Mjerimi i shqiptarëve – 1/3 e shpenzimeve shkojnë për bukë e ushqime

1398
Sigal

Shqetësimi kryesor për çdo qytetar shqiptar është sigurimi i bukës së përditshme në tavolinë. Të pakën kështu duket nga raportimet që vijnë në lidhje me shpenzimet që kryhen nga familjet shqiptare, ku 1/3 e harxhimeve shkojnë për blerjen e ushqimeve. Instituti Evropian i Statistikave ka publikuar shifrat për shpenzimet nominale për ushqime për vitin 2017. Sipas të dhënave të Eurostat, në Shqipëri shpenzimet nominale për ushqime, përbënin 31% të prodhimit e brendshëm bruto. Këto statistika tregojnë për një nivel të lartë varfërie në vendin tonë, sepse në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë shumë më të larta. Për mesataren e BE-së, ky tregues është vetëm 6% e GDP-së, ku më i larti është në Rumani, me 15.8% të GDP-së dhe më i ulëti në Luksemburg me 2.6% të PBB-së. Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP_së. Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate, mesatarja është 19.7%. Në vlerë absolute, çdo shqiptar shpenzon për t’u ushqyer në vit 1,248 euro, nga rreth 1800 euro që është shpenzimi mesatar në BE, por duhet të kemi parasysh që të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë vetëm sa 30% e mesatares evropiane!

Shpenzimet për bukë e drithëra

Në një tjetër tregues më të detajuar, të publikuara nga Eurostat, shpenzimet për bukë dhe drithëra në Shqipëri ishin sa 4.9% e GDP-së, sërish më e larta në Evropë, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 3.1% të GDP-së, raporton Monitor. Konsumi i lartë i bukës dhe brumërave është një shenjë e varfërisë dhe e nivelit të ulët të të ardhurave që siguron një vend, që është i detyruar të blejë ushqimet shtrenjtë, për shkak se një pjesë e madhe e tyre importohen (për ironi, Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në Evropë me rreth 18-20% të PBB-së nga 2% që është mesatarja e Azisë dhe Evropës dhe rreth 8% e Maqedonisë së Veriut). Vetëm pasi plotëson nevojat primare, ato të të ushqyerit, një familje fillon e mendon për shpenzime të tjera, ku vendin e fundit e zënë ato për udhëtime apo luks e argëtim.

Rriten përqindjet e shpenzimit për ushqime

Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar bukën, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2008-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së, për të rënë lehtë në 4.9% në 2017-n . Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra ishin 198 euro në vit në 2017-n, më të lartat historike dhe më shumë në rajon. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt në vlerë absolute, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre. Sipas metodës së fuqisë blerëse (ku mesatarja e Bashkimit Evropian merret si referencë me 1), Shqipëria e ka këtë tregues gati 90, më i larti në Evropë.