje, përgjatë periudhës 2017-2018, personat me
arsim fillor i kanë humbur vendet e punës.
Mesatarisht në rajon vendet e punës u shkurtuan për 3.8 për qind në punonjësit
me edukim të ulët, ndërsa vendet e punës për arsimin e lartë u shtuan me 4.2%
dhe 1.2 për qind për ata me arsim të mesëm, sipas Bankës Botërore. Gjithnjë
sipas analizës së BB, përjashtim me trendin rajonal kanë bërë vetëm Maqedonia e
Veriut dhe Shqipëria ku punësimi për punonjësit me arsim fillor u rrit. Më së
shumti në grupin e punonjësve me arsim fillor dominojnë gratë. Në Ballkanin
Perëndimor, përqindja e grave me nivel të ulët të arsimimit në mesin e
popullsisë në moshë pune është më e madhe se përqindja e femrave të arsimuara
në fuqinë punëtore.
Punësimi në vendet e Rajonit
Në Ballkanin Perëndimor, punësimi u rrit më shumë në personat me arsim të mesëm dhe atyre me arsim të lartë. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe sidomos Mali i Zi raportoi rritje në punësimin e atyre me arsim të ulët. Ndërsa në Bosnje, Serbi dhe Kosovë vendet e punës për ata me arsim të ulët u shkurtuan. Punonjësit e moshës së artë (25-54 vjeç) përfaqësonin 75 % të të punësuarve në Ballkanin Perëndimor vende, duke filluar nga 71 % në Shqipëri dhe Kosovë me 79 % në Maqedoninë Veriore. Pjesa e të rinjve të punësuar ishte më e ulët në Serbi dhe Maqedoni Veriore dhe më e larta në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë.





















