Komisioni Evropian dhe Drejtoria e Doganave, Seminar Rajonal për Akcizën

770
Sigal

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, znj. Elisa Spiropali  mori pjesë dje në seminarin e akcizës, i cili organizohet nga Administrata Doganore Shqiptare në bashkëpunim me DG TAXUD (Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Bashkimit Doganor) me përfaqësues znj. Maria Pastor, Drejtore e Sektorit të Zgjerimit DGTAXUD dhe z. Karel De Greve, Specialist i Marrëdhënieve Ndërkombëtare DGTAXUD. Seminari me temë “Përafrimin e akcizave me acquis dhe praktikat e BE-së” duke përfshirë në përbërjen e tij vendet kandidate dhe vendet kandidate të mundshme, zhvillohet nga data 10 deri më 12 Dhjetor 2013. Qëllimi i këtij seminari është të hedhë themelet për harmonizimin e plotë të legjislacionit të akcizës me acquis dhe praktikat e BE-së si dhe të përforcojë bashkëpunimin rajonal në këtë fushë, veçanërisht në lidhje me masat kundër mashtrimit. Znj. Spiropali vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm midis Administratës Doganore Shqiptare dhe BE-së si dhe shprehu falenderimin në lidhje me asistencën e dhënë në mënyrë të vazhdueshme në fushën e akcizës dhe më gjerë. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave theksoi rëndësinë e seminarit edhe për shkak të forcimit të bashkëpunimit rajonal  dhe ngritjes së urave të komunikimit midis administratave të ndryshme doganore pjesëmarrëse. “Administrata Doganore që prej një viti ka nën administrim akcizën, në këtë kuadër ne kemi nevojë që specialistët tanë të absorbojnë dhe të praktikojnë metodat më efikase për shmangien e evazionit nga njëra anë, dhe lehtësimin e procedurave nga ana tjetër. Gjithashtu përmirësimi i teknologjisë në këtë fushë do të ulë rastet e evazionit fiskal dhe do të rrisë besueshmërinë e operatorëve ekonomikë. Është e rëndësishme të theksohet që administrata doganore përmes përmirësimit të komunikimit me bizneset dëshiron të jetë një aleat i besuar, por dhe një rregullator në përpjekjet për luftën kundër evazionit”- theksoi znj. Spiropali.