Instat: Industria, sektori kryesor në tregtinë e jashtme të mallrave

333
Sektori i industrisë është sektori kryesor në tregtinë e jashtme të mallrave. Sipas raportit të publikuar të premten nga Instituti i Statistikave, INSTAT, “Tregtia e Jashtme e mallrave sipas karakteristikave të ndërmarrjes, 2011- 2014”, vlerën më të madhe të eksporteve e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë (ku sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, përfshihen aktivitetet e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energji elektrike dhe ujë), ndërsa për importet, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë (ku përfshihen tregtia me pakicë, tregtia me shumicë dhe tregtia dhe riparimi i automjeteve) zënë pjesën më të madhe të vlerës së importeve.
Në vitin 2014, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë kanë zënë 83,0 % të vlerës së eksporteve, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me vitin 2011. Ndërkaq, ndërmarrjet në sektorin e tregtisë kanë zënë 54,9 % të vlerës së importeve, duke u rritur me 8,3 % krahasuar me vitin 2011.
Në 2014, ndërmarrjet e mëdha zënë 60,4 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zënë 84,3 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë. Në importe, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zënë 50,2 % të vlerës së importeve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë dhe 94,2 % të vlerës së importeve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë.