“Dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops), edhe në pikat kufitare tokësore dhe porte

912
Sigal

Ndryshon ligji “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”. Projektligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave kërkon të zgjerojë gamën e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops), duke parashikuar mundësinë e krijimit të këtyre dyqaneve edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare. “Zgjerimi i mundësisë për të pasur “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops) edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare, përveç atyre në aeroport/e, përputhet me nevojat e reja për ta zhvilluar këtë sektor, duke vlerësuar mundësinë e çeljes së aeroporteve të reja ose pikave të reja kufitare, detare, tokësore apo ajrore për qëllime turistike ose tregtare etj..” thuhet në relacionin e qeverisë.

Përparësitë e dyqaneve “duty free shops” në pikat kufitare dhe porte

– Blerjet që kryhen në territorin doganor të huaj mund të kryhen në territorin shqiptar. Kjo ndikon në mbajtjen e valutës së huaj në vend apo qarkullimin e monedhës brenda vendit, duke ndikuar në fuqinë e operatorëve ekonomikë që shërbejnë në pikat kufitare, si dhe ndihmon ekonomitë lokale;

– Rritet fuqia konkurruese e pikave kufitare, tokësore, aeroport/eve dhe porteve shqiptare në krahasim me aeroportet dhe portet europiane, ose ato fqinje, sipas rastit. Kjo mund të shoqërohet me kthimin e tyre në pika kyçe (hubs) për destinacione të tjera dhe qendra tërheqëse për turistë;

– Përforcohet faktori “turizëm”. Është vërtetuar se turizmi pëson një rritje të madhe në vende ku mund të blesh mallra pa taksa, sidomos nëse në këtë skemë përfshihen mallrat e luksit (orët, çantat, këpucët e markës etj.);

– Imazhi i vendit përafrohet me atë të vendeve të zhvilluara, pasi dyqanet “duty free shops” janë dëshmi e zhvillimit tregtar dhe standardeve që zbatohen në atë vend.

– Autorizimi i dyqaneve “duty free shops” në pika të ndryshme kufitare, tokësore, detare dhe ajrore shmang monopolizimin e këtij lloj shërbimi, rrit konkurrueshmërinë dhe interesin e operatorëve që do t’u jepte kjo e drejtë për të zbatuar standarde të larta, nxit transparencën dhe krijon mundësinë e tërheqjes në Shqipëri të investitorëve të huaj seriozë, me përvojë dhe me reputacion në këtë fushë;

– Në rastin kur “duty free shops” mund të vendosen në dalje të pikës kufitare, përpara hyrjes në territorin shqiptar, avantazhet janë edhe më të mëdha, lidhur me praktikat e kontrollit të pikave kufitare, në rastin kur mund t’i blesh mallrat pa taksa në dalje. Mallrat e blera në mbërritje nuk do të kenë nevojë të kontrollohen nga strukturat e kontrollit të pikave kufitare;

– Krijohen vende të reja pune;

– Rriten të ardhurat e aeroporteve dhe të porteve. Një pjesë e këtyre të ardhurave do të investohen për përmirësimin e infrastrukturës të tyre;

– Çmimi i mallrave në dyqanet “duty free shops” do të përfshijë një normë fitimi për shitësin dhe, normalisht, çmimi i këtij malli do të jetë më i ulët se në rastin e shitjes së tij në një dyqan jo “duty free shops”;

– Rriten të ardhurat nga tatim-fitimi për shkak të rritjes së volumit të shitjeve, rritje e cila synohet edhe duke krijuar kushtet e afrimit të investitorëve të huaj seriozë, si kusht paraprak për zhvillimin e këtij tregu.

Projektligji, ndryshimi i propozuar

Neni 1

Pika 4, e nenit 199, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Ministri i Financave mund të autorizojë hapjen e “Duty free shops”, (dyqane të çliruara nga taksat) në porte, aeroporte dhe pikat kufitare tokësore që ndodhen në zonën doganore të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, për shitjen e produkteve me përjashtim nga detyrimet e importit. Formalitetet dhe procedurat që ndiqen në këto raste përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.