Luan Shahollari:Një arnim në sistemin tatimor

846
Sigal

INTERVISTA/ Studiuesi i ekonomisë, Luan Shahollari flet rreth debatit që po zhvillohet mbi tatimin progresiv dhe atë proporcional

Një çështje kardinale që duket se ndan konceptet mes maxhorancës aktuale në pushtet dhe opozitës, ajo mbi tatimin progresiv dhe proporcional, është në qendër të vëmendjes së opinionit dhe duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të përplasjes politike në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit. Cili ka të drejtë dhe kush e ka gabim? Specialisti skrupuloz Luan Shahollari davarit mjegullën e diskutimit. Prej vitit 2008, kur po përdoret tatimi proporcional (“taksa e sheshtë”), përjashtohen nga tatimi personat që sigurojnë deri 10 mijë lekë të ardhura në muaj, thotë ai. Kryeministri S.Berisha sapo ka shpallur nismën për përjashtimin nga tatimi edhe të ardhurat e personave nga 10 deri në 30 mijë lekë në muaj. Po si konsiderohet kjo nismë, çfarë efekte ka dhe si mund të kompensohen ato? Për këtë ka patur debate të ndryshme. Për të marrë përgjigje më të kualifikuar, Luan Shahollari, studiues i ekonomisë, shprehet në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”.

 – Z.Shahollari, a mund të na shpjegoni çfarë përfaqëson ky ndryshim në sistemin tatimor që kërkon të bëjë z.Berisha tani?

– Po përpiqem të jap një përgjigje më të zgjeruar. Në botë përdoren dy sisteme tatimi mbi të ardhurat personale: progresiv dhe proporcional. Në një sistem progresiv, përqindja e tatimit rritet me rritjen e të ardhurave, kurse në një sistem proporcional, përqindja e tatimit mbetet e njëjtë për nivele të ndryshme të ardhurave. Ky sistem njihet edhe si “taksa e sheshtë”.

Sistemin e tatimit progresiv e përdorin mbi 84 % e shteteve të botës, për më tepër vendet më të mëdha dhe më të zhvilluara të BE, ShBA, Kina, Japonia, Brazili, Turqia, etj.. Ky është një sistem tradicional, që përdoret prej gati një shekulli nga qeveri të çdo krahu politik.

Tipari dallues i këtij sistemi është ndarja në grupe e të ardhurave personale për efekt tatimi, duke përjashtuar apo vendosur tarifa të vogla tatimi për grupet me të ardhura të ulëta.

Kështu p.sh, në Gjermani, të ardhurat personale të grupit të parë, deri në 8,004 euro në vit, nuk i nënshtrohen tatimit, kurse ato të grupit të katërt, mbi 250,731 euro, tatohen 45 %.

Në Francë, të ardhurat deri në 5,963 euro në vit nuk tatohen, kurse ato të grupit të pestë, mbi 70,830 euro tatohen 41 %.

Në Brazil, të ardhurat deri në 9,569 USD në vit nuk tatohen, kurse ato të grupit të pestë prej mbi 23.893 USD tatohen 27.5 %.

Në Kinë, të ardhurat deri 1,500 juan në muaj (238 USD) tatohen 3 %, kurse ato të grupit të shtatë me mbi 80 mijë juan në muaj (12,121 USD) tatohen 45 %.

Në Japoni, të ardhurat deri në 24,405 USD në vit tatohen me 5 %, kurse të ardhurat e grupit të gjashtë prej mbi 225 mijë USD tatohen 40 %.

Në Britani, të ardhurat e tatueshme deri në 2 440 pound në vit tatohen me 10 %, kurse ata që fitojnë mbi 150 mijë paund tatohen 50 %.

Në ShBA të ardhurat deri 8 500 USD në vit tatohen me 10 %, kurse ato të grupit të 6-të me mbi 379,150 tatohen me 110,016 USD dhe 35% të shumës mbi 379,150 USD.

Në Turqi, të ardhurat deri 10 mijë lira në vit (5.678 usd) tatohen me 15 %, kurse të ardhurat e grupit të katërt me mbi 58 mijë lira (32.932), tatohen 35 %.

Në Shqipëri, nga viti 1993 deri më 2007, është përdorur sistemi progresiv, ku grupi i parë, deri në 14 mijë lekë në muaj tatohej me 1 % kurse grupi i pestë llogaritet në 11.5 %. Këtë sistem z.Berisha e etiketon  si marksist dhe kështu i bije që për 14 vjet, të gjithë ne, të majtë dhe të djathtë kemi qenë “marksistë”!

Tatimin proporcional (“taksën e sheshtë”) e përdorin 16 % e shteteve të tjera të botës, shumica vende ish-komuniste të BS, Jugosllavisë, Europës Lindore e Qendrore etj.. Listën e kryeson Estonia më 1994, e ndjekur nga vende të tjera balltike, Rusia, Serbia etj..

“Taksa e sheshtë” është e thjeshtë për t’u llogaritur por dëmton grupet me të ardhura të ulëta dhe favorizon ato me të ardhura të larta. Le të sjellim në vëmendje lëvizjen e ditëve të fundit të Zh.Depardje (G.Depardieu) aktor i njohur me famë botërore, producent filmash dhe biznesmen i verës. Në dhjetor 2012 ai dorëzoi pasaportën franceze dhe më 3 janar 2013, në mënyrë ceremoniale, mori nga Presidenti V. Putin pasaportën ruse.

Politikanë dhe analistë të ndryshëm e cilësojnë këtë si një manovër për t’iu shmangur  tatimit shtesë prej 4 %, për të ardhurat që kapërcejnë 500 mijë euro në vit, vendosur në kuadrin e masave për të lehtësuar pasojat e krizës financiare. Ai mori nënshtetësinë ruse pasi aty “taksa e sheshtë” është 13%, katër herë më e ulët se masa e tatimit progresiv në Francë.

Sigurisht Depardje do të ketë pasur edhe interesa artistike, se po të ishte thjesht për tatim të ulët, ai mund të kishte zgjedhur Malin e Zi që e ka “taksën e sheshtë” 9 % apo Turkmenistanin, Kirkistanin, Maqedoninë, Mongolinë, Kazakistanin, B&H, Bullgarinë, pse jo edhe Shqipërinë, që e kanë 10% , ose 3 % më të ulët se Rusia.

– Le të fokusohemi në situatën brenda vendit: qëndron dallimi midis tatimit progresive, të zbatuar deri në fund të vitit 2007, me “taksën e sheshtë” të filluar nga 2008?

– Për të paraqitur dallimet midis dy sistemeve të ndryshme të tatimit kam përgatitur një tabelë me të dhëna që “flasin” vetë. Këtu kam marrë për analizë disa shifra fikse të ardhurash, duke shtuar edhe shumën prej 30 mijë lekë në muaj që është objekt i n nismës të fundit të z.Berisha, si dhe shumën prej 250 mijë lekë për të parë prirjen e “taksës së sheshtë”.

Të ardhurat e tatueshme

Tatimi sipas sistemeve:

Ndryshimi

Progresiv

I sheshtë

Në lekë

Në %

14.000

140

400

+260

286

30.000

940

2.000

+1.060

213

40.000

1.440

4.000

+2.560

278

90.000

6.440

9.000

+2.560

140

200.000

22.940

20.000

-2.940

87

250.000

32.940

25.000

-7.940

76

Nga këto të dhëna del se grupi i parë i të ardhurave prej 14 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv do të tatohej me 1% ose 140 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” 400 lekë.

Grupi i të ardhurave 30 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv do të tatohej 920 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” del 2 mijë lekë.

Grupi i të ardhurave 40 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv do të tatohej 1.440 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” 4 mijë lekë. Grupi i të ardhurave 90 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv do të tatohej 6.440 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” 9 mijë lekë.

Grupi i të ardhurave 200 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv do të tatohej 22.940 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” 20 mijë lekë. Grupi prej 250 mijë lekë në muaj, me sistemin progresiv tatohej 32.940 lekë, kurse me “taksën e sheshtë” tatohet 25 mijë lekë.

Pra, shprehur ndryshe, tatimi i “taksës së sheshtë” është rritur gati 2.9 herë kundrejt tatimit progresiv për grupin e parë prej 14 mijë lekë në muaj, 2.1 herë për të ardhurat 30 mijë lekë, rreth 2.8 herë për ato 40 mijë lekë, 1.4 herë për të ardhurat 90 mijë lekë. Por bije për të ardhurat 200 dhe 250 mijë lekë në muaj përkatësisht  13% dhe 24%.

Për grupin e parë “taksa e sheshtë” ka pësuar një rritje prej 1.9 %. Për grupin e dytë del 3.6 %, për grupin e tretë 6.7 % dhe për grupin e katërt 2.9 %. Kurse për grupin e pestë dhe të gjashtë ka rënie prej përkatësisht 1.5 % dhe 3.2 %.

Tatimi kundrejt të ardhurave gjithsej, në %

Progresiv

I sheshtë

+-

1.0

2.9

+1.9

3.1

6.7

+3.6

3.6

10.0

+6.7

7.1

10.0

+2.9

11.5

10.0

-1.5

13.2

10.0

-3.2

Përsa më lart, duke mbajtur parasysh se të ardhurat 30-90.000 lekë zënë pjesën më të madhe të pagave, mund të shprehemi se sistemi i “taksës së sheshtë” godet individët me të ardhura personale të ulëta dhe të mesme dhe favorizon individët me të ardhura të larta.

 –  Po përse z.Berisha bën një korrigjim të pjesshëm në sistemin e “taksës së sheshtë”, vetëm për të ardhurat deri në 30 mijë lekë në muaj, dhe jo në grupet e tjera?

– Si shumë të tjerë, edhe unë mbeta i befasuar nga kjo lëvizje e re e z.Berisha pasi nuk është tharë ende boja e miratimit të paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2013. Kjo masë nuk ka qenë e parashikuar as në Programin e Qeverisë (2009-13), as në Programin Buxhetor Afatmesëm (2012-14) dhe në dokumente të tjera.  Kjo qeveri programet i ka sa për formë dhe metoda e saj e punës është “sot për nesër”. Përndryshe këto ndryshime do të bëheshin në kohën e duhur, pa qenë nevoja për arnime të sistemit tatimor dhe buxhetit që në fillim të vitit.

Ky veprim duket befasues edhe për faktin se z.Berisha e ka mbrojtur “taksën e sheshtë” si të ishte “leva e Arkimedit” që e mban larg krizën nga trojet tona. Mirëpo, zhvendosja e rrezes së veprimit të “taksës së sheshtë” mbi nivelin e grupit me të ardhura të ulëta, madje më lart se para vitit 2007, përbën një hap të qartë progresiv, pasi synon të ngushtojë hendekun me të ardhurat e larta, të cilin opozita e konsideruar si  “vjedhje” në sinoret e majta.

Sipas z.Berisha, nga kjo ulje, në sektorin publik dhe në atë privat do të përfitojnë 215 mijë persona, pa dhënë ndonjë shifër konkrete për efektin financiar në buxhetin e shtetit. Por nuk është e vështirë të llogarisësh se shuma arrin në 5.160.000.000 lekë. Kjo shumë, nga pohimet e deritanishme, del se do t’i zbritet të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Ulja e tatimeve dhe taksave kur ke shumicën në Kuvend nuk përbën ndonjë problem të vështirë: i vështirë është sigurimi i neutralitetit të këtij veprimi, që të mos ulë të ardhurat, përndryshe përbën një veprim antiekonomik.

Pasojat e rrafshimit në zero të tatimit mbi të ardhurat e ulëta, pa u shoqëruar me masa kompensuese do të rrisin trysninë për keqësimin e mëtejshëm të treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, tashmë nën goditjet e forta të krizës ekonomike dhe financiare botërore. Efektet negative do të ndjehen zinxhir: në uljen e të ardhurave e të shpenzimeve, në rritjen e defiçitit buxhetor, borxhit publik, reduktimin e investimeve publike, punësimit, pagave, pensioneve, fuqisë blerëse etj. Institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, BB, etj, e përshkruajnë vitin 2013, një vit krize dhe shumë të vështirë jo vetëm përreth, por edhe për vendin tonë.

Prandaj qeveria Berisha duhet të hedhë edhe një hap tjetër progresiv për të siguruar më shumë të ardhura përmes kontributit të milionerëve, (edhe me lekë të “vjetra”) si kompensim për shpenzimet në përpjesëtime më të mëdha që shteti bën për shtimin e pasurisë së tyre.

Madje, do të sugjeroja që masa e këtij tatimi të mos bëhej jo 0% por 1 %, që çdo qytetar, edhe me më pak të ardhura, ta ndjejë veten taksapagues,që gradualisht të krijohet dhe të rrënjoset kultura e domosdoshmërisë të pagesës të detyrimeve shtetit.

Z.Berisha duket se ka zgjedhur të heqë tatimin për shumat e të ardhurave deri në 30 mijë lekë në muaj edhe për faktin këto, sipas analizave të studiuesve të pavarur, përbëjnë kufirin e varfërisë apo minimumin jetik  për dy persona, një në punë dhe tjetri fëmijë deri 14 vjeç. Dihet nga ana tjetër se shteti social shqiptar jep vetëm 1 mijë lekë në formën e ndihmës ekonomike! (Vetëm 40 milion USD në vit shpenzohen nga Buxheti i Shtetit për të “ndihmuar” 100 mijë familje dhe jo 160 milion sa i thanë qeveritarë të lartë z. M.Yunus, fitues i çmimit “Nobel” për paqen, para pak ditëve në vendin tonë). Pra, 30 mijë lekë përbëjnë kufirin e varfërisë për një punësuar dhe një fëmijë deri 14 vjeç, në kushte të shtrënguara financiare.

“Gojët e këqija” thonë se z.Berisha e ndërmarrë këtë nismë në përpjekje për të fituar vota në zgjedhjet e 23 qershorit. Mirëpo, në këtë rast, vështirë se mund të përfitohet ndonjë kapital politik, ose jo aq sa mund të pritet, pasi natyrshëm del pyetja: kush e ngriti masën e tatimit për këtë grup me të ardhura të ulëta, që tani, zoti Berisha, kërkon t’ua ulë?

Përgjigja dihet: është i njëjti kryeministër, e njëjta qeveri. Prandaj, do të ishte mire t’u kërkohet falje qindra mijë personave, sidomos punëtorëve të prodhimeve të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, (fasoneve), që u është cenuar edhe minimumi i jetesës.

Më në fund Qeveria Berisha të mos bëjë arnime por të largohet nga sistemi tatimor rrafshues dhe të rikthehet në sistemin progresiv, siç bënë kohët e fundit Rumania e Slovakia.

– Ju faleminderit!