Qeveria rishikon buxhetin 2015, ulen të ardhurat nga tatimet dhe doganat

710
Rënia e të ardhurave nga tatimet dhe doganat në 6 muajt e parë të vitit krahasuar me parashikimet e qeverisë e ka detyruar atë të rishikojë buxhetin e vitit 2015. Në aktin normativ ende të pa publikuar, por të miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit vërehet se është treguar kujdes që të mos ndryshojë deficiti buxhetor. Kështu vlera e deficitit mbetet e njëjtë. Ndërkohë është ulur parashikimi i nivelit të të ardhurave me 16.2 mld lekë, po kështu edhe shpenzimet janë ulur me po të njëjtën vlerë.  Përsa i përket shpenzimeve sipas aktit normativ është vlerësuar ulja e shpenzimeve operative dhe jo atyre kapitale.

Është parashikuar rritje e të ardhurave nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, por në të njëjtën kohë duke ulur shumën e transferimit nga buxheti i shtetit. Në buxhetin e ndryshuar të vitit 2015, Ministria e Financave ka vendosur të rrisë me 600 milionë vlerën e fondit për kompensimin e pronarëve duke siguruar të ardhurat nga privatizimet apo nga procesi i legalizimit. Ndërkohë që të ardhurat nga tatimet dhe taksat që do të grumbullohen nga pushteti lokal parashikohet të ulen rreth 1 mld lekë, e për të kompensuar këtë mungesë buxheti i shtetit do të rrisë transfertat me 170 milionë lekë. Për 6 muajt e mbetur 61 bashkitë do të ulin shpenzimet sikurse ishte parashikuar edhe me reformën territoriale me 830 milion lekë. Në buxhetit qendror qeveria ka parashikuar uljen të shpenzimeve, ku është prekur kryesisht fondi rezervë dhe kontigjenca që përdoren në raste emergjencash civile, dhe uljen e huadhënies për energjinë me 2 miliard lekë. Ndryshimi i buxhetit në mesin e vitit 2015 ishte edhe një kërkesë e fondit monetar ndërkombëtar, i cili u largua pa nënshkruar marrëveshjen për këstin e radhës me qeverinë.
Sigal