Nis “kanali jeshil”, Rama: Tani zhdoganimet në 10′, s’ka tortura

726
Sigal

DURRES – Biznesi do të trajtohet si partner i qeverisë dhe për këtë arsye po bëhen të gjitha përpjekjet që ia të lehtësohet nga procedurat e gjata burokratike. Kështu është shprehu Kryeministri Rama nga Durrësi në ditën ndërkombëtare të Doganve, dhe ku  aplikohet për herë të parë kanali jeshil, ose i quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor.

Shefi i qeverisë në këtë aktivitet ishte së bashku me Ministrin e Financave  dhe Drejtoreshën e Doganave Elisa Spiropali kanë lançuar procedurat e kanalit jeshil.

Kryeministri ka parë nga afër procedurat që kryhen në këtë doganë për zhdoganimin e mallrave të importit dhe eksportit. 

Rama ka veçuar se ka ikur koha e procedurave burokratike dhe kur doganat ishin në duart e të korruptuarave. Ka ikur koha kur biznesit i duhej 3 ore të zhdoganuar mallrat, tashmë ata mund të kryejnë zhdoganimin vetëm për 10 min. 

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të vizionit tonë për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti. Nga ana tjetër për t’i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve. 10 minuta punë për të mbaruar punë, pas një epoke ku në letra minimum ishte 3 orë, por në realitet shkonte dhe tre ditë. Një mënyrë për të shpërblyer mundin, djersën, sakrificat, dhe njëkohësisht raportin korrekt me ligjin të gjithë atyre sipërmarrjeve shqiptare që janë torturuar nëpër dogana dhe janë torturuar përballë gjithfarëlloj hajdutësh dhe sekserësh. Kjo është një epokë e mbyllur. Epoka e re që kemi hapur do të vazhdojë të sjellë risi në funksion të lehtësimit total të tregtisë në këtë vend, për eksportuesit dhe importuesit, për të gjithë ata që nuk kanë kohë për të humbur në doganë, pasi kohën e kanë të çmuar dhe me kohën e tyre krijojnë vende pune, krijojnë mirëqenie për të gjithë të tjerët.” theksoi Rama

Cani: Procedurat nuk shmangin kontrollet e subjekteve 
Nga ana e tij, Ministri i Financave Shkëlqim Cani theksoi se kjo procedura e shpejtë nuk do të eleminojë kontrollet e subjekteve, por ato të vijojnë në bazë të informacioneve që kanë doganat në shkallë vendi. 

“Përzgjedhja e biznesit për kanalin jeshil ose jo, ka të bëjë shumë dokumentacionin, por është automatike, pra nuk është përzgjedhje njerëzore, duam këtë apo atë. Pra, biznesi përfiton në kosto, në barriera, në kohë, që është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe dogana përfiton se në vend që të merret me të gjithë kontrollet siç bën sot, 100 % kontrolle, do të ulet në mënyrë të dukshme numri i kontrolleve. Përfitimi është i përbashkët, marrëdhëniet e përfitimit janë të përbashkëta, por po bashkërisht duhet të mirëkuptojmë njëri-tjetrin që të zbatojmë më rreptësi ligjin që është një kërkesë doemos që e kërkon publiku, e kërkon koha që ne të jemi europianë, por me zbatim të plotë të ligjit në luftë kundër korrupsionit dhe veprimtarisë informale.” tha Cani

Spiropali: Bizneset përfituese të kanalit jeshil
Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave shtoi se një numër i konsiderueshëm subjektesh të rregullta kanë përfituar nga kanali jeshil, duke kursyer kohën për zhdoganim të mallrave.

“Kanali jeshil ka disa avantazhe që janë avantazhe të dukshme dhe të qarta për komunitetin e biznesit. E para dhe kryesorja është ulja e kostove dhe ulja e kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangja e çdo barriere administrative që bizneset kanë në lidhje me doganën dhe kryesorja shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit. Kanali jeshil është një sistem i sofistikuar, moduli selektiviteti të analizës së riskut, i cili mundëson shmangien totale të kontrollit dokumentar dhe kontrollit fizik të mallrave. Nga ana tjetër bizneset të cilat janë të ndershme, biznese të cilat kanë rekorde shumë të mira në dogana apo në tatime, që janë zbatues të përpiktë të ligjit dhe që kanë bërë investime në sistemin e tyre IT, mund të përfitojnë nga kanali jeshil. Kjo rrit edhe konkurrueshmërinë e tyre, por rrit edhe nevojën, dëshirën e bizneseve të tjera për të arritur në këto standarde. Pra, është dhe një stimul për këto biznese të ndershme të kenë një marrëdhënie të drejtë fiskale me shtetin shqiptar.” tha Spiropali