Albana Agolli*/ Problematikat e auditimit të jashtëm publik në Konferencën Shkencore të KLSH-së

987
Sigal

Konferenca e Tretë Shkencore e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) u zhvillua në datat 29-30 tetor 2014. Këtë vit, Konferenca e konsolidoi dhe thelloi natyrën e saj hulumtuese e rekomandim-dhënëse, duke ardhur me temën qendrore: Auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare. Bashkëpunimi i realizuar mes audituesve të KLSH-së dhe eksperteve të institucioneve të auditimit të jashtëm publik të EUROSAI-t, si dhe me përfaqësuesit e botës akademike dhe profesionale shqiptare, solli propozime me vlerë për përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Shqipëri, nën moton e Organizatës Botërore të Institucioneve të Auditimit të Jashtëm Publik, INTOSAI, “Nga Eksperienca e përbashkët fitojmë të gjithë (Experentia mutua Omnibus prodest)”.Profesorati shqiptar, i përfaqësuar denjësisht në Konferencë nga emra të njohur në fushën e analizës së riskut, kontabilitetit dhe auditimit, si Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Dr. Lindita Lati, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof.Ass. Dr.Sazan Guri, Prof.Ass. Dr. Hysen Çela, etj., solli propozime konkrete për përmirësimin e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm publik në Shqiperi. Në panelet e këtij forumi, doli i fortë dhe i qartë mesazhi i nevojës, madje i domosdoshmërisë së bashkëpunimit mes auditimit të brendshëm dhe atij të jashtëm shtetëror, për të shmangur mbivendosjet dhe sinergjizuar punën e secilit. Konferenca ishte në sintoni të plotë me Deklaratën e Kongresit të XXI-të të INTOSAI-t, se “Auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare për përmirësimin e menaxhimit publik financiar”. Institucionet supreme te auditimit (SAI-t) kanë pranuar se qeverisja kombëtare efektive është faktori kryesor për ruajtjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të progresit social të një vendi për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ato kanë theksuar se, duke patur një lidhje të ngushte korelative me qeverisjen kombëtare, auditimi kombëtar është një forcë e rëndësishme në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, për mbrojtjen e interesit publik, duke raportuar mbi përdorimin e burimeve publike dhe promovuar zbatimin e ligjit dhe të rregullave. Konferenca solli eksperienca, gjetje dhe rekomandime në fushën e përpjekjeve të auditimit publik suprem europian për përmirësimin e qeverisjes dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, nga kumtesat e ish-Presidentit Jaçek Jezierski (bashkëdrejtues i këtij forumi shqiptar), zv-Presidentit aktual Voiceh Kutula të Zyrës Kombëtare të Auditimit (NIK) të Polonisë, si dhe të studiuesve të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të Gjykatës Austriake të Auditimit, të pranishëm dhe referues në Konferencë. Përqasjet e audituesve evropiane në këtë drejtim janë me shumë vlerë dhe për bashkëpunimin e institucioneve shqiptare për të përmirësuar qeverisjen, si Prokuroria e Përgjithshme, KLSH, ILDKPI, etj..

Konferenca e KLSH-së

Konferenca e KLSH ishte një sinjal i qartë për dobinë e progresit të auditimit të jashtëm publik të Shqipërisë në axhendën integruese të vendit, nëpërmjet prezantimit të Këshilltarit Kryesor të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian (DG-Budget) dhe Drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, z. Robert Gielisse, i cili ishte njëkohësisht dhe bashkëdrejtues i aktivitetit. Z. Gielisse theksoi se strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian tani dhe për vitet që do të vijnë do të përqendrohet në qeverisjen kombëtare të vendeve kandidate dhe në përmirësimin e saj. Në këtë drejtim, roli i KLSH-së dhe i institucioneve simotra në vendet e tjera kandidate të BE-së është i pazëvendësueshëm. Z. Robert Gielisse theksoi se Strategjia e re e Zgjerimit e Bashkimit Evropian e vendos në vijën e parë Qeverisjen Ekonomike dhe KLSH si Auditues i Jashtëm publik është gur themeltar i përmirësimit të qeverisjes. Dobia e konferencës në planin teorik dhe praktik të menaxhimit të financave publike u pa dhe në faktin se, nga shumica e 28 kumtesave të paraqitura, përmirësimi i cilësisë së menaxhimit të financave publike, si një mjet për të optimizuar arritjen e objektivave kombëtare të zhvillimit strategjik, u prezantua si sfida kryesore në shumë vende. Forumi dha mesazhin se, duke përmirësuar proceset dhe institucionet buxhetore, cilësia e financave publike rritet, ndërkohë që eficienca, efektiviteti dhe transparenca përbëjnë sot tre objektivat themelore të buxhetimit modern. Rregullat fiskale, planet dhe kornizat afat-mesme, si dhe buxhetimi i performancës kanë provuar të jenë efektivë në arritjen e këtyre objektivave, ku KLSH ka dhënë kontributin e tij në vijimësi në përmirësimin dhe forcimin e këtyre rregullave fiskale. Nga konferenca doli po ashtu i forte mesazhi se Institucionet Supreme të Auditimit munden të kontribuojnë në eficiencën qeveritare, me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e aktiviteteve qeveritare dhe zbulimin e mangësive në qeverisjen dhe kontrollin kombëtar. Ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare, duke ruajtur interesat kombëtare, nëpërmjet sigurimit te informacionit objektiv, të besueshëm dhe në kohë, për të zbuluar risqet në funksionimin ekonomik dhe social kombëtar. Si institucione të mandatuara nga Kushtetuta e vendeve përkatëse (ndër të cilat edhe KLSH) ato mund dhe duhet të luajnë rolin e sistemit imunitar për qeverisjen publike kombëtare.

Një vlerësim i rëndësishëm dhe i veçantëpër Konferencën, ishte dhe prania e Presidentit të Republikës dhe mesazhet e fjalës së tij. Presidenti Nishani vlerësoi dinamikën e zhvillimit të auditimeve dhe kapaciteteve audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit në këto vitet e fundit, si dhe përgatitjen nga KLSH të një ligji të ri modern për auditimin publik, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai theksoi se paraja publike nuk është pronë e askujt, vetëm e Shtetit shqiptar dhe askush të mos mendojë se mund të dalë mbi ligjin dhe mbi rregullshmërinë financiare të Shtetit. Presidenti Nishani i nxiti institucionet që luftojnë në plan të parë korrupsionin, si Prokurorinë, ILDKP-në dhe KLSH-në, që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin, duke kërkuar një dinamikë të re në marrëdhëniet mes tyre.

I pranishëm në Konferencën e Tretë Shkencore të KLS-së ishte dhe Ambasadori i SHBA-ve, zoti Aleksandër Arvizu, i cili cilësoi se një institucion suprem auditimi publik i pavarur është shenjë e funksionimit të demokracisë. Ambasadori Arvizu i vlerësoi si shumë premtuese rezultatet e deritanishme të arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ai përmendi punën në grupet e përbashkëta të hetimit me Prokurorinë, ILDKP, etj., ku në vitin 2012, KLSH depozitoi vetëm në këto grupe të përbashkëta 15 raste korruptive, 25 raste në vitin 2013 dhe vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti 29 raste. Sipas tij, kjo tregon qarte efektshmërinë e punës së KLSH në luftën kundër korrupsionit.

Mesazhet e kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj

Në këtë Konferencë, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj në fjalën e tij përshëndetëse dha mesazhe të rëndësishme që formimi shkencor për KLSH është institucionalizuar tashmë dhe është fryt i bashkëpunimit me homologët, si anëtarë të EUROSAI-t, me profesoratin shqiptar, me organizatat profesionale të fushës dhe me OJF-të aktive në luftën për transparencë në administratën publike.

Kur Kryetari i KLSH, z. Leskaj, në vitin 2012 deklaroi se Konferenca shkencore e institucionit do të ishte e përvitshme, tek ne si auditues të vjetër në KLSH, ç’është e drejta, pati edhe skepticizëm, se si do të mundësohej kjo. Por Konferencat, e dyta dhe e treta shkencore e institucionit, njohën një ecuri në rritje dhe vërtetuan se me punë të përkushtuar dhe duke rritur kapacitetet, kërkimi shkencor i aplikuar në fushën e auditimit publik mund të realizohet i plotë.

Në këto tre vite, krahas:

a) arritjes së standardit te EUROSAI-t ne 20 ditë trajnimi në vit për auditues (nga 2 ditë trajnim në vit që ishte në vitet 2009, 2010 dhe 2011) dhe trajnimeve të shumta jashtë vendit;

b) botimeve në rritje të KLSH, ku ne vitet 2012, 2013, 2014 numërohen 30 tituj botimesh (përkthime standardesh, udhëzues, guida auditimi, revista shkencore “Auditimi Publik” me 8 numrat e saj, analiza e raporte, historiku i KLSH, etj.);

c) modernizimit të Teknologjisë së Informacionit në institucion;

 d) ndërtimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe OJF-të profesionale dhe Profesoratin Shqiptar, mendoj që Konferenca Shkencore e përvitshme (tashmë janë tre të tilla) u realizua qartë si një forum i veçantë i KLSH, përçues i përvojave më të mira audituese të rajonit e më gjerë dhe tregues i modernizimit të këtij institucioni. Pjesëmarrja në këtë Konferencë, referuesit, përmbajtja dhe thellësia e temave të trajtuara e vërtetojnë katërcipërisht këtë.

Përfundimet e Konferencës

Konferenca arriti ne konkluzionin se Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) mund të nxisin më tej përmirësimin e jetesës së njerëzve, duke ndihmuar për të siguruar që fondet dhe projektet publike që kanë të bëjnë me jetesën e njerëzve, te jenë nën mbikëqyrje të rreptë dhe të arrijnë efektin e dëshiruar. SAI-t munden po ashtu të kontribuojnë në eficiencën qeveritare, me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e aktiviteteve qeveritare dhe zbulimin e mangësive në qeverisjen dhe kontrollin kombëtar. Ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare, duke ruajtur interesat kombëtare, nëpërmjet sigurimit të informacionit objektiv, të besueshëm dhe në kohë për të zbuluar risqet në funksionimin ekonomik dhe social kombëtar. Ndër konkluzionet dhe propozimet konkrete të Konferencës ishin theksimi se baza e të dhënave është themelore për njehsimin e riskut. Konferenca e ardhshme shkencore e KLSH duhet të përqendrohet në analizën e riskut për auditimin në sektorë të ndryshëm ekonomiko-sociale, si në burimet energjetike, drejtësi, financë, arsim, minerale, shëndetësi, rend, mjedis, etj..

Sikundër kudo në komunitetin INTOSAI dhe në EUROSAI, edhe në audituesit e KLSH-së besojmë se auditimi kombëtar luan një rol të rëndësishëm në promovimin e performancës së qeverisjes kombëtare, veçanërisht përmes rritjes së ekonomicitetit, efektivitetit dhe eficiencës së përdorimit të fondeve publike, përmirësimit të mekanizmit operacional të organizatave qeveritare, promovimit të integritetit, përgjegjshmërisë dhe transparencës së administratës, si dhe promovimit të praktikave më të mira të sektorit publik, duke shkëmbyer eksperienca, metoda dhe informacion.

Konferenca e Katërt Shkencore e KLSH, e cila do te zhvillohet vitin e ardhshëm, do të përqendrohet në analizën e riskut në financat publike dhe nevojën për koordinimin dhe shtrirjen e gjerë të kësaj qasjeje në të gjitha institucionet që ofrojnë produkte dhe shërbime publike.

*Drejtore Departamenti, KLSH

Som

Z. Gielisse theksoi se strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian tani dhe për vitet që do të vijnë do të përqendrohet në qeverisjen kombëtare të vendeve kandidate dhe në përmirësimin e saj. Në këtë drejtim, roli i KLSH-së dhe i institucioneve simotra në vendet e tjera kandidate të BE-së është i pazëvendësueshëm