Embargoja ruse, Panariti: Nuk na pengon të dyfishojmë eksportin e perimeve

529
Ministria e Bujqësisë ka reaguar sot lidhur me embargon e Rusisë për prodhimet ushqimore të eksportuara nga Shqipëria. Sipas ministrit te Bujqësisë, Edmond Panariti, embargoja ka karakter politik dhe vjen si kundërpërgjigje ndaj vendeve Perëndimore, të cilat kanë vënë sanksione ndaj Rusisë për shkak të përfshirjes në krizën e Ukrainës.
“De fakto ndodhemi nën embargon ruse prej një viti. Arsyetimi ishte për të verifikuar autencitetin e vërtetimit të çertifikatave të produkteve, pasi kishte të dhëna që çertifikatat shqiptare përdoreshin, falsifikoheshin nga disa vende të tjera”, eshte shprehur ministri Panariti, ndersa thekson se, “Ne reaguam dhe vendosëm komunikim me autoritetet ruse, duke përmirësuar çertifikatat tona me elementë shtesë sigurie. U duk që nga masat e marra të ishim në pragun e hapjes së embargos dhe tashme njihemi me këtë vendim qartazi politik. Por, kjo nuk e pengoi bujqësinë të shënonte një bum eksportesh. S’na pengoi të dyfishojmë eksportet”, tha ai. Ministri i Bujqësisë tha se embargoja ruse nuk e dëmton aspak bujqësinë shqiptare. Sipas tij, Shqipëria po sheh mundësinë për të eksportuar më shumë drejt SHBA dhe Ukrainës.
“Absolutisht asnjë lloj ndikimi nuk ka pasur. Kemi 18 vende ku eksportojmë, nuk i kishim sytë tek Rusia. Në SHBA ne çojmë 70 per qind të sherbelës, po punojmë që për SHBA të rrisim sasinë e eksporteve. Jemi në tratativa edhe për vende të tjera. Në shtator do shkoj në Ukrainë, ku do nënshkruaj një kontratë për eksporte masive”, shtoi ai.
Kryeministri rus, Dimitri Medvedev, bëri dje të ditur vendosjen e Shqipërisë, Malit të Zi, Islandës, Lihtenshtejnit dhe Ukrainës, në listën e embargos së produkteve ushqimore.
Sigal