Ndryshojnë taksat, truku i qeverisë për të “shtrydhur” qytetarët

Tatimi progresiv nuk do të mbetet vetëm te pagat, por do të shtrihet mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Kalimi i pragut 130 mijë lekë preket nga tatimi 23 %

Ndryshojnë sërish taksat për shqiptarët, ndërsa prej 1 janarit 2018 do të vihet në zbatim një formë e re e llogaritjes së detyrimeve fiskale për qytetarët. Qeveria do të bëjë një ligj të ri, i cili e shtrin taksimin progresiv, jo vetëm mbi pagat, siç është aktualisht, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, se mënyra e re do të grumbullojë të ardhurat dhe më pas do të bëjë taksimin e tyre. “Do të përfshijë të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo si tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të përllogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma”, deklaroi ministri Ahmetaj. Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si shpërblimet, qiraja apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind. Sipas skemës së re, të gjitha të ardhurat do të bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën pastaj zbatohet taksa progresive me tre nivele që nis nga 0 %, në 13 % dhe shkon deri në 23 %, në vartësi të nivelit të të ardhurave. Në këtë mënyrë, çdo person që veç pagës, merr edhe të ardhura të tjera, do të duhet t’i bashkojë ato dhe më pas të llogarisë se sa do të paguajë si detyrim ndaj shtetit. 

Rastet
Masa e re e qeverisë parashikohet t’i prekë në mënyra të ndryshme qytetarët. Rreziku kryesor, sipas analistëve, është kalimi i pragjeve të caktuar, mbi të cilët rritet e norma e taksës. Më konkretisht, nëse një individ aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja 30 mijë lekë në muaj, ai do të jetë i detyruar të paguajë më shumë prej 1 janarit 2018. Pra për këtë individ, taksa rritet. Ajo shkon nga 17.500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19.900 lekë në muaj. Këtij qytetari do t’i duhet të paguajë 2400 lekë më shumë në muaj. Vlera aktuale e pagesës prej 17.500 lekë rezulton nga tatimi i ndarë i pagës dhe qirasë, ndërsa vlera e ardhshme 19.900 lekë rezulton nga tatimi i bashkuar i pagës e qirasë. Në këtë rast, qytetari për shkak të bashkimit të vlerës së pagës dhe qirasë e kalon kufirin 130 mijë lekë të ardhura në muaj, duke u bërë subjekt i masës 23 % të tatimit. Nga masa e re mund të përfitojnë qytetarët me pagë më të ulët, ndonëse numri i tyre që zotëron edhe një pasuri të patundshme të dhënë me qira apo një të ardhur dytësore është më i ulët. Megjithatë, për efekt krahasimi, një individ, i cili e ka pagën 60 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja po 30 mijë lekë në muaj, do të paguajë më pak me skemën e re. Për këtë qytetar, pagesa e taksës shkon nga 8.800 lekë në muaj, që është aktualisht, në 7.800 lekë, duke u ulur pra me 1 mijë lekë në muaj.

Megjithatë, truku kryesor që rrezikon t’i vërë shqiptarët përpara pagesave më të mëdha është pikërisht kalimi i pragut prej 130 mijë lekë të ardhura. Mbi këtë nivel, masa e tatimit “kërcen” nga 13 % në 23 %.