Alarmi, skema e re mashtruese rrezikon depozituesit shqiptarë

Ish-ministri i Financave dhe rektori i “Luarasi”-t, Arben Malaj, shprehet se 88 % e investitorëve do të humbasin paratë në “Bitcoin”

Ish-ministri i Financave dhe rektori i universitetit “Luarasi”, Arben Malaj, ka dhënë alarmin se një skemë e re mashtruese rrezikon investitorët dhe depozituesve shqiptarë. “Rreziku i një skeme mashtruese po i kanoset investitorëve dhe depozituesve të vegjël shqiptarë. Bitcoin, monedha virtuale, po prezantohet si një mundësi e jashtëzakonshme fitimi. Si në çdo skemë mashtruese rreth 88% e tyre do të rezultojnë humbës të parave të tyre dhe vetëm 12 % mund të fitojnë”, shprehet Malaj. Sipas tij, parimi bazë i këtyre skemave mashtruese është joshja nga fitime të larta dhe psikologjia e ‘turmës’, ku të gjithë që investojnë mendojnë se në rast të parandjerjes së një krize, ata do t’i shesin menjëherë investimet e tyre dhe do të fitojnë. “Në fakt në rastin e këtyre krizave të panikut, të gjithë shesin në panik. Në këto momente nuk ka blerës. Kur oferta rritet dhe kërkesa është e ulët, çmimi bie ndjeshëm, vlera e mbetur e monedhave ‘Bitcoin’ është e vogël dhe humbjet janë më të rënda”, sqaron Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Më tej, Malaj shprehet se në këto situata, optimizmin për të blerë sa më shtrenjtë dhe paniku ku shet sa më lirë, mund t’i përdorin dhe vetë investitorët e këtyre skemave, pasi duke shitur me çmime shumë të larta, kur investitorët rriten dhe duke i riblerë, kur vlera e ‘Bitcoin’ do të shkojë drejt zeros, e gjithë kjo diferencë është fitimi mashtrues i krijuesve të këtyre skemave dhe humbja tragjike e mijëra individëve kudo në botë. “Deklarimi Bankës së Shqipërisë dhe i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të gjejë më shumë akses në median vizive dhe të shkruar. Ekspertët e sistemit të pagesave dhe të investimeve financiare duhet të ndajnë publikisht analizat, shqetësimet dhe paralajmërimet e tyre me investitorë potencialë në këto skema mashtrimi”, shprehet Arben Malaj.

Si funksionon skema në Shqipëri
Në Shqipëri është krijuar grupi i investimit në “Bitcoin”, me të cilët mund të vihesh në kontakt fare lehtë nëpërmjet rrjeteve sociale, bën të ditur revista “Monitor”. Të interesuar për të investuar në “Bitcoin”, personi që administron grupin jep dy mundësi operimi, përkundrejt pagesës cash ose duke bërë blerje direkt në internet. Sipas shpjegimit të tij, në “Bitcoin” ka dy lloje investimesh, pasiv dhe aktiv. Investimi si investitor pasiv kishte të bënte me blerjen e kriptomonedhave “Bitcoin” dhe më pas i rishisje në një moment të dytë kur çmimi rritej në tregjet ndërkombëtare. Investimi aktiv në “Bitcoin” kryhet duke blerë një paketë, ku vlera më e vogël e një pakete ishte 500 dollarë dhe 99 dollarë anëtarësia. Më pas hardueri, në të cilin bëhesh pjesë pas blerjes së paketës, bën përllogaritjet e të gjitha transaksioneve që kryhen.

Sipas administratorit, në rast se do të blije një paketë, çdo ditë do të ktheheshin një shumë x BTC nga ajo që kishe investuar fillimisht. Personi pas faqes “Bitcoin Albania” dërgon edhe video informuese për të shpjeguar mënyrën e funksionimit të kriptomonedhës. Në rast se do të operosh me cash, administratori të mundëson takim me një nga përfaqësuesit në Shqipëri, të cilit i jep shumën që ke vendosur për të investuar. Sipas “Monitor”, i pyetur se çfarë sigurie ka investimi në Bitcoin, administratori përgjigjet se edhe ai vetë nuk ka siguri për investimin që ka kryer.

Banka e Shqipërisë dhe AMF: Nuk kemi asnjë kompani të licencuar
E kontaktuar nga “Monitor”, Banka e Shqipërisë bën të ditur se nuk ekziston asnjë subjekt financiar i licencuar për tregtimin e monedhës virtuale “Bitcoin” në Shqipëri. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të zbatojë me rigorozitet funksionin e saj mbikëqyrës për subjektet financiare të licencuara prej saj, në zbatim të ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe ligjit “Për bankat” në Republikën e Shqipërisë. Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon se nuk ka pasur asnjë kompani të licencuar për tregtimin e Bitcoin në Shqipëri.

Çfarë janë monedhat virtuale
Sipas Autoritetit Bankar Evropian, një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pa garantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale, dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar ‘offline’ ose në ‘jetën reale’. Tashmë është gjithnjë e më shumë e mundur që të përdoren monedhat virtuale si një mjet për të paguar mallra dhe shërbime me tregtuesit me pakicë, restorante dhe vende argëtuese. Shpesh këto transaksione nuk kanë ndonjë tarifë ose pagesë, dhe nuk përfshijnë ndonjë bankë. Kohët e fundit, monedha virtuale “Bitcoin” ka vendosur bazën për një gjeneratë të re të monedhave virtuale të decentralizuara – shpesh referuar edhe si kripto-monedha. Monedha virtuale mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedhën konvencionale. Ata transferohen më pas në një llogari të personalizuar të njohur si ‘portofol dixhital’. Duke përdorur këtë portofol, konsumatorët mund t’i dërgojnë monedhat virtuale në internet tek të gjithë të tjerët, që janë të gatshëm për t’i pranuar ata, ose të bëjnë konvertimin e tyre përsëri në një monedhë konvencionale (të tilla si Euro, Paund apo Dollar).

Turizmi, ja modeli i ri i deklaratës së TVSH-së
Ministrja e Financave, Helga Vukaj, ka miratuar ndryshimet në udhëzimin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, duke reflektuar vendimin për të ulur TVSH-në për turizmin. “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind”, thuhet në udhëzim. Ministria e Financave ka publikuar edhe modelin e ri të deklaratës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe modelin e ri të librit të shitjeve.