Angjelina Goca/Letrat me vlerë, cili është mashtrimi i radhës?

795
Sigal

Në mbledhjen e datës 10.04.2013 të qeverisë dëgjuam kryeministrin të thoshte: “Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti ministër i financave dhe i ekonomisë. Në mbledhjen e ardhshme duhet të përgatisim vendimin apo ndërhyrjen në ligj të dyfishimit të përdorimit të letrave me vlera. Aty ku janë 20, do të bëhen 40, aty ku janë 30 do të bëhen 60. Zoti ministër i financave, duhet që vendimi të vijë në qeveri për të shtyrë afatin e përdorimit të tyre edhe gjysmën e parë të mandatit të ri. E kam theksuar dhe e theksoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë në të vërtetë letër me vlerë, detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve, detyrim ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht.

Bukur, shumë bukur, po sa herë të tjera ka premtuar, çfarë ka folur kryeministri dhe çfarë ka bërë konkretisht le ta shikojmë me kronologji që kur ka ardhur në pushtet. Në vitin 2005 Partia Demokratike shpalli platformën e saj elektorale ku thoshte se: “…do te ndezim motorët e rritjes së shpejtë ekonomike nëpërmjet Privatizimit të plotë dhe të shpejtë të ndërmarrjeve të mëdha duke përdorur dhe Letrat me Vlerë. Po në këtë vit më 26 Tetor me shkresën Nr.2732 Kryeministri i përgjigjej Avokatit të Popullit: “Dëshiroj t’ju falënderoj për letrën tuaj lidhur me shqetësimin e ngritur nga institucioni juaj për përdorimin e Letrave me Vlerë dhe bonove të privatizimit. Qeveria që unë drejtoj e ka përfshirë këtë çështje në rendin e problemeve për tu adresuar”. Në fillim të vitit 2008 Kryeministri u prononcua për here te parë publikisht në TVSH se: “METE ka marre porosi të qarta për përdorimin e Letrave me Vlerë në Privatizim sipas një “SKEME TE RE…”. Po këtë vit në nëntor në faqen e internetit të qeverisë shkruhej: “Qeveria do të vendosë futjen në përdorim të letrave me vlerë… Por kjo e fundit mund të përdoret për të blerë asete në një proporcion të përshtatshëm të vlerës së saj”. Në dhjetor të 2008-ës Kryeministri Berisha tha  “Qeveria i konsideron letrat me vlerë të vlefshme dhe të paskaduara”. Kryeministri në qershor 2009 në mitingun elektoral të Elbasanit qytetarëve u bëri thirrjen: “Hidhuni në tregun e letrave me vlerë”.

Në qershor 2009 Kryeministri në Paskuqan: “Para dy ditësh vendosa të hap tregun e letrave me vlerë. Hapja e tregut të letrave me vlerë është interesi i 800 mijë shqiptarëve”. Kryeministri në Kuvend mars 2010 foli, ndër të tjera, për letrat me vlerë dhe përdorimin e tyre që: “Ligji për përdorimin e letrave me vlerë është plotësisht në fuqi dhe vlera e tyre në total është përllogaritur 820 milionë dollarë, duke bërë të mundur që tregu i letrave me vlerë të jetë disa here më i madh sesa tregu i paracaktuar ne kohën e emetimit. Ministria e Financave do të marre të gjitha masat për të mundësuar përdorimin e gjerë të letrave me vlerë prej atyre qe i zotërojnë”. Përveç kryeministrit janë prononcuar edhe zotërinjtë Bode, Alibali, Guxholli, Xhepa, etj., se gjoja ky proces do të përfundonte me kohë, por ja që deri tani nuk është bërë asgjë.

Disa konkluzione që dalin nga të gjitha këto janë:

1-Qeveria shqiptare ka 20 vjet që mashtron popullin duke premtuar që do i aktivizojë Letrat me Vlerë dhe nuk e mban fjalën por gënjen.

2-Qeveria shqiptare nuk zbaton qëllimin për të cilën i ka emetuar këto Letra me Vlerë, që është privatizimi me anën e tyre, por e ka kufizuar kryesisht në pagesën për legalizimin e ndërtimeve informale. Por dhe këto pagesa janë shumë të kufizuara për arsye se procesi i legalizimeve është shumë i ngadaltë mbasi nëpunësit e agjencisë së legalizimeve kërkojnë bakshish (ryshfet) për çdo legalizim.

3-Qeveria shqiptare nuk zbaton ligjet dhe vendimet e saj në fuqi, siç janë:

-Ligji Nr.8306 datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, në nenin 8 thuhet: “Pjesëmarrja me letra me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohet në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të kontabilizuar. Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve dhe të drejtat që rrjedhin prej tyre, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave”. Formula e privatizimeve përmban paketë aksionesh për publikun por qeveria në çdo privatizim e ka “harruar” PAKETËN E AKSIONEVE PËR PUBLIKUN.

 -Vendim Nr.119, datë 18.3.2000 i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e privatizimit me ankand të paketave Shtetërore të aksioneve të shoqërive tregtare, që veprojnë në sektorët jostrategjikë”.

Edhe në këtë vendim në pikën B përcaktohet: “B. Paketa e aksioneve për publikun”. 1. Shitja e paketës së aksioneve për publikun kryhet me ankand, me bono privatizimi dhe lekë privatizimi.

Në pikën “D” formula e privatizimit përcaktohet: “2. Në përfundim të llogaritjeve Agjencia Kombëtare e Privatizimit nxjerr:

-rezultatin e kërkesës për aksione të shoqërisë për secilin punonjës dhe për çdo anëtar të

familjes së tyre, në këmbim të bonove të privatizimit”. Edhe këto kërkesa janë “harruar” në të gjitha privatizimet e fundit si në CEZ, ARMO, ALBPETROL, etj. etj.

 – Vendim Nr.804, datë 22.07.2009 i Këshillit të Ministrave: “Për përcaktimin e çmimit të trojeve, në zonat industriale, ku ushtrohen veprimtari ekonomiko-industriale, në objektet e ndërtuara mbi këto troje” përcaktohet se: “Në rast privatizimi të këtyre trojeve, pagesa do të bëhet 50 për qind në lekë dhe 50 për qind me lekë privatizimi, letra me vlerë apo bono privatizimi”. Kjo kërkesë nuk është zbatuar asnjëherë.

 – Ligji Nr.10 270, datë 22.4.2010 “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, në nenin 8 të tij thuhet: “2. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit, i cili kërkohet të privatizohet, bëhet me shkrim, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 për qind të vlerës dhe 20 për qind të vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi”. Kësaj dispozite i është shtyrë afati dhe përsëri nuk zbatohet.

 – Ligji Nr.10 198, datë 10.12.2009 “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”. Me këtë ligj qeveria ka bërë një spekulim galopant ndaj rreth 47 000 qytetarëve shqiptare që kishin depozituar Letrat me Vlerë në Fondin e Investimeve ANGLOADRIATICA dhe qeveria në vend të zbatonte pikën 1 të nenit 137, zbatoi pikën 4 të këtij neni.

“Neni 137. Dispozita kalimtare:
1. Personat juridikë, të krijuar sipas ligjit nr.7979, datë 26.7.1995 “Për fondet e investimit”, brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet t’i paraqesin AMF-së një aplikim për rilicencim, një deklaratë të hollësishme për numrin e investitorëve të përfshirë, një deklaratë për administrimin, marrëveshjet më të rëndësishme, një deklaratë për investimet e kryera, vlerat e tyre përkatëse, objektivat e investimit dhe informacione të tjera, që mund të kërkojë AMF-ja.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit, të krijuara me ligjin nr.7979, datë 26.7.1995 “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes.)

4-Disa herë qeveria ka premtuar për ta bërë efektive Bursën e Kapitaleve në Shqipëri dhe megjithëse kjo ka qenë edhe kërkesë e Bankës Botërorë dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë dërguar edhe specialist hungarezë, përsëri kjo Bursë është inekzistente sepse vetëm në privatizimet nëpërmjet kësaj Burse ku mund të tregtohen edhe Bonot e Privatizimit, nuk mund të vjedhin e spekulojnë nëpunësit e pushtetarët. Shqipëria është i vetmi shtet në rajon ku nuk funksionon kjo bursë.

5-Qeveria ka menduar që Letrat me Vlerë të qytetarëve t’i ezaurojë vetëm nëpërmjet pagesës së legalizimeve të ndërtimeve informale, por ky proces ka që në vitin 2006 dhe akoma është në fazën fillestare të tij, sepse pushtetarët dhe nëpunësit e agjencisë përkatëse nuk janë të interesuar të bëjnë legalizime pa marre ryshfet prej qytetarëve të interesuar.

6- Kryeministri Berisha ka bërë shumë premtime në prag të çdo fushate elektorale, por asnjëherë nuk i ka realizuar ato. Në këtë mënyrë premtoi dhe në mbledhjen e qeverisë më datën 10 mars 2013. Qytetarët shqiptarë edhe këtë e quajnë gënjeshtër të radhës te tij. Shpresojmë që të mos jetë e tillë.

 Mbetet për të parë se çfarë vendimesh do të marrë qeveria në mbledhjen e radhës të datës 17.04.2013 sipas porosive që zoti Berisha u dha tre ministrave të linjës më dt.10.04.2013.

Kryesorja është që z.Berisha të veprojë, sepse nuk ka kohë më për premtime e mashtrime, boll të tilla ka bërë deri tani, duhet sa më shpejt të vendosë që gjithë qytetarëve t’u japë mundësi të blejnë aksione me vlerën nominale të Letrave me Vlerë sipas vlerës te kapitalit të kontabilizuar për çdo shoqëri kudo ku shteti ka të tilla si në objekte strategjike e jo të tilla, se nuk është nevoja të shtyjë përsëri afatin e tyre, por ta zgjidhi brenda këtij viti se mundësitë dhe aktet ligjore e nënligjore janë. Mungon vetëm vullneti politik i tij.