Demir Arza, specialisti që bëri të mundur plotësimin e 70% të kërkesave për farëra në vend

238
Në jetën e njeriut ka shumë çaste të veçanta, ato mund të tregojnë gëzime dhe hidhërime, por largimi i papritura nga puna, kur ai është i padrejtë dhe i pajustifikuar, mbetet shokues dhe i paharrueshëm. Një rrëfim të tillë sjell gazeta “Telegraf” për Demir Arzën, banor i qytetit të Korçës, me profesion agronom, madje ai nuk është një agronom i zakonshëm, jeta e tij është e përshkuar nga përkushtimi për punën dhe profesionin, nga kërkimet shkencore, puna eksperimentale etj. Megjithatë, para se t’ju njohim me hallin e tij të largimit nga puna mund t’ju rendisim disa nga momentet e veçanta të jetës së tij.
Demir Arza
Demir Arrëza u diplomua agronom i lartë në Institutin e Lartë Bujqësor Korçë, njeh mirë gjuhën ruse dhe anglishten, gjatë viteve 1979-1985 punoi si kryeagronom në ish-kooperativën bujqësore Gurkuq; më1985-1993 u shqua si agronom kërkimesh pranë Institutit të Kërkimeve Bujqësore Lushnjë për kulturën e elbit dhe të thekrës. Dhe kjo, në shkallë republike. Më 1993-1997 u emërua përgjegjës në NGJP të Korçës; më 1997 – 2001e gjejmë si sipërmarrës pranë firmës “Korsel” Korçë; Më 2001-2006, Demir Arza jep kontributin e vet si agronom prodhimi pranë IKBA Fushë-Krujë (stacioni eksperimental Korçë); ndërsa gjatë viteve 2008-2010 ai punon si agronom prodhimi pranë Departamentit të Blegtorisë. Sigurisht, puna e tij nuk përfundon këtu: që nga maji i vitit 2010 e në vazhdim punoi si agronom kërkimesh për kulturën e grurit, të elbit distik, politik, dhe të fasules, por edhe si drejtues metodik për prodhimin farërave SSE dhe SE në këto kultura bujqësore. Edhe kaq do të mjaftonte për të treguar se kush është Demir Arza, por ne gjithashtu do të shtojmë edhe diçka tjetër, që figura e tij të jetë edhe më e kompletuar për lexuesin tonë. Gjatë viteve 2010-2011 ai u trajnua për eksperimentim fushor dhe përpunim statistikor të materialit shifër nëpërmjet metodave bashkëkohore, ndërsa gjatë viteve 2012-2014, u trajnua për prodhim të farërave SSE dhe SE për kulturat e drithërave dhe bishtajoret. Mirëpo, edhe pse ka një jetë profesionale kaq të pasur, atë e pushuan nga puna
Pushimi nga puna
Më datën 25.11.2014, Demir Arzën e larguan nga puna. Në librezën e tij u shënua “Largohet nga puna”. Ndonjë sqarim më tepër nuk iu dha. Natyrisht ai kërkoi shpjegime, por përveç shënimit “largohet nga puna” përgjigje tjetër nuk mori. Në momentin e largimit, ai ishte pjesë e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë. Mirëpo, largimi i tij nga puna, nuk u shndërrua në habi vetëm për të por edhe për gjithë ata që e njihnin. Gjithkush donte të dinte pse u hoq nga puna një nga specialistët më të mirë të bujqësisë dhe të blegtorisë, i njohur për kërkimet e tij të suksesshëm shkencore. Shumë referenca tregojnë se: “Demir Arza është specialist në fushën e përmirësimit gjenetik dhe prodhimit të farërave, veçanërisht në kulturat si grurë, elb, thekër. Përvoja e gjatë në institutet kërkimore shkencore të vendit e kishte plotësuar këtë specialist me njohuri të plota e të thella në fushat përkatëse ku ai punon me përkushtim e profesionalizëm prej vitesh duke i dhënë bujqësisë sonë vlera të shtuara në profilin ku ai punon. Specialisti Demir Arza, – vijojnë referencat,- është çmuar për një bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm me Fakultetin e Bujqësisë në fushën e këmbimit të materialeve farore të literaturës bashkëkohore, ku veç kësaj ka ndjekur çdo vit në mënyrë permanente praktikat mësimore me studentët e këtij fakulteti. Gjithashtu, Demir Arza ka pasur një aktivitet të gjerë botimi në buletinin shkencor të shkencave aplikative në Universitetin “Fan S. Noli”, duke qenë autor i parë dhe bashkautor me disa pedagogë të këtij fakulteti. Demir Arza është karakterizuar nga korrektësia dhe ndjenja kolektive në marrëdhëniet me pedagogët e Fakultetit të Bujqësisë. Ai është hartues dhe pjesëmarrës në disa projekte në bimët Cereal. Është botues i disa broshurave dhe monografive për kulturat bujqësore të elbit dhe të thekrës. Me botimet e tij si autor dhe bashkautor ka ndihmuar në kualifikimin e stafit akademik dhe ka pasuruar materialin shkencore në bibliotekën e fakultetit të bujqësisë. E megjithatë Demir Arzën e pushuan nga puna.
Padi në gjykatë
Të gjitha këto peripeci, na u treguan nga vetë Demir Arza. Tashmë ai ka kërkuar ndihmën e Gjykatës Administrative në Korçë, por siç na tha ai, e ka më të lehtë të flasë për punën e kryer për 36 vjet me radhë se sa për të kërkuar të drejtën e tij për t’u rikthyer në punë. Megjithatë, ai ende shpreson se e drejta e tij do të vihet në vend. Edhe në gjykatë ai do të flasë për studimet e kryera nga ana e tij. Ai është i vetmi specialist në shkallë republike që ka studiuar kulturën e elbit dhe elbit distik; ai mundi të fuste në prodhim 2-3 kultivarë gruri, si “Rusia”, “Progresi” dhe “L-4”, përveç farërave “Dajtit”, të cilat janë përhapur në fermat bujqësore. Për kulturat e elbit distik, Arza futi në prodhim, për zonat e rajonit të Korçës, dy lloje të reja. Gjithashtu, ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca kombëtare e ndërkombëtare për kulturat bujqësore. Madje, ai për 36 vjet me radhë, si specialist i bujqësisë shqiptare, studioi mjaft tema kërkimore-shkencore të cilat zhvilluan bujqësinë, përmirësuan kulturat bujqësore dhe rritën rendimentin e tyre. Mbi të gjitha, fal punës së këtij specialisti dhe Qendrës, u krijua mundësia që Korça të prodhojë farëra gruri të zgjedhura për kultivarët e përmendur më sipër mbi 70% të nevojave në shkallë vendi. Të gjitha këto do t’i parashtrohen edhe Gjykatës Administrative
Gjithashtu
Jeta e tij profesionalë është shumë e pasur, nuk mund t’i përmendim dot të gjitha, por nuk mund të rrimë pa përmendur edhe disa studime të tjera të rëndësishme të kryera prej tij, si: “Studimi i mikroelementeve, mangan dhe bor në kulturën panxhar sheqeri dhe perime” – udhëheqëse e temës, prof. Edibe Ohri; “Studimin për kulturat foragjere autoktone në “Qafën e Gjarprit”, rrethi i Korçës”; “Studimin e kulturave militare në rajonin e Korçës”; “Studimin e kultivarëve të rinj të thekrës, elbit, grurit e fasules kokërr vogël, me qëllim rajonizimin e tyre” etj. Nisur nga të gjitha këto, ai shpreson se Gjykata do të japë vendimin e saj të drejtë e të paanshëm që ai do të ketë mundësinë të kthehet përsëri në Qendrën e Teknologjive për të vijuar punën e vet aty ku e ka lënë. Ai beson se edhe publikimi i punës së tij do ta ndihmonte në vendosjen e drejtësisë. Le të shpresojmë se ende ka drejtësi.