Operatorët turistikë kërkojnë lehtësi fiskale dhe subvencione për hotelet e bregdetit Durrës-Golem

668
Sigal

Unioni Turistik Shqiptar, gjatë analizës vjetore për situatën e sektorit të turizmit ka deklaruar se do t’i propozojnë qeverisë të bëjë lehtësira fiskale për hotelet e bregdetit Durrës-Golem.

Këto lehtësi shihen si një stimul për kapërcimin e situatës së krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit dhe ndikimin në sezonin e ardhshëm turistik. Operatorët do të organizojnë një takim me kryeministrin e vendit për të lobuar për zbritjen e TVSH-së në të gjitha hallkat e sektorit të turizmit në masën 10% dhe propozim për futjen e subvencioneve.

Unioni parashikon dakordësimin edraftit perfundimtar për ndryshimet në ligjin 95/2015 dhe arritja e një konsensusi me ministrinë e Turizmit për miratimin e këtij drafti para sezonit veror 2020.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar tha se partnerët e huaj po kërkojnë informacion për situatën. Ai pranoi se ka më pak rezervime në raport me një vit më parë. “Kemi pare nga afër hotelet për demet dhe kemi vendosur kontakte me Ministrinë e Turizmit”.

Kasa shtoi se një shans që duhen kapur janë turistët nga Kina. “Operatorët greke po bëjnë një paketë për turistët kineze. Po diskutojmë që ata të mund të kalojnë dy ditë në Shqipëri. Janë rreth 500 mijë turiste dhe mjafton pak prej tyre të vijnë”. Në të njëjtat diskutime po për turistët kinezë janë dhe me Shoqatën Bullgare të Turizmit.

Kasa tha se në takimet me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar u është kërkuar që të japin ndikimin e tyre në kërkesat që janë bërë si futja e subvencioneve siç e ka p.sh Maqedonia dhe bërja e Tvsh-së 10% për të gjitha hallkat e tjera të turizmit.

Një tjetër kërkesë e Shoqatës është ulja e taksave aeroportuale, të paktën për chartera, në mënyrë që të stimulohen të ulen në Shqipëri. “Dje kishim një takim me ministrin e turizmit, Blendi Klosi dhe besoj se do ta arrijmë këtë marrëveshje pasi Klosi ka biseduar me Ministren e Infrastrukturës, Balluku, koncesionarin e aeroportit të Rinasit, që të ulen taksat për charter”.

Kasa pranoi që ka një lloj dakordësie pozitive si dhe solidarizim për situatën. “Ne nuk presim qe kjo të bëhet menjëherë pasi buxheti është rënduar, por disa masa mbeten për diskutim edhe në 2021”.

Probleme të tjera me të cilat hasen operatorët turistikë janë infrastruktura, trafiku i rënduar, zhurmat e larta, ka pasur mungesë higjene për disa lokale, tregtimet vend e pa vend etj.

Në planet të tjera të Unionit Turistik Shqiptar për vitin 2020 janë dhe:

– Nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes UTSH dhe disa prej Bashkive me potencial turistik, ne lidhje me organizimin eventeve të përbashketa promovuese

– Anëtarësimin në ETOA – European Tourism Association

– Organizimi i një konference Ballkanike në Tiranë me rastin e ditës botërore  të turizmit

– Propozime konkrete për fuqizimin ekonomik të Shoqatës në lidhje me kuotacionin, projektet dhe donacionet.

-Organizimi dy udhëtimeve në bashkëpunim me shoqatat e Greqisë dhe Bullgarisë, përfshirë dhe organizimin e takimeve B2B.

– Arritja e një konsensusi për krijmin e nje federate rajonale turizmi me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës ,Maqedonisë dhe Malit të Zi.