Banka e Shqipërisë, arsyet e mungesës së një rritjeje ekonomike, i shikon dhe i adreson tek qytetarët dhe biznesi

788
Sigal

FORUM/ Politikat monetare të Bankës Qendrore. Elona Shahini dhe dr. Alqi Naqellari

Si ka qenë politika monetare e  Bankës Qendrore? Çfarë tregon ulja e interesit në Bankën Qendrore?

 A janë të sigurta lekët e popullit në bankat e nivelit të dytë? Sa ndikon ulja e interesit së bankës Qendrore në 2.75% në bankat e nivelit të dytë?  A është e justifikueshme rroga e lartë e Guvernatorit të Bankës Qendrore?  Çfarë ka ndodhur në këto dy vite? Ka ndryshuar sjellja e konsumatorit në raportin shpenzim-kursim në favor të kursimit apo e kundërta?  Përse nuk konsumon shqiptari, se do të kursejë, apo se nuk ka para? Diskutohet se kështu me këto veprime BSH nuk ka stimuluar depozitat dhe kreditë në lekë por ka stimuluar rënien e kostove të Bonove të Thesarit dhe valutën e huaj. Këto janë problemet që do diskutojmë në këtë forum…

 Elona Shahini /  DËSHTIMI I POLITIKAVE MONETARE  TË BANKËS QËNDRORE

Banka e Shqipërisë në mbledhjen e saj të datës 26.02.2014 vendosi të uli normën bazë të interesit me 0.25 pikë duke e çuar atë në 2.75%. Kjo sepse sipas Këshillit Mbikëqyrës, “rritja e stimulit monetar krijon kushtet e përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe ankorimit të pritjeve inflacioniste”.

Me këtë argument Këshilli i Mbikëqyrjes vendosi të ulë normën e interesit të REPO-ve. Pra BSH, synon të arrijë dhe ruajë objektivin kryesor të tij “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve” dhe këtë do ta bëjë nëpërmjet stimulimit të kërkesës agregate. Do të aplikohet kjo politikë ekspansioniste monetare sepse norma e inflacionit është nën kufirin e poshtëm të parashikuar nga BSH ±1% ndaj 3%. Në muajin janar inflacioni ka qenë vetëm 1.7%. Një normë tepër e ulët në një ekonomi si kjo e Shqipërisë që është në zhvillim dhe që normalisht duhej ta kishte këtë normë mbi 3%, për të pasur ritme rritjeje të kënaqshme. Një shembull të tillë e ka ekonomia Turke që  mban normë të lartë inflacioni në funksion të një ritmi të lartë të rritjes ekonomike. Turqia është vendi i vetëm europian që në disa vite rresht ka normën më të lartë të rritjes ekonomike në botë. Politika e uljes së normës bazë të interesit ka filluar që nga viti 2008, vit në të cilën kjo normë ka qenë 6.25%. Sot ajo bëhet 2.75% ose është ulur me 2.27 herë. BSH nëpërmjet këtij veprimi synon të rrisë kërkesën agregate nëpërmjet dy rrugëve, e para që këtë veprim ta vazhdojnë ta aplikojnë Bankat Tregtare duke ulur normat e kredive në lekë, dhe e dyta të ulet kostoja e instrumenteve të borxhit të qeverisë siç janë Bonot e Thesarit.

Bankat e nivelit të dytë nuk kanë reaguar shumë në uljen e normës së kredive në lekë pavarësisht se që nga 2008 NBI është ulur 227%, normat e kredive 12 mujore në lekë janë ulur nga 11.75% (2008) në 8.75% (2013,X) ose janë ulur me vetëm 34.2%. Po ta analizojmë fare thjeshtë, kuptojmë që ritmi i rënies së normës së kredive nuk është i njëjtë me ritmet e uljes së NBI-së. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me normën e depozitave. Në 2008 i kishim me 6.93% ndërsa në 2013(x) janë vetëm 2.95% ose kanë rënë  me mbi 230%, afërsisht sa rënia e normës së NBI-së, pra, në këtë rast ritmi i rënies së normës së depozitave është më i madh se ritmi i rënies së NBI-së. Këto diferenca të dukshme në ritmin e rënies së normave të interesit për kreditë dhe për depozitat, çon në kufizimin e mundësisë që kanë agjentët ekonomikë për të kursyer dhe për të investuar.

Çfarë tregojnë këto shifra? Këto tregojnë që norma e depozitave e ka shoqëruar normën e NBI-ve ndërsa norma e kredive nuk e ka shoqëruar atë. Ky mos shoqërim ka krijuar një diferencë të madhe midis normave të interesit të kredive dhe të depozitave, nga 4.82 në 5.77. Ky veprim i ka bërë jo atraktive depozitat në lekë dhe ka stimuluar ato në valutë ndërsa të njëjtën pasojë ka sjellë edhe te kreditë në lekë nga mos ulja e normës së interesit. Në depozita sepse është ulur shumë norma e interesit të ofruar dhe në kredi sepse është ulur shumë pak kostoja e marrjes borxh. Kështu me këto veprime BSH nuk ka stimuluar depozitat dhe kreditë në lekë, por ka stimuluar rënien e kostove të Bonove të Thesarit dhe valutën e huaj.

Me këto të dhëna ne treguam se Bankat Tregtare nuk ndikohen fare nga politikat e Bankës së Shqipërisë, por ato aplikojnë politikat e tyre të mbështetura në Strategjitë e tyre afatmesme dhe afatgjata.

Indiferencën e tyre ndaj Bankës së Shqipërisë ato e kanë shprehur hapur pikërisht në qëndrimin e mësipërm ku e ilustruam edhe me të dhënat përkatëse. Por nuk kemi vetëm këto shifra sepse kemi edhe vëllimin dhe strukturën e depozitave dhe të kredive ku gjithnjë e më shumë valuta po e sfidon lekun shqiptar si në depozita ashtu edhe në kredi.

Momenti më domethënës që tregon dështimin e politikave të Bankës së Shqipërisë ishte ai i qëndrimit të Guvernatorit ndaj Bankave Tregtare. Guvernatori iu kërkoi këtyre bankave të vijojnë politikat zgjeruese monetare duke ulur normën e kredive dhe duke rritur vëllimin e kredive të dhëna në lekë.

Ky veprim tregoi qartë edhe njëherë dështimin e politikave monetare të Bankës së Shqipërisë. Se çfarë do bëjnë bankat tregtare këtë nuk mund ta përcaktojë guvernatori por e përcaktojnë politikat e tyre. Do ta përcaktonte Banka Qendrore nëse do të kishim një bankë tregtare me kapital tërësisht shtetëror dhe kjo do të varej pikërisht nga BSH duke mbështetur plotësisht politikat e saj. Mungesa e një banke të tillë i ka hequr kësaj banke një mundësi reale për të ndikuar në tregun monetar nëpërmjet politikave të saj monetare.

Banka e Shqipërisë, arsyet e mungesës së një rritje ekonomike, për shkak të frenimit të kërkesës agregate i shikon dhe i adreson tek qytetarët dhe tek biznesi, ndërsa rritjen e saj simbolike e shikon në rritjen e kërkesës së huaj për mallrat shqiptare. Të tre këto argumente për gjykimin tim nuk qëndrojnë. Konkretisht Guvernatori thekson: “Ekonomia shqiptare shfaqi shenja të qarta ngadalësimi gjatë vitit 2013. Rritja ekonomike e këtij viti gjeti mbështetje në kërkesën e huaj dhe në stimulin fiskal, ndërkohë që konsumi dhe investimet private vlerësohen të jenë tkurrur. Besimi i ulët i biznesit dhe i konsumatorit, plogështia e tregut të punës dhe kushtet e shtrënguara të financimit vazhdojnë të shkaktojnë dobësinë e kërkesës private”, dhe më tej: “Të ardhurat e disponuara vlerësohen të kenë shënuar rritje dhe bilancet e konsumatorit paraqiten likuide, por ai heziton të rrisë konsumin dhe shfaqet më i interesuar drejt kursimit. Nga ana tjetër, mungesa e kërkesës finale dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara frenojnë investimet private”.

Në këto citime shihet qartë se kujt i adresohet Guvernatori. Konsumatori shqiptar hezitoka të shpenzojë për konsum dhe dashka të kursejë, po kështu edhe biznesi punon duke mos i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij. Kjo logjikë nuk është e saktë. Konsumatori shqiptar nuk konsumon se nuk ka para. Nuk po kursen se edhe kursimet edhe kreditë kanë ardhur në rënie. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për biznesin, nuk është e vërtetë që biznesmenët të mos jenë të interesuar të shfrytëzojnë plotësisht faktorët ekonomik, por ata janë në një situatë të nderë, ku në njërin krah u ka borxh qeveria dhe në krahun tjetër u kanë borxh qytetarët.

Si mund të thuhet se nuk duan qytetarët të konsumojnë por duan të kursejnë kur norma e papunësisë nuk ka ndryshuar, përkundrazi është  rritur. Si mund të thuhet që është rritur punëzënia kur një shifër qesharake jepet pikërisht prej BSH në Raportet Statistikore të saj për numrin fizik të të papunëve, i cili që nga 2009 ka mbetur 142 mijë? Me normën e papunësisë është luajtur me tregues të tjerë për të mos e dhënë të saktë sepse ajo që nga 2009, po të bësh një analizë të hollësishme ka ardhur në rritje dhe jo në rënie ashtu siç trumbetohet si arritje. Ky tregues në grupin e treguesve makroekonomikë është më i pa sakti. Kërkesa e huaj shihet si një faktor që ka ndikuar në rritjen ekonomike. Unë dua të them se nuk është e vërtetë se është rritur kërkesa e huaj për mallra shqiptarë, por biznesmenët kanë hequr stoqet e mallrave të stokuara për vite të tëra në fushat e mineraleve. Kërkesa e huaj nuk ka ndryshuar ndaj Shqipërisë dhe nuk ka pasur asnjë rënie të saj për llogari të recesionit global, kjo sepse eksportet shqiptare ndaj këtyre vendeve janë të papërfillshme në krahasim me importet e tyre. Kështu nëse marrim vetëm ekonominë Italiane shikojmë në vija të trasha se eksportet shqiptare ndaj saj janë sa 1/500 e importeve. Kështu për çfarë kërkese të rritur të huaj flitet? Ekonomia shqiptare është një ekonomi “mizë” që nuk ndikon as në ekonominë malazeze, kosovare apo maqedonase sepse ato i kanë lidhjet e tyre me ish Republikat Jugosllave.

Vlerësohen efektet e politikave fiskale duke servirur edhe të dhëna përkatëse mbi masën e ndikimit të saj në nivelin e inflacionit. “Politika fiskale ka vepruar në kahun lehtësues gjatë vitit 2013, duke dhënë një impuls prej 1.3 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike. Stimuli fiskal është reflektuar si në rritjen e shpenzimeve ashtu edhe në rënien e të ardhurave fiskale. Kështu, shpenzimet buxhetore shënuan një rritje vjetore prej rreth 4.7%, ndërsa të ardhurat fiskale ranë me 0.5% gjatë vitit 2013”.

Kush e ka llogaritur që politikat fiskale paskan ndikuar  me 1.3% në rritjen ekonomike? Këtu problemi shtrohet të përcaktohet dega ku është shënuar rritja, të përcaktohen faktorët që e kanë stimuluar këtë rritje, sepse politika fiskale në kushtet kur shteti i ka biznesit mbi 300 milionë euro borxh politikat fiskale nuk kanë ndikuar në rritje ekonomike por, përkundrazi kanë ndikuar në frenimin e saj.

Guvernatori në këtë mbledhje ka theksuar se, “ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale”. Kjo do të thotë se politikat e BSH i janë përshtatur ecurisë ekonomike. Kjo do të thotë se rritja ekonomike është shoqëruar me rritjen e treguesve monetarë. Në fakt nuk është kështu sepse edhe disa prej këtyre treguesve kanë ardhur në rënie ose rritja e tyre është aq e vogël sa nuk mund të ketë ndonjë farë ndikimi në rritjen e ekonomisë. Trajtimi i këtij problem meriton një shkrim më vete.

 _*************************************

 Dr. Alqi NAQELLARI/ SHASHKAT E BANKËS SË SHQIPËRISË

Me trumbetim të madh Guvernatori Fullani deklaroi se, NBI (norma bazë e interesit) nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës Qendrore u ul në 2.75%. U quajt si një arritje historike, dhe se ky veprim është bërë për të stimuluar kërkesën, dhe nëpërmjet saj të stimulohet oferta agregate në mënyrë që ekonomia shqiptare të fillojë ngritjen e saj. Ky veprim nuk do ndikojë fare në rritjen e normës së inflacionit dhe në rritjen e ofertës monetare sepse Banka Qendrore ka humbur fushën e veprimit të saj. Leku shqiptar nuk është më në qendër të vëmendjes së tregut monetar. Kjo sepse vetëm 35% e kredive janë dhënë në lekë për biznesin ndërsa 65% janë dhënë në euro.  Veprimi i Bankës së Shqipërisë është një veprim në interes vetëm të Qeverisë shqiptare dhe aspak të biznesit dhe të rritjes së ekonomisë së Shqipërisë. Arsyeja është sepse të gjitha veprimet për ulje të kësaj norme janë shoqëruar jo me efektet e pritshme, por përkundrazi janë shoqëruar me efekte të kundërta. Kjo gjë ka bërë që në Shqipëri të mos funksionojë asnjë ligj i ekonomisë kapitaliste.  Kështu kur një Bankë Qendrore ul normën bazë të interesit, veprimi i saj, duhet të shoqërohet prej Bankave Tregtare të nivelit të dytë me te njëjtën tendencë. Në fakt realiteti ka provuar krejt të kundërtën. Kur Banka e Shqipërisë k ulur NBI-në Bankat Tregtare kanë rritur normën e interesit të kredive dhe kanë ulur normën e interesit të depozitave duke rritur korsën e tyre. Kjo është bërë me paramendim duke u bazuar në dy pika. E para, sepse ekzistojnë edhe dy monedha që kanë statusin e parasë zyrtare dhe e dyta, sepse Bankat Tregtare kanë stok leku të gatshme për ta vendosur në dispozicion të Qeverisë. Kështu Bankat Tregëtare që thuajse janë plotësisht me kapital të huaj shikojnë politikat dhe strategjitë e tyre afatmesme dhe afatgjata dhe nuk preken fare nga veprimet qe bën Banka Qendrore e Shqipërisë. Momentalisht në qarkullim kemi tre monedha, lekun, euron dhe dollarin. NBI-ja e lekut varet nga Banka Qendrore e Shqipërisë që së fundi e çoj në 2.75%, ndërsa euro nga BQE që ka nja 5 vite që e ka 0.5%. Sa i  përket dollarit mund të ketë shkuar drejt zeros. Në këto kushte leku shqiptar përball këtyre monedhave të huaja është plotësisht i diskriminuar. Nuk mund të krahasohet një normë interesi 2.75% me një normë tjetër të euros me 0.5%. Kështu që veprimi që bëri Banka Qendrore e Shqipërisë është një veprim propagandistik, më së shumti për të joshur depozituesit shqiptarë sesa për ti dhënë një frymëmarrje biznesit. Ky veprim do risi ofertën dhe me tej do ndikoje ne rënien e normës së interesit të bonove të thesarit. Shqipëria, sot nuk është se ka një model të keq ekonomik, por Shqipëria ka gjithçka të ndërtuar në interes të kundërt të konsumatorit shqiptar. Shqipëria ka ndërtuar keq modelin financiar sepse është bazuar në sistemin Bankë-Bursë dhe jo në Bursë-Bankë siç e ka Perëndimi. Shqipëria ka kaluar në një privatizim total, të gjithçkaje si të pronës ashtu edhe të vetë sistemit financiar. Këto veprime nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës por vetëm në Shqipëri. Ekstremet e kalimit nga një ekonomi plotësisht e shoqërizuar në një ekonomi plotësisht të privatizuar do të rëndojnë në kurriz të popullit shqiptar, ashtu sikundër janë duke rënduar.

Sot në Shqipëri, ashtu sikundër  e kemi theksuar në Gazetën Telegraf duhet një përmbysje e modelit ekonomik e financiar dhe jo një përmbysje të modelit të organizimit dhe të drejtimit të punës.

Përfundimisht veprimi i Bankës Qendrore të Shqipërisë nuk do të ketë asnjë efekt në rritjen ekonomike por efekti i vetëm i saj do jetë në uljen e normës së interesit të instrumenteve të borxhit, të Bonove të Thesarit.