Në 2020 nis qarkullimi i kartmonedhës 10 mijë lekëshe

521
Sigal

Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka miratuar shtypjen e kartëmonedhave shqiptare të prerjes 10,000 Lekë. Kartëmonedha e re e cila është ka vlerën më të madhe të emetuar deri më tani do të futet në qarkullim dhe do të shërbeje si mjet pagesë vetëm në vitin 2020. Banka e Shqipërisë njoftoi se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementet teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë. Në fund të vitit 2017 Banka e Shqipërisë pati miratuar tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe vargun “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshirë e një qëllim” të zgjedhur nga Himni Kombëtar. Gjithashtu Këshilli i Mbikëqyrjes miratoi tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës. Mbajtja e cilësisë së kartëmonedhave në nivele të kënaqshme do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it. Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore evropiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor. Banka e Shqipërisë do të rrisë aftësinë e saj në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Me përmirësimin e kapaciteteve teknike synohet rritja e kapaciteteve administrative të Qendrës Kombëtare të Analizës. Gjithashtu, do të punohet për rritjen e bashkëpunimit në fushën e falsifikimit, duke formalizuar marrëveshje me autoritetet kombëtare dhe evropiane për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë do të punohet për plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë do të forcojë praktikat e kontrollit dhe masat e mbrojtjes fizike që garantojnë sigurinë dhe pacenueshmërinë e vlerave monetare që ajo administron, në funksion të emisionit dhe thesarit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës.