Deputet gjuq për milionat e dietave

596
Sigal

Skandali, deputetet e PS-së kërkojnë miliona, invalidët dhe shqiptarët vuajnë për bukën e gojës

 Dje, më datën 10 dhjetor 2013, deputetet Olta Xhacka, Valentina Leskaj dhe Shegushe Ligori, zhvilluan seancën gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë. Deputetet në fjalë kanë ngritur padi kundër Kuvendit të Shqipërisë me akuzën për shfrytëzim dhe ndryshim të aktit administrativ. Çështja është regjistruar në datën 06.05.2011 dhe pritet të zhvillohet seanca e 29-të. Ndërkohë që, është kthyer në një maratonë seancash, duket se deputetet nuk do të tërhiqen deri në një vendim të gjykatës. Vlera e paraqitur në kërkesën e palës paditëse është relativisht e madhe. Pala paditëse i ka kërkuar palës së paditur, Kuvendit të Shqipërisë, të paguaj të gjitha përfitimet financiare që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit si deputete në periudhën nga fillimi i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, shtator 2009 deri në janar 2010, gjithashtu për muajin shkurt (24.02.2010). ky status përfshinë dietat, karburanti dhe shërbimet telefonike që duhet të përfitojë çdo deputet. Deputetet kërkojnë tu jepen pagat, përkatësisht: Valentina Leskaj e Shegush Ligori shumën 1.186.276 lekë secila dhe për Olta Xhacka shumën 1.241.276 lekë. Sipas një përllogaritje të thjeshtë shuma në total e kërkuar është 3.613.828 lekë. Një nga arsyet se përse janë shtyrë seancat gjyqësore është mosparaqitja e Avokaturës së Shtetit, megjithëse ka dijeni për çështjen. Në seancat e zhvilluara është kërkuar gjithashtu dhe përjashtimi i trupit gjykues nga ana e palës paditëse me akuzë për njëanshmëri. Në seancën vijuese kjo kërkesë është tërhequr. Ndërkohë, gjatë zhvillimit të seancave, palës paditëse ju është kërkuar të paguajë detyrimin për pagesën e 3%. Meqenëse, për zgjidhjen e drejtë të çështjes kërkohen njohuri të posaçme në fushën e financë kontabilitetit është kërkuar prania e një eksperti në këtë fushë. Seanca e djeshme është shtyrë për shkak se është kërkuar një rillogaritje e shumave përkatëse.

BOX

Si mos të mjaftonte kostoja marramendëse e një deputeti në kurriz të taksapaguesve, dhe ndryshimet në ligj që parashikojnë të drejta të tjera për deputetët, duket rritur më tej shpenzimet në buxhetin për Kuvendin. Kësaj liste i është shtuar dhe kërkesa e deputeteve Valentina Leskaj, Shegushe Ligori dhe Olta Xhaçka, të cilat kërkojnë miliona lekë, ndërkohë që flitet për borxhin dhe kizën, dhe kur nuk ka lekë të paguhen personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikët, tetraplegjikët. Kërkohen miliona lekë kur pensionistët dhe shtresat në nevojë ende nuk kanë marrë pensionet dhe ndihmat ekonomike përkatëse, ndërsa deputetët i tërheqin ato çdo muaj. Çdo të ndodhte sikur të ishte e kundërta?! Këto lekë mund të përdoren për nevojat që kanë qendrat spitalore, për ilaçe, për sistemin e ngrohjes në shkolla, në konvikte etj. Është një turp i madh që teksa flasin për borxh dhe krizë, deputetët e PS-së kërkojnë pagesa ekstra për dieta dhe karburant, kur shqiptarët  vuajnë për bukën e gojës. Deputetet në fjalë duhet të tërheqin padinë e bërë, pasi kjo është një mungesë etike, respekti dhe serioziteti ndaj të gjitha shtresave në nevojë, të cilët nuk kërkojnë më shumë se një shumë minimale sa për mbijetesë, ndaj minatorëve që enden në protesta. Ndërkohë, sot në orën 12:15 pritet të zhvillohet seanca e 29-të dhe të jepet një vendim përfundimtar në lidhje me çështjen.