Buxheti, Cani: Ulja e borxhit publik e defiçitit buxhetor, objektiv kryesor

734
Sigal

Ulja e borxhit publik dhe defiçitit buxhetor është objektiv kryesor i ministrisë së Financave për vitin 2015. Borxhi publik aktualisht është në nivelin 71 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, deklaroi ministri Shkelqim Cani.

Duke raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Cani tha se defiçiti buxhetor për vitin 2015 parashikohet të ulet në nivelin 4.0% të PBB nga 6.6% e PBB që ishte planifikuar në buxhetin 2014. Financimi i tij, vuri në dukje ai, do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB.

Për rrjedhojë, tha Cani, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB. Për vitin 2015 dhe në vijim, sipas Canit, objektivi kryesor i menaxhimit të borxhit publik është përmirësimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë së borxhit duke synuar sigurimin e huamarrjes së re nëpërmjet instrumentave afatgjatë dhe ripërsëritjen e instrumentave ekzistues. 

Ministri u shpreh se Shqipëria ka pritshmëri për konsolidim më të larte , kemi program ambicioz reformash, ndaj jemi stabël dhe kemi mbështjetjen e FMN-së.

“Zbatimi me sukses i kësaj strategjie garanton rritjen e jetëgjatësisë së borxhit, duke thelluar raportin midis instrumentave afatgjatë dhe afatshkurtër deri në 58% me 42% në fund të vitit 2016, duke ulur kësisoj ndjeshëm riskun e ri-finacimit dhe riskun e normave të interesit. Në të njëjtën kohë synohet edhe ruajtja e balancës midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve. Realizimi i objektivave të mësipërme, sipas kreut të financave publike, synon rritjen e jetëgjatësisë së portofolit të borxhit të brendshëm“, tha Cani.

Në këtë kuadër, i një rëndësie të veçantë është edhe rifinancimi i Eurobond-it të emetuar në vitin 2010, nëpërmjet daljes dhe shfrytëzimit të oportuniteteve në tregun ndërkombëtar të instrumentave financiare. Emetimi i këtij instrumenti nuk ndikon përsa i përket nivelit të stokut të borxhit, por emetimi me sukses do të ishte një garanci më shumë përsa i përket përmirësimit të strukturës së borxhit dhe në të njëjtën kohë ri-afirmimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Ministria e Financave ka vlerësuar prej një kohë te gjatë dhe ka qënë në mënyrë të vazhdueshme në komunikim me tregun dhe pjesëmarrësit e tij, duke synuar përgatitjen dhe njohjen e tregut në avancë, për t’i shërbyer një rezultati pozitiv në emetimin e Eurobondit dhe kredencialeve të vendit”, sqaroi Cani.

Përsa i përket mbajtësve të borxhit për vitin 2015, sipas Canit, pritshmëritë janë pozitive në kuadër të diversifikimit të portofolit të borxhit. Gjatë vitit të ardhshmëm pritet një rënie në stokun e borxhit të mbajtur nga bankat kryesore dhe një rishpërndarje e kësaj peshe tek institucionet e tjera bankare dhe jo bankare.

Gjatë vitit 2015 pritet që të ketë një rritje të normave të interesit për instrumentat financiare shtetërore. Rritje më të lartë pritet që të ketë në segmentin e instrumentave afatgjata, për shkak të ristrukturimit të portofolit të investitorëve (kryesisht sektori bankar) dhe orientimit drejt instrumentave afatshkurtra, në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj riskut dhe direktivave nga bankat mëma.

Gjithashtu edhe huazimi në monedhën Euro pritet që të shtrenjtohet’, pasi parashikimet flasin për një rritje të Euribor-it gjatë vitit 2015. Për sa më sipër dhe për shkak të shtesës në stok, shërbimi i borxhit gjatë vitit të ardhshëm pritet që të jetë më i lartë krahasuar me vitin aktual.

Lidhur me tregun e jashtëm, huamarrja e huaj do të bazohet në financimet e pritshme të projekteve ekzistuese, si edhe të projekteve të reja për të cilat Qeveria është angazhuar me kreditorët. Gjithashtu, financimi i huaj pritet të plotësohet nga financimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, sipas marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Është duke u vlerësuar edhe mundësia që gjatë vitit 2015 të emetohet dhe një intrument i ri (Policy Based Guarantee) nga Banka Botërore me qëllim uljen e financimit të brendshëm. Ky instrument i kombinuar me politikat e Qeverisë për shlyerjen 100% të detyrimeve të prapambetura, të cilat përmirësojnë nivelin e kredive problematike (NPL) do të krijonte kushte të favorshme për kreditimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të biznesit shqiptar.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe garancive të brendshme për sektorët e vlerësuar si prioritarë (sektori i energjisë), të cilat pritet që të rriten në 15.5 miliardë lek gjatë vitit 2015. Ministria e Finanacave, është duke punuar gjithashtu për të përmirësuar kuadrin ligjor lidhur me rritjen e fleksibilitetit të huamarrjes me instrumenta financiare me qëllim që shtetit shqiptar ti jepet një qasje në tregjet financiare ndërkombëtare duke synuar në uljen e kostos së huamarrjes shtetërore.