Nafta jonë eksportohet me çmim më të lirë se ajo e Serbisë

281

Sipas një studimi të Open Data Albania, duke filluar nga viti 2005 dhe deri në vitin 2013, sasia dhe vlera e eksporteve të naftës bruto kanë ardhur në rritje të vazhdueshme. Ky fakt sipas ODA-s ka ardhur si pasojë e rritjes së investimeve të huaja dhe eksplorimit të vendburimeve të naftës në vend.

– Në vitin 2013 u eksportuan 1 251 513 ton naftë bruto me një çmim mesatar vjetor shitje 55 490 lekë/ton. Vendet kryesore, ku u eksportua nafta bruto këtë vit ishin Gjermania, Italia, Malta, Spanja, Britania e Madhe dhe Franca.

– Peshë kryesore për 2013-n e kishin sasitë e eksportuara në Itali me 33% të totalit, në Spanjë me 32% dhe në Maltë me 23%. Britania e Madhe ishte vendi që bleu më shtrenjtë nga vendi ynë naftë bruto, ndërsa Italia, ajo që e bleu më lirë.

– Eksporti i naftës bruto në vitet 2005-2013 ka pasur si destinacion gjashtëmbëdhjetë shtete. Italia është një nga vendet ku është eksportuar vit pas viti sasi të konsiderueshme nafte bruto nga Shqipëria. Në vitet 2005-2006, Italia shënohet si destinacioni i vetëm i eksportit të naftës shqiptare. Gjatë viteve 2005-2013 janë eksportuar drejt Italisë 60% e totalit të sasisë së eksporteve të naftës bruto.

– Në vende si Spanja dhe Malta eksportet deri në vitet 2008 ishin zero. Por, duke filluar nga viti 2009 në Spanjë dhe nga viti 2010 në Maltë, eksportet drejt këtyre vendeve kanë shënuar rritje.

– Po ashtu, tre vitet e fundit kanë filluar eksportet drejt Gjermanisë, e cila është ndër importueset më të mëdha të naftës në botë. Sasitë e eksportuara në vendet e tjera janë të vogla dhe në periudha 1-2 vjeçare.

– Çmimi mesatar vjetor i shitjes së naftës bruto në eksport ka qenë i paqëndrueshëm përgjatë viteve 2005-2011, ndërsa në dy vitet e fundit ky çmim shfaqet më stabël. Çmimi mesatar vjetor më i lartë i shitjes në eksport u shënua në vitin 2013, ku një ton naftë bruto u shit për 55 490 lek, ndërsa çmimi më i ulët u shënua në vitin 2006, ku një ton naftë bruto u shit për vetëm 22 730 lek.

– Ndër vendet e rajonit, vetëm Serbia ka eksportuar naftë bruto për vitin 2013. Në këtë vit, një ton naftë bruto e Serbisë u eksportua me një çmim mesatar prej 94 180 Lekë, çmim ky pothuajse sa dyfishi i çmimit mesatar në eksport për vitin 2013 të vendit tonë.

– Kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është Bankers Petroleum Albania, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës që është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Renta që aplikohet mbi naftën bruto është në nivelin 10%.