Prof. Dr. Ago Nezha/Pengmarrja e pronave

203

 Prona private, themeli i demokracisë

Në vendet perëndimore, me demokraci të konsoliduara liberale, me pronë private, kuptojnë fuqinë për të zotëruar pasuri të paluajtshme e të luajtshme nga ana e një personi fizik apo juridik, fuqi kjo e njohur juridikisht dhe që përjashton çdo ndërhyrje nga ana e shtetit apo të huajve në trashëgimin e individit.

Prona private, tregon për dashurinë e drejtësinë ndaj vetes dhe i garanton njeriut pavarësinë, lirinë e zotërimit dhe autonominë, duke qëndruar kështu në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe të drejtat e tjera të personit njerëzor. Dinjiteti i një shteti, varet nga dinjiteti i individit që e përbën atë. Në Shqipëri, historikisht është shkelur dinjiteti i individit. Populli Shqiptar, vërtet ka qenë i varfër, por jo i pa ditur dhe i pa arsimuar. Arsimi është fytyra e kombit. Një popull të arsimuar, është e lehtë ta qeverisësh, por e pamundur ta skllavërosh pambarimisht. Dinjitet pa pronë, nuk mund të ketë as një individ, sado i arsimuar dhe i kulturuar që të jetë ai. Në këto 22 vjet shtet, të ashtuquajtur demokratik, Shqipëria i ngjan një anije pa vela, që e përplasin dallgët sa majtas- djathtas, por asnjëherë nuk e nxjerrin në bregun e shpresës. Më shumë se kushdo tjetër, pushteti i “Demokratëve” gjatë qeverisjes së tij, ka përdorur arrogancën, arbitraritetin, padrejtësinë, në kurriz të persekutuarve dhe pronarëve legjitim. Sa herë ka ardhur në pushtet, lideri “demokrat” Sali Berisha, ka linçuar si një himn triumfal para Shqiptarëve, se nuk e ndryshoi “Ligjin famëkeq 7501”, që ka skllavëruar pronarët legjitim. Ky angazhim skifterësh grabitqar të pushtetarëve, është bërë lajtmotivi i qeverisjes së korrupsionit, jo vetëm të pasurive të pronarëve individë, por edhe të pasurisë kombëtare, si miniera, pyje, kullota, hidrocentrale etj. Qeveria Berisha, që kur erdhi në pushtet, ka shfaqur tre tundimet kryesore: të kënaqësisë, të grykësisë, e të etjes për pushtet. Kombi nuk ka nevojë të bëhet i egër, për të qenë i qëndrueshëm”, na mëson Franklin Ruzvelt. Politika Shqiptare, e infektuar nga diktatura që lamë pas, ka përdorur të njëjtën filozofi qeverisëse. E ardhmja, i takon demokracisë së vërtetë liberale, që vë në vend dinjitetin e individit. Çdo e keqe, ka ardhur nga drejtuesit e këqij në pushtet, në çdo komunitet dhe mjedis shoqëror. Kushdo që merr pushtetin dhe nuk di të qeverisë, bëhet uzurpator dhe pronar i gjithë pronave. Këtë fatkeqësi po e përjeton Shqipëria, ku pas vitit 1991, erdhën në pushtet revolucionar të Partisë së Punës, që ishin jo vetëm të paditur, të çoroditur, pa eksperiencë për të qeverisur, por edhe aventurierë karrieristë të uritur, e të etur për të sunduar me dorë të hekurt. Në krye të pushtetit “demokratik”, fatkeqësisht, erdhën njerëzit e shpellave dhe të kasolleve me kashtë, që nuk kishin ndjesinë e shenjtërisë së pronës private. Aftësia për të mohuar, dënuar e privuar pronarin nga prona personale, është sjellje tipike e diktatorëve. Shteti, nëpërmjet pushtetit të tij absolut, pushtoi pronat e pronarëve dhe u shpall vetëpronar, duke jua shpërndarë fshatarëve me ligjin 7501, ose pronat e fermave rreth qyteteve, jua dhuroi të zbriturve nga malësitë e veriut e të jugut, si t’i kish pronat e veta. Shqipëria ka njohur shumë pushtime të huaja, por nuk ju ka marrë pronat pronarëve, siç ndodhi me pushtimin e pushtetit “demokratik”. Në një vend që sundon një njeri, nuk mund të ketë kurrë demokraci. Sundimtarët, harrojnë me premtimet dhe gënjeshtrat e tyre elektorale, por populli nuk harron kurrë. Qeveritë e dhunshme, kundër të drejtave të pronarëve dhe në dëm të popullit të vetë, mos të harrojnë se një ditë do kenë një fund tragjik, kushdo qofshin ata. Në rast se do qeveriset me urtësi dhe me forcën e arsyes për t’i shërbyer popullit, ajo qeveri do jetë më jetëgjata. Këto sinjale dhe premtime, i ka dhënë koalicioni i majtë, që po vjen në pushtet dhe që shpresojmë ta rilindë Shqipërinë dhe të vendosi demokracinë e cituar, por të munguar për mbi dy dekada. Shqipëria do rilindë, si dhe gjithë vendet ish-komuniste, po të rilindë prona duke vajtur te i zoti tradicional. Ky është një problem jo i lehtë, pasi është ndërlikuar keq në kulisat e pushtetit gjatë këtyre viteve. Kërkohet një kombinim unitar midis Legjislativit dhe Ekzekutivit. Parlamenti i ri dhe qeveria e dal prej tij, duhet të fokusohen te problemi i pronave, duke e konsideruar atë, ‘thembrën e Akilit’ të suksesit qeverisës. “Pushteti legjislativ është zemra e shtetit, pushteti ekzekutiv, truri i tij”, thotë Zh. Zhak Ruso. Kur kombinohen mirë këto dy fuqi për të mirën e përbashkët, suksesi është i garantuar. Opinioni shoqëror, për të shkuar prona te pronari, do ndeshi në barrikada mercenarësh, që kanë përfituar pa djersë e mund pronën e tjetrit. Ky fenomen, do asfiksohet kur Shoqatat, sindikatat, dhe grupe të ndryshme interesi të shoqërisë, të rrisin kërkesën në vazhdimësi, derisa të formohet një ortek opinionesh, që të shembë dinastinë e pushtetit, që mbahet në këmbë me pronat e vjedhura, të grabitura e përvetësuara të pronarëve legjitim. Shoqëria civile dhe grupet e interesit, duhet të jenë të karikuara në mënyrë permanente, deri sa të marrë zgjidhje problemi. Shoqata “Bregdeti”, së bashku me Shoqatën “Dukati”, të bashkërenduara edhe me simotrat e tyre që vuajnë nga e njëjta “sëmundje”, duhet të ndërgjegjësojnë dhe të motivojnë çdo individ, se pa vajtur prona tek i zoti, nuk mund të ketë liri, demokraci, mirëqenie e miqësi midis palëve. Duhet t’i vras ndërgjegjja, të gjithë ata që shfrytëzojnë pronën e tjetrit, që e kanë marrë nëpërmjet sekserit të paprecedent, në këto 22 vjet, që e ka emrin: “pushteti i pushtimit të pronave të pronarëve legjitim”. Prona, nuk është kontribut i një apo më shumë individësh të sotëm. Ajo, është pasuri e trashëguar në breza. Në rast se Dukatasi, e ka mobiluar tokën për interesat e tij, himarjoti, e ka qëmtuar e qëndisur me trastë në krahë, mes gurëve e ferrave, mes vuajtjesh të stërmundimshme. E drejta mbi pronën, funksionon në tre verdikte: Prona trashëgohet, dhurohet ose blihet. Pushtimin e pronave të pronarëve nga shteti, nuk e njeh asnjë legjislacion, qoftë konteporan, apo bashkëkohor. Opinioni shoqëror, është një katarakt që nuk duhet të ndalet kurrë, pavarësisht silurëve që mund vendosin aktorët e pushtetit të deformimit të demokracisë. Kërkesa e shoqatave të zonës bregdetare për pronat, duhet të unifikohet, të jetë permanente,dhe të trokasë herë pas here në veshin e qeverisë, se sa më shumë të shurdhohen qeveritarët, aq më thellë do ngulitet problemi në ndërgjegjen e tyre. Ligji absurd 7501, është ligji varrmihës i demokracisë, që siç e kam shkruar edhe herë të tjera, së bashku me heqjen e ligjit të dënimit me vdekje, përbëjnë dy fatkeqësitë e demokracisë Shqiptare, që po e mbajnë peng kombin dhe sjellin për ditë krime dhe mort. Pa u çliruar nga këta dy vargonj të kobshëm, populli do të jetë vazhdimisht në robëri.

DREJTËSIA DHE DASHURIA SHOQËRORE

Morali dhe virtyti i Himarjotëve dhe dukatasve, duhet të trokasë në ndërgjegjen e tyre dhe të dalin e të ngrihen mbi interesat e tyre vetjake, për të gjetur një konsensus me pronarët e vërtetë që i quajnë “ish”, që në fshatin ton kjo pasthirrmë përdoret kur trembin pulat. Konfliktet, kapërcehen me anë të mirëkuptimit dhe pajtimit. Është koha që individët brenda komunitetit, të gjejnë gjuhën e përbashkët, nëpërmjet një gjykimi me mençuri të problemeve delikate. Të tregohen të virtytshëm. Virtyti është shëndeti i shpirtit dhe kështu do ta ndiejnë veten më të qetë, të çliruar nga një padrejtësi që e mbajnë mbi supe për hir të pushtetit, pushtues të pronave. Drejtësia e sotme, është dashuria e djeshme dhe dashuria e sotme, është drejtësia e nesërme. Drejtësia, është një virtyt dhe qëndrim moral, në saj të të cilit i njihet tjetrit e drejta me vullnet konstant. Ai, që praktikon drejtësinë, nuk kërkon të drejtën e vet, por atë të tjetrit. E kam përsëritur shumë herë pushteti pushtues i pronave, jo rastësisht, por që të mbahet mënd e vërteta, se dhe hileja e padrejtësia që prodhoi pushteti në këto 22 vjet, propagandohet zhurmshëm, si një risi e demokracisë. Po të ballafaqohemi me realitetin e vendeve komuniste, ish lindore, do shohim se pa përjashtim, duke filluar nga Bullgaria, Rumania, Çekia, Polonia, e deri në Rusinë e largët, prona ka vajtur te pronari. Shqipëria, si përherë bën përjashtim nga rregulli. Sistemi “demokratik” mostër, që u implementua në Shqipëri, ishte një model i arnuar, që si shkon për shtat ky kostum, këtij sistemi. Po t’i referohemi sistemit Komunist, kujtojmë se ai jua mori pronat pronarëve dhe i shoqërizoi në ferma apo kooperativa. Në statutin e Kooperativave Bujqësore, shkruhet në mënyrë eksplicite, se kur anëtari i kooperativës, largohet prej saj, ai, merr me vete, të gjithë pasurinë që ka futur në Kooperativë. Ndërsa sistemi i ashtuquajtur demokratik, jua mori pronën pronarëve dhe jua dhuroi të tjerëve që s’kishin asnjë atribut dhe kontribut material mbi këtë pasuri. Kur e mendon me qetësi, kjo është një utopi dhe çmenduri Shqiptare, produkt i një klase politike xhunglash. Jo rrallë herë, luhet me një alibi me të shkolluarit që janë larg vendlindjes së tyre, se ai sistem ju dha shkollë dhe nuk e gëzojnë të drejtën e pronës së të parëve të tyre. Po ta personalizoja problemin me një shembull konkret, në funksion të përgjithësimit, ku si unë janë të gjithë Dukatasit e shkolluar, që ju është mohuar prona, rezulton se ky është një mentalitet provincial, xhunglash, tribush. Harrojnë këta “profet” e demokracisë, se prona s’është e atyre që u shkolluan, por e trashëguar në breza. Sa për shkollën e lartë që kemi fituar ne të ikurit, ju kujtoj lexuesve, se familja ime kishte mbi 1000 krerë bagëti dhe 60 lopë. Me këtë kapital, i duheshin 100 krerë apo 10 lopë për të më çuar mua si dhe shokët e mi, të studionim në Amerikë. Ky ka qenë Dukati i dikurshëm. Këtu, nuk bëhet fjalë për malësorët “demokrat”, apo ujkokrat, me 10 dhi në mal, që i bëri me shkollë, (në shumicën e rasteve edhe me detyrim), sistemi i Enverit. Dhe sot, ata malësor, kalorës të pushtetit, janë bërë të pasur me pronat dhe pasuritë tona. Dukati s’ia ka për nder, e s’ka pse të ketë mirënjohje për atë sistem, përsa i përket shkollimit, përkundrazi na është shumë borxhli. E vërteta sa do të goditet, ajo nuk shembet, se është e patundur si shkëmbi. Ai, që nuk e njeh të vërtetën me gjithë shkëlqimin e saj dhe mundohet ta mohojë e errësojë, është i marrë. Ndërsa, ai që e njeh dhe e quan gënjeshtër, është kriminel dhe një ditë do ndeshet me drejtësinë shoqërore, në mos ligjore. Të vërtetën, nuk e pëlqejnë njerëzit e liq, hileqarët, hajdutët, grabitqarët, që mohojnë identitetin e pronës. E vërteta, mund të përkulet nga korentet e kohës, por nuk thyhet kurrë nga ciklonet e pushtetit. T’i themi njëri-tjetrit të vërtetën, ta shikojmë secilin në sy, pa na u dridhur qerpiku, se e vërteta, është kandari i miqësisë. Ka ardhur koha të mos gënjejmë vetveten, se prona që na ka dhënë pushteti i pështirë i vjedhjes, të pseudodemokracisë, i ngjan një orteku me dëborë që duhet ta ndalim, se sa më shumë vjet të kalojnë duke u rrokullisur, zmadhohet e rrezikon të rris kontradiktat në marrëdhëniet në komunitet. Shqipëria, e përfshirë në kaos, do rilindë, kur të shkojë toka te i zoti. Himarjotët dhe Dukatasit, si njerëz të një gjaku, me mençurinë dhe maturinë e tyre, duhet të reflektojnë ndaj këtij ligji obskurantist (7501), nisur nga një thënie e Senekës, të riut, se “ka ligje të pashkruara, që janë më të fortë se të shkruarit”. Për interesa meskine të një klase politike, janë prodhuar ligje të këqija dhe ligje të mira. Që në kohën e Firdusit të lashtësisë, një shtet i mirë quhesh kur ka tre komponentë: ligje të mira, infrastrukturë të mirë dhe njerëz të mirë. E kjo e fundit është përcaktuese. E tek neve, pikërisht asnjëra s’është në nivelin e një demokracie funksionuese. Por zakoni, tradita, eksperienca në marrëdhëniet mes njerëzve të një komuniteti solid, diktojnë nevojën që të gjejnë mekanizma komplementare që rregullojnë marrëdhëniet mes tyre.

KRIZA E LIGJIT DHE GJYQI I NDËRGJEGJES

Problemi i pronave, është një problem i trazuar, që duhet shkulluar me mëndje të kthjellët, me gjykim me të njëjtin metër, si për pronarin legjitim ashtu edhe për atë që ka fituar pronë me ligjin 7501. Në këtë rast, duhet të funksionojë gjyqi i ndërgjegjes për secilin pronar, për të mos i lënë vend gjyqit të pushtetit, apo të arrogancës provinciale. Për të arritur një qëllim fisnik, duhet të mbretërojë arsyeja e njerëzve të mençur të atij komuniteti, larg pasioneve, ambicieve, egos personale dhe ligësisë keqdashëse, ndaj njëri-tjetrit. Marrëveshjet e mëdha, arrihen kur ka një truall të shëndosh mendor, shpirtëror e kulturor, që sjellin ujdi njëmendësi, unitet dhe unanimitet, për të qenë së bashku në rrugën e gjatë të jetës. Parimi i solidaritetit, është i rrënjosur thellë në personalitetin dhe esencën shoqërorë të njeriut. Mençuria dhe kontributi i brezit tonë, qëndron në faktin që të mos lemë litar nëpërkëmbë, që në të ardhmen do të ngatërrojnë brezat që do të vijnë pas nesh. Padrejtësia që u bë me pronën, ka krijuar kushte të favorshme për grindje për korrupsion, për anomali e kontradikta, e tragjedi, që turbullojnë klimën paqësore në komunitet. Janë të njohura dramat për tokën në vitet e demokracisë, jo vetëm brenda komunitetit lokal, por edhe brenda familjes, fisit, komshiut bashkëfshatarit, e më gjerë. Përvetësimi i pronave, falsifikimi i dokumentacioneve, mbivendosja e tyre, janë një varr i hapur, që s’do gjej qetësi. Krahina e Himarës dhe Dukatit, duke qëndruar larg smirës dhe zilisë, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, për të bërë korrektimin e ligjit në favor të dy palëve, siç kanë vepruar 2/3 e vendit, nga Shqipëria e Mesme, në veri. Në rast se prona do trajtohet në këto standarde që ka sot, ky është një dhunim që u bëhet pronarëve nga shteti. Për 22 vjet, pronari nuk është shpërblyer për asnjë pjesë simbolike të pronës dhe as pretendohet të fitojë në të ardhmen, në një kohë që pronën e tij, e shfrytëzon pronari i emëruar nga shteti. Normalisht, pronari i ri, duhet t’i paguaj pronarit legjitim, një përqindje të fitimit nga prona e përvetësuar nga ligji. Po të vazhdohet me këtë praktikë që është ndjekur deri më sot, përfundimisht pronari është pushtuar nga shteti, i është përvetësuar prona dhe i është mohuar e drejta e të qenit qytetar i këtij vendi. Koha, është gjykatësi më i mirë. Por një gjë dihet, kështu s’mund të vazhdohet më, deri në kalendat greke. Qeveria e re Socialiste, ka një mision të vështirë, por jetik për fatet e demokracisë, që duhet të vendosi drejtësi mbi pronën. Dukati, me një shtrirje të madhe gjeografike 260 km katrore, i lagur nga dy dete, deti Adriatik dhe deti Jon, në shekuj është populluar nga treva të ndryshme të vendit. Banorët e Dukatit, një pjesë e mirë e tyre janë me prejardhje heterogjene, duke filluar nga Kruja, që në kohën e Skënderbeut, nga Vithkuqi i Korçës, malësitë e Tepelenës, fshatra të bregdetit, Elbasani, etj., kur janë vendosur në Dukat, ata e kanë blerë tokën me flori. Dhe shitjet e blerjet brenda fshatit janë bërë me flori. Një i migruar që është vendosur në qytet, ka blerë shtëpinë. Sipas ligjit, të Parlamentit «pjellor» të Shqipërisë, prona e blerë me flori në fshat nuk i njihet, ndërsa në qytet e përfiton. Një paradoks absurd Shqiptar, që për të njëjtin objekt, në qytet ta njeh pronën, ndërsa në fshat ta mohon. Tragjedinë e pronave, po e përjetojmë qartazi, duke parë banorë pallatesh që janë flakur në rrugë nga pushteti Berisha, edhe pse ata jetojnë aty prej 50 vjetësh. Këta pronarë pallatesh, kanë marrë nga sistemi socialist hyrje në pallat të ndërtuar me kontributin e shoqërisë, përse nuk i dorëzojnë ato? Në këtë kontekst, a nuk kanë të drejtë pronarët e tokës t’i nxjerrin nga prona e tyre ata që jua kanë përvetësuar pronën? Kjo situatë, kërkon të njëjtin kandar gjykimi. Lakmia dhe xhelozia, që kanë treguar pushteti paradë në vitet e demokracisë, për pafundësinë e Dukatit, që fillon nga kepi i gjuhës në Karaburun dhe shkon në Palas dhe pushon në Tragjas e Radhimë, nuk është për faj të tyre, se ata e quajnë Shqipërinë pronë të pushtetit. Dukatasit, e kuptojnë që është shumë për një fshat, por jo për faj të tyre, por për “faj” të të parëve që jua kanë lënë trashëgim, se nuk e kanë ditur që do vinte një ditë, që shteti “demokratik” do t’i pushtonte dhe do tua mohonte pronën. Dukati është quajtur prej të huajve, “Dukat e gjysmë e Misirit”. Si rrallë kush, ka pasur para erës së re, tre qytete dhe 100 fshatra që kanë emigruar pjesërisht në Itali. Qytetet antik, Erikoi, Kanali dhe Oriku, ky i fundit ka edhe një teatër, që pushteti i ka vënë roje ushtarake të mos vizitohet as nga turistët, pa le më dukatasit, përbëjnë një amfiteatër natyror, që laget nga dy dete. Dukati njërën faqe e lan me ujët e detit Adriatik dhe tjetrën me ujët e detit jon. Pa mëdyshje, mund ta quajmë një San-Marino të dytë. Këto prona të pamat të Dukatit, që në malet e tij, nga Karaburuni në Llogora, ka mbajtur mbi 120.000 krerë bagëti, shteti duhet tua njoh pronarëve dhe për interesat e tij kombëtare, mund të investoj me pëlqimin e palëve. Në këto troje historike, ka një dëshmi autentike për pronësinë, se aty gjenden varret e të parëve dukatas.

Odisesë së pronave, i ka ardhur fundi. Këtë maskaradë të pushtetit, 22 vjeçare, i ka rënë lotaria për ta zgjidhur qeveria që do drejtohet nga Rama. Ai, ka treguar me vepra në krye të Bashkisë së Tiranës, se merr përsipër riskun e përmbysjeve të mëdha. Le të shpresojmë, duke u bërë palë si komunitet, në këtë aksion historik. Kjo kërkon që të jemi të ndershëm e korrekt me njëri tjetrin, duke çmuar dhe respektuar të drejtat e secilit. Drejtësinë Himara, apo Dukati, nuk e ka kërkuar apo lypur kurrë nga të tjerët, por e ka gjetur tek vetja. Ciceroni thotë se: “Ekzistojnë dy norma të drejtësisë, të mos dëmtosh asnjeri dhe t’i sjellësh dobi shoqërisë”. Do rekomandoja komunitetet e interesit, të ballafaqohen me këto dy sentenca të Ciceronit, për të qenë të qetë në jetën tyre dhe t’i japin jetës kuptimin e një lumturie të merituar, të ngritur mbi virtytin e ndershmërisë. Të heqim dorë nga krenaria boshe dhe fudullëku kapriçoz, që na dëmton imazhin dhe traditën që trashëgojmë në opinionin e gjerë shoqëror, si himarjot ashtu edhe dukatas. Të tregojmë fisnikëri si të parët tanë tradicional, cilësitë më të larta: mirësjellje, respekt, mirëkuptim dhe nderim për bashkëfshatarin, mikun e shokun e familjes së përbashkët. Helmi që futi në trupin dhe trurin e shoqërisë Shqiptare, politika e pehlivanëve të pluralizmit, do jetojë gjatë. Është e vështirë ta shërosh gjendjen me njerëz egoist, që mendojnë vetëm për përfitime personale edhe të pamerituara. Kur i sjell dëm shokut, nuk duhet harruar, se një ditë edhe t’i do ndihesh i kërcënuar. Këtë ligjësi dialektike, e ka provuar jeta. Problem i pronave, duhet të marrë një zgjidhje oportune, se sa më shumë i largohet në distancë padrejtësive të pushtetit, aq më helmues bëhet jo vetëm për pronarët, por edhe për vetë pushtetin. Një komb i madh, apo komunitet i vogël qoftë (siç janë fshatrat e Himarës, apo Dukati), klima e paqëtimit, tregon për madhështinë e njerëzve të mençur, të mirë, të ditur, të kulturuar e qytetëruar, që me gjeninë e tyre gjenetike, familjare, fisnore, tradicionale, zakonore, dinë të vendosin ura komunikimi midis njerëzve, që nuk i çimenton dot as djallëzia, dinakëria dhe hipokrizia e çdo pushteti, që fabrikon ligjet më famëkeqe, siç është edhe ligji 7501.