A po braktiset Shqipëria nga kosovarët, vit pas viti?

317
Vitet e fundit, Shqipëria po njeh rritje të konsiderueshme të turistëve por nga ana tjetër, mund të jetë duke humbur atë grup turistësh që për vite me radhë ka përbërë prurjen kryesore.
Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2017, numri i hyrjeve nga Kosova në Shqipëri ka shënuar një rënie të konsiderueshme. Nëse analizojmë të dhënat e INSTAT për lëvizjet e shtetasve, rezulton se ka gjatë vitit të kaluar është shënuar një rënie me 19 % e hyrjeve të shtetasve nga Kosova.
Gjatë vitit 2016, nga Kosova drejt Shqipërisë u shënuan rreth 2.157.013 hyrje ndërsa gjatë vitit 2017 u shënuan 1.745.973 hyrje, pra rreth 411 mijë hyrje më pak. Kosova është i vetmi vend që ka shënuar bilanc negativ të hyrjeve.
Hyrjet nga Kosova vijojnë të mbeten në vend të parë në listën e 10 vendeve nga ku vijnë vizitorë në Shqipëri. Në vend të dytë është Maqedonia, ku vetëm gjatë vitit 2017 janë shënuar më shumë se 671 mijë hyrje ndërsa në vend të tretë Greqia me mbi 489 mijë hyrje gjatë gjithë vitit, e ndjekur nga Mali i Zi ku hyrjet gjatë 2017 rezultojnë se arrijnë në thuajse 381 mijë.
Në përqindje, rritjen më të madhe të numrit të hyrjeve e kanë vende si Polonia me 73.6 %, Gjermania me 47.4 %, Zvicra me 47.2 % dhe Italia me 36.6 %.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se jo vetëm gjatë muajve të verës por edhe gjatë muajve të tjera, hyrjet nga Kosova janë pakësuar.