Qeveria parashikon të ulë shpenzimet për skemën e pensioneve në raport me PBB deri më 2021

695
Sigal

Shpenzimet në vlera neto për skemën e pensioneve do të rriten me rreth 22 miliardë lekë (176 mln euro) në tre vitet në vijim, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato shënojnë rënie. Nga 7.5% e PBB që pritet të jenë shpenzimet për skemën e pensioneve këtë vit, ato do të arrijnë në 7.3% e PBB në vitin 2021. Ndërsa këtë vit pritet të shpenzohen 123.5 miliardë lekë për skemën e pensioneve, këto shpenzime vitin që vjen do të jenë 130.6 miliardë lekë dhe në vitin 2021, rreth 146 miliardë lekë. Shpenzimet e skemës po rriten për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve nga viti në vit si pasojë e plakjes së popullsisë, teksa numri i kontribuuesve nuk pëson zgjerim në zonat rurale, përkundrazi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 1990, vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2017 paguan sigurime vetëm 752 mijë persona, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë. Të dhënat krahasuese tregojnë se, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11%, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49%. Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 78,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2017, u raportuan 621,186 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2017, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë. Ndryshimi i strukturës së popullsisë do të sjellë kosto të larta për mbrojtjen sociale, por ende nuk ka një studim për efektet e plakjes të popullsisë dhe sfidat me të cilat po përballen këta persona.