Ndryshojnë koncesionet, qeveria kërkon “dorë të lirë” për investimet

44
Me anë të një ligji synohet shpejtimi i procedurave për HEC-et dhe TEC-et, duke i krijuar më shumë hapësirë ekzekutivit
Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat, duke synuar të ketë më tepër hapësirë në vendimmarrje për kontratat e investimit në hidrocentrale e termocentrale. Në propozimin e depozituar në Kuvend, ndryshimi argumentohet si domosdoshmëri dhe për rregullimin e përshpejtimin e procedurave dhe afateve në rastin e dhënies me koncesion/PPP të ndërtimit dhe të shfrytëzimit të burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2 megavat, të cilat kanë vlerë investimi jo më pak se 100 milionë euro. Sipas qeverisë, kjo bëhet për qëllim të realizimit të projekteve strategjike komplekse në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike. “Në këtë kategori mund të shqyrtohen në mënyrë specifike ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga HEC-et apo termocentralet që janë vepra komplekse dhe që kanë rëndësi të veçantë për sistemin elektro-energjetik shqiptar. Në optikën e zhvillimeve të fundit në sektorin energjetik shqiptar, ku kërkesa në rritje për konsum të energjisë ndeshet me pamjaftueshmërinë e plotësimit të saj nga prodhimi vendas, rritjen e ngarkesës energjetike e cila nuk shoqërohet me rritjen analoge të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, del si domosdoshmëri ndërtimi i objekteve të reja gjeneruese”, argumenton qeveria në propozimin e saj për deputetët. Sipas relacionit shoqërues, vendi ynë nga viti 1999 është kthyer në një importues neto të energjisë elektrike, duke rezultuar deficitar në mbulimin e kërkesës për energji elektrike nga burimet primare. “Kjo reflektohet dhe në kosto të larta financiare që ka rezultuar se herë pas here dhe që kanë vënë në vështirësi sistemin elektro-energjetik shqiptar dhe financat në buxhetin e shtetit. Nisur nga praktika e deritanishme, shumë investitorë që kanë pasur interes për të investuar në sektorin elektro-energjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri ynë ligjor për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë prej më shumë se dy vjetësh, për finalizimin e kontratës koncesionare”, thekson relacioni. Megjithatë aty nuk jepen detaje për investitorët e larguar për shkak të procedurave, por ky fakt përdoret si argument për të propozuar ndryshimin ligjor. ”Ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, duke synuar përshpejtimin e realizimit të projekteve elekro-energjetike dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe kushtet për përmirësimin e situatës ekonomike të vendit”, shprehet qeveria. Synimi i projektligjit, për një ndryshim në fushën e partneritetit publik privat, argumentohet të jetë zhvillimi i sektorit të partneriteteve publike private duke krijuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. “Duke u nisur nga zhvillimet e viteve të fundit koncesionet vërtetuan se janë një pjesë integrale dhe e rëndësishme e ekonomisë, por dilte i nevojshëm harmonizimi i saj me PPP-të. Në këtë projektligj del në mënyrë të qartë reduktimi i procedurave për dhënien e një partneriteti publik privat dhe për këtë shkak, pritet rritja e interesimit të kompanive të huaja me reputacion ndërkombëtar për lidhjen e marrëveshjeve të reja të koncesionit PPP. Tejzgjatja e procedurave koncesionare, për më shumë se dy vjet (në rastet e ankimimeve administrative të cilat kanë vijuar më tej në gjykatë, ku shpeshherë kjo e fundit ka qenë në disfavor të fituesve të procedurave të tenderit) ka krijuar një klimë pasigurie tek investitorët seriozë strategjikë”, nënvizon qeveria. Sipas saj, përjashtimi i hidrocentraleve me kapacitet të instaluar mbi 2 megavat dhe me vlerë investimi jo më pak se 100 milionë euro, si dhe i termocentraleve nga procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase duke synuar përshpejtimin e realizimit të projekteve elekro-energjetike dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe kushtet për përmirësimin e situatës ekonomike të vendit.