Eurobond-i çon euron në nivelin më të ulët që nga 22 gushti

159

Monedha e përbashkët evropiane ka shënuar ditën e katërt me rënie në tregun vendas të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 125.6 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga 22 gushtit. Që prej fillimit të javës euro është zhvlerësuar me gati 0.7 pikë përkundrejt lekut. Aktorët kryesorë të tregut e argumentojnë këtë zhvlerësim të euro të ditëve të fundit si impakt psikologjik i emetimit të Eurobondit, ndërkohë që shtojnë se presin që të rritet likuiditeti në valutë në tregun e brendshëm. Kjo rënie e euros në tregun vendas, përveç si reflektim i dobësisë së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare, burime nga bankat e nivelit të dytë e shikojnë si reagim të tregut ndaj realizimit të Eurobondit, por jo vetëm. Sipas tyre shumë individë që kanë dashur të investojnë, kanë mbajtur një pozicion të hapur, dhe pas realizimit të Eurobondit, po kthejnë fondet e tyre në euro në monedhën vendase, apo po shikojnë alternativa të tjera investimi, siç është blerja e bonove të thesarit. Ekspertët shtojnë se mund të ketë një efekt të pritshëm në kursin e këmbimit nga emetimi i Eurobondit. Në rast se do të përdoret për të mbyllur detyrimet që janë në valutën vendase, mund të sjellë të njëjtin efekt si TAP në tregun vendas të këmbimit valutor. Euro ka nisur sërish që të zhvlerësohet në tregun vendas, pas një periudhe që u stabilizua në tregun vendas në nivelin e 126 lekëve pas ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë. Në fillim të muajit qershor Banka e Shqipërisë filloi ndërhyrje të jashtëzakonshme në tregun vendas të këmbimit për shkak të zhvlerësimit me shpejtësi të euros, duke tërhequr valutë nga tregu. Ekspertët shtojnë se me emetimin e Eurobondit, Banka e Shqipërisë nuk do të tërheqë më likuiditete në valutë nga tregu.