Ikja e “trrurit”, në Shqipëri po punësohen të pashkolluarit

614
Sigal

Fenomeni i emigracionit që ka “gllabëruar” vendin tonë përgjatë viteve të fundit, ku sipas INSTAT, në 7 vite janë larguar nga vendi rreth 320 mijë shqiptarë, po ndikon në tregun e punës. Kjo lidhet me faktin se një pjesë e mirë e të larguarve, përbëjnë pjesën e kulturuar e arsimuar të vendit, të ashtuquajturit “truri”, të cilët prej vështirësive në gjetjen e një vendi pune në Shqipëri, shoqëruar kjo edhe me pagat e ulta, kushtet e vështira apo mungesën e prespektivës, janë larguar drejt vendeve të Evropës, ku sigurisht cilësitë e tyre vlerësohen siç duhet. Pra, me largimin e “trurit” tregu i punës në Shqipëri ka mbetur i “varfër” për punonjës të mirëarsimuar, duke u detyruar që të punësohen qytetarë me kualifikime të ulta, apo të pashkolluar. Në analizat e punësimit për vitin 2018, rezulton se krahasuar me një vit më parë, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8 dhe 9 vjeçar me 2,4 përqind, dhe për personat me arsim të mesëm me 1,2 përqind. Ndërsa për personat me arsim të lartë, pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,3 përqind. Një tjetër fakt interesant është se gjatë 2018-s numri i personave që janë të papunë prej një kohe të gjatë është rritur me 2,6 përqind. Gjithashtu, referuar vitit të kaluar, vendet e reja të punës që u ofruan ishin për punë krahu dhe nivele të ulta pagash. Në fakt, një problem tjetër i tregut shqiptar të punës lidhet me pagat shumë të ulta, por edhe me vështirësinë e gjetjes së një punë për shkak se një pjesë e diplomave dhe kualifikimeve nuk përkojnë me kërkesat e tregut të punës. Kjo ka bërë që shumë të rinj në vendin tonë, t’i hedhin sytë diku jashtë Shqipërisë në kërkim të mundësive të punësimit. Një raport i publikuar disa ditë më parë, publikoi shifrat alaramante, se 84% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi.

Shkalla e papunësisë në vend dominohet nga arsimi i mesëm

Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor në vitin 2018, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm me 14,3 përqind, ndjekur nga ata me arsim të lartë me 14 përqind. Gjatë vitit të kaluar 59,5 përqind e popullsisë 15-64 vjeç ishte e punësuar, 8,7 përqind e papunë dhe 31,7 përqind ishtë ekonomikisht jo aktive.