Kategorizimi i strukturave akomoduese: Certifikimi në dhjetor

127

Kategorizimi i strukturave akomoduese, Ministria: Certifikatë, brenda dhjetorit

Të gjithë struktura akomoduese në vend duhet që brenda këtij viti të aplikojnë për të përfituar certifikatën e kategorizimit. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sqaruar se kjo kërkesë vjen në zbatim të Urdhrit nr.267, datë 24.07.2019 “Mbi miratimin e rregullores për mënyrën, kriteret dhe procedurat e kategorizimit të strukturave akomoduese”, i ndryshuar, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i cili mundëson edhe fillimin e procedit të Kategorizimit të Strukturave Akomoduese. Ky proces që mbetej pezull prej vitesh edhe pse ligji bazë për sektorin e turizmit u miratua në vitin 2015.

 Afati për Aplikim, deri në fund të dhjetorit

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bëri me dije se çdo subjekt, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, është i detyruar të aplikojë pranë saj, për t’u pajisur me certifikatën e kategorizimit brenda datës 31.12.2019, për të përfituar shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese. Kjo shkallë e reduktuar është në nivelin 6 për qind dhe është një masë lehtësuese që po aplikohet tashmë prej dy vitesh dhe që synon bërjen sa më konkurrues të sektorit të turizmit në vend. Në sqarimin e bërë nga ministria kategoritë për të cilat do të aplikohet janë :  bujtinë, Fjetinë(Hostel), Kamping, Hotel, Motel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes (B&B).

Dokumentacioni i kërkuar për procesin e aplikimit

Në njoftimin e saj Ministria e Turzimit dhe Mjedisit sqaron se subjektet që do të aplikojnë për procedurën e kategorizimit duhet që të paraqesin edhe një seri dokumentesh ku së pari kërkesë sipas modelit që sanksionohet në rregulloren përkatëse. Së dyti formulari i vetdëklarimit, sipas modelit, shtojca 3, e rregullores për kategorizimin e strukturave akomoduese. Së treti akti i pronësisë ose përdorimit të strukturës. Së katërti vërtetim për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit si person fizik/juridik me objekt veprimtarie si strukturë akomoduese. Së pesti planimetri e strukturës akomoduese. Së gjashti vërtetimin që struktura plotëson kushtet për masat e mbrojtjes nga zjarri lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Së shtati vërtetimin që struktura plotëson kushtet higjeno-sanitare, lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Së teti foto të brendshme dhe të jashtme të objektit (me ngjyra). Së nënti vërtetim i gjendjes gjyqësore të pronarit/administratorit.

Procedura e kategorizimit të strukturave akomoduese i nënshtrohet tre fazave

Sipas rregullores së miratuar në korrik procedura e kategorizimit të strukturave akomoduese kalon nëpër disa faza. Kështu faza e parë përfshin procesin e vetdeklarimit të sipërmarrësit turistik, i cili konsiston në plotësimin e formularit të vetdeklarimit dhe dorëzimit të dokumentacionit shoqërues.

Faza e dytë përfshin procesin e shqyrtimit nga ana e Komisionit të Standardizimit të

Veprimtarive Turistike të dokumentacionit të dorëzuar nga sipërmarrësi turistik sipas përcaktimeve që bëhen në rregullore.

Faza e tretë përfshin verifikimin në terren, rast pas rasti, të të dhënave të vetdeklarimit

nga një grup pune ngritur me urdhër të Ministrit, nëse Komisioni i Standardizimit e

kërkon këtë proces.

Verifikimi në terren i strukturave 

Ministria ka lënë në dorën e sipërmarrësve që operojnë si strukturë akomoduese që të aplikojnë dhe të pajisen me certifikatën e kategorizimit. Gjithsesi në çdo rast rregullorja përcakton se do të ketë verifikime në terren.  Inspektorati përgjegjës për turizmin ka përgjegjësi të verifikojë çdo sipërmarrës turistik që ushtron veprimtari si strukturë akomoduese, nëse është apo jo i pajisur me certifikatë kategorizimi. Inspektorati përgjegjës për turizmin në rast të konstatimit të ushtrimit të veprimtarisë si strukturë akomoduese në mungesë të certifikatës së kategorizimit njofton ministrinë përgjegjëse për turizmin për të marrë masa sipas legjislacionit në fuqi për turizmin” thuhet në rregullore.