Vizioni historik i zonës së Shpiragut në 75-Vjetorin e betejës luftarake të Palikështit

1419
Sigal

Vatër patriotike e luftës për liri

Nga 72 dëshmorë, 18 prej tyre kanë 75 Vjetorin e rënies

Krahina u dogj dy herë nga Italia fashiste

Krahina e Shpiragut ndodhet në perëndim të qytetit të Beratit, e përberë nga 25 fshatra duke u kufizuar me zonën e Mallakastrës dhe atë të Tepelenës. Kjo krahinë ka një vizion të rëndësishëm historik për sa i përket zhvillimit të ngjarjeve me karakter patriotik e atdhetar ndër vite. Duke qenë një zonë kufitare me Mallakastrën banorët e saj për çështje të ndryshme kombëtare e atdhetare kanë bashkëpunuar e kanë pasur organizime të përbashkëta midis tyre. Këto dy zona kanë zakone e tradita të njëjta si dhe i ka bashkuar patriotizmi dhe atdhedashuria. Shpiragasit në vite kanë qenë të papajtueshëm me pushtuesit e me sundimin e tyre si kanë qenë otomanët, austriakët, italianët e gjermanët. Gjithashtu ata nuk janë pajtuar me të gjithë drejtuesit shqiptarë të cilët e kanë sunduar vendin. Në mënyra e forma të veçanta organizimi kanë kundërshtuar padrejtësitë e sundimtarëve nëpërmjet revoltave deri në kryengritje të armatosur. Këto forma kundërshtuese janë përdorur në funksion të evoluimit të ngjarjeve në vendin tonë si dhe të rritjes së ndërgjegjes kombëtare. Për rolin ,kontributin patriotik e atdhetar para vitit 1939 e pas këtij viti deri më sot flasin arkivat brenda e jashtë vendit, botimet e shumta të autorëve të ndryshëm si dhe shkrimet e patriotëve e luftëtarëve që e kanë pasur veprimtarinë e tyre të lidhur me këtë zonë, të cilët me korrektësi e vërtetësi kanë pasqyruar historinë e kësaj zone.

Momentet më të rëndësishme dhe me interes në historikun e zonës janë ato të viteve 1640, 1676 dhe 1740 ku sipas arkivave janë pasqyruar kundërshtimet ndaj taksave të rënda të vendosura ndaj popullit të zonës nga pashallarët e otomanët. Ndërsa në periudhën 1830-1840 ka një rritje të revoltës që kundërshtojnë reformat e Tanzimatit me karakter ushtarak, ekonomik e administrativ. Këto reforma u cilësuan si pushtimi i dytë i Shqipërisë nga otomanet turq. Në vitin 1847 ziente urrejtja e madhe popullore e cila arriti kulmin e saj nëpërmjet organizimit të kryengritjeve të armatosura. Në Shpirag lidhur me realizimin e kësaj kryengritje vjen Rrapo Hekali i cili mobilizoi në çetën e vet banorë të kësaj krahine. Po kështu në vitin 1911 vjen Çerçiz Topulli bashkë me çetën e tij edhe ky mobilizoi për çetën e vet ushtarë nga kjo krahinë të cilët do të luftonin për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtimi malazez. Nuk është rastësi që 23 korrik 1912 në fshatin Sinë qendër e kësaj krahine mbas Kuvendit të Gërces të vitit 1911 mblidhet “Kuvendi i Sinjës” me përfaqësues e patriot nga gjithë krahinat e jugut të Shqipërisë. Ky Kuvend miratoi memorandumin që ka hyrë në histori si “Memorandumi i Sinjës” ku midis vendimeve të mara më i rëndësishëm ishte ai që i drejtohej Portës së lartë të Stambollit ku kërkohej Pavarësia e Shqipërisë. Memorandumi i drejtohej mbarë popullit shqiptar. Kuvendi i Sinjës i përket ngjarjeve të mëdha historike të etapës së fundit të kryengritjeve të përgjithshme të organizuara në vendin tonë gjatë viteve 1911-1912 të cilat u kurorëzuan me fitoren e lëvizjes kombëtare shqiptare më 28 Nëntor 1912 me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë duke krijuar Shtetin e Parë Shqiptar. Shpiragasit kanë qenë aktiv në ngritjen e flamurit në Vlorë ku pjesëmarrja nga kjo zonë ishte e konsiderueshme. Luftëtarët e kësaj krahine kanë qenë pjesëmarrës direkt në luftën e Vlorës më 1920. Në vitin 1924 populli i kësaj krahine u ngrit me armë në dorë kundër ardhjes ne fuqi të sundimtarit Ahmet Zogu me ndihmën e shovinistëve serb dhe në vitin 1935 në Lëvizjen antizogiste të Fierit nuk ishin të pakët në numër luftëtarët nga kjo zonë që me armë në dorë kërkonin largimin nga froni i mbretërisë të Ahmet Zogut si sundimtar,satrap dhe i shitur te pushtuesit italianë. Urrejtja ndaj pushtuesve e sundimtarëve ka qenë tipar dallues i popullit të kësaj zone. Ata kanë qenë revolucionar e atdhetar të gatshëm në çdo kohë duke sakrifikuar çdo gjë për të mbrojtur interesat kombëtare. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 Prill 1939 rriti urrejtjen e pakënaqësinë te popullsia e zonës të cilët me armë në dorë u bënë pjesëmarrës në rezistencën antifashiste në Vlorë për të mbrojtur vendin nga pushtimi.

Në këtë rezistencë luftarake ra në krye të luftimeve dëshmori i parë i kësaj zone Zenel Blana. Vendimet historike të Konferencës së Pezës më 16 Shtator 1942 të cilat kishin karakter atdhetar e mobilizues të të gjithë popullit shqiptar pa dallim feje, krahine e ideje në luftën e përgjithshme të armatosur kundër pushtuesve rriti akoma më shumë ndjenjat patriotike e ndërgjegjshmërinë atdhetare të banorëve të zonës. Faqja më e ndritshme, më e lavdishme, më patriotike dhe historike mbetet periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare(LANÇL) 7 Prill 1939 – 29 Nëntor 1944. Për vendosjen e fitores së luftës ndaj pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre nën drejtimin e Qarkorit të PKSH ashtu si në qytetin e Beratit edhe në krahinën e Shpiragut fillimisht u krijuan grupe e celula të vogla të njësiteve guerile të cilat kryenin aksione të organizuara e të shkëputura ndaj të gjithë atyre që sabotonin e spiunonin LANÇL. Brenda një periudhe të shkurtër u ngrit Këshilli Krahinor i zonës më 11 Shkurt 1943 dhe KANÇL në çdo fshat të krahinës. Krijimi i KANÇL lehtësonte punën e Qarkorit të partisë lidhur me të gjitha problemet ekonomike,sociale e politike që hasnin fshatrat e kësaj krahine. Ky Këshill gëzonte atributet e pushtetit legjitim të popullit në zonë e në çdo fshat. Filluan të krijohen çetat e para partizane dhe çetat territoriale partizane të çdo fshati. Më 20 Prill 1943 në fshatin Paftal krijohet “Çeta e Shpiragut” dhe më 25 Prill 1943 në vendin e quajtur Mali i Bardhë krijohet çeta me të njëjtin emër me pjesëmarrjen e partizanëve të zonës. Për krijimin e këtyre çetave ekzistonin kushte të favorshme që i plotësonte kjo zonë. Situata ishte tepër revolucionare e luftarake, vizioni historik atdhetar e patriotik, burrat e kësaj zone ishin trima të paepur ndër breza, çdo shtëpi e kësaj zone ishte bujare e mikpritëse si dhe kjo krahinë ishte nyja lidhëse midis Beratit, Mallakastrës, Tepelenës e deri në Vlorë. Qarkori i partisë kishte shumë besim te banorët e kësaj zone pasi gjithmonë burrat e krahinës për fatet e atdheut kishin lidhur besën e tyre. Beteja e Palikështit kurorëzon fitoren e gjithë përpjekjeve që banorët e kësaj krahine kanë bërë për të fituar lirinë e pavarësinë e vendit. Jemi në periudhën e gjysmës së parë të vitit 1943. Funksiononte Qarkori i partisë. Ishin ngritur KANÇl, çetat partizane e territoriale, kjo krahinë në historinë e saj kishte dhënë prova se ishte tepër revolucionare dhe e gatshme për të përballuar çdo lloj sulmi nga fashistët italianë që ndodheshin në kazermat ushtarake brenda qytetit të Beratit.

Kjo situatë favorizuese kishte bërë që LANÇL në këtë zonë nga dita në ditë e muaj pas muaji të merrte përmasa të mëdha dhe në këtë periudhë kjo lëvizje kishte marrë karakter masiv e mbarëpopullor. Pushtuesit italianë nëpërmjet informacioneve të mara ishin njohur me përmasat e LANÇ. Në këto kushte italianët nuk ishin të qetë dhe prisnin çdo rrezik që do të vinte nga LANÇ, prandaj më 29 Qershor 1943 mësyn ushtarakisht në drejtim të krahinës së Shpiragut për të thyer e shpartalluar qëndresën e forcave partizane e të popullit të kësaj krahine. Në këtë sulm luftarak të armikut morën pjesë mbi 1200 forca ku bënin pjesë formacione ushtarake të kavalerisë e të këmbësorisë fashiste të shoqëruara nga artileria e vendosur në Kalanë e Beratit dhe aviacioni ushtarak që vinte nga aeroporti i Kuçovës. Sulmi armik u përball me çetat partizane të Shpiragut e të Malit të Bardhë në bashkëpunim me çetat territoriale të çdo fshati në një betejë të përgjakshme luftarake midis forcave partizane e atyre italiane. Beteja legjendare u zhvillua në fshatin Palikësht të kësaj krahine në rrugën lidhëse midis Beratit e Sinjës qendër e krahinës. Beteja e 29 Qershorit 1943 filloi në orën 300 të mëngjesit të kësaj date dhe luftimet vazhduan mbi 16 orë . Forcat partizane dhe ato territoriale kishin zënë pozicionet e luftimit në të gjitha kodrat dhe pikat më të larta të fshatit Palikësht. Në një krah të luftimit forcat partizane ishin përqendruar në drejtimin Velabisht, Gjeroven, Sadovicë e Paftal ndërsa në krahun tjetër të luftimit ishin përqendruar në Velabisht, Qafa e Mbretit Palikësht, Starovë, Mali i Kules deri në Mbreshtan. Për këtë betejë u mobilizuan përveç çetave partizane , çetat territoriale të fshatrave Velabisht, Starovë, Remanicë, Veterik, Gjeroven, Veleshnje e Mbreshtan dhe në mbështetje të tyre ishin të gjitha çetat e tjera të fshatrave të Shpiragut. Beteja ishte shumë e përgjakshme me jetë njerëzore të humbura, dëmtime të mëdha ekonomike e sociale etj. Kulmin beteja e Palikështit e arriti në përleshjen e ashpër trup me trup në Qafën e Mbretit Palikësht ku forcat italiane pas kësaj përleshje u thyen dhe u tërhoqën në drejtim të Beratit. Beteja e Palikështit ishte disfatë e madhe për forcat italiane të cilët lanë në fushën e betejës 50 të vrarë, mbi 50 të plagosur, 40 kafshë dhe një sasi të konsiderueshme armatimi luftarak. Nga forcat italiane u vra edhe N/komandanti i kavalerisë . Ndërsa nga forcat partizane u vranë 11 partizanë u plagosën disa të tjerë .Dëshmorët që dhanë jetën në këtë betejë janë Xhezmi Saraci. Xhemal Dalipi, Shefit Dhia, Barjam Zylali, Islam Skorani, Kadri Grëmshi, Hasan Ngjela, Mino Xhindi, Muhamet Kosova, Ramadan Sadiku dhe Nasi Vogli. Nga 11 dëshmorët e vrarë 6 prej tyre ishin të çetave partizane ndërsa 5 ishin të çetave territoriale. Si rezultat i kësaj beteje u dogjën 600 shtëpi, kasolle, bazë ushqimore për bagëtinë, prodhime bujqësore, gjë e gjallë pra si konkluzion u dogj përfundimisht e gjithë krahina dhe në këtë krahinë kishte rënë zia. Kjo betejë ishte provë e forcës, vullnetit, guximit e trimërisë të partizanëve të krahinës së Shpiragut dhe tregoi e vërtetoi plotësisht se një popull sado i vogël që të jetë nuk ka çfarë ti bëj asnjë forcë e madhe armike sado e armatosur të jetë kur luftohet për të fituar lirinë e pavarësinë e vendit. Jehona e kësaj beteje kaloi kufijtë e vendit tonë e u ndje deri në Romë duke shtuar panikun në radhët e forcave italiane që kishin dalë të humbur nga kjo betejë e zemërim të madh te drejtuesit e lartë të ushtrisë italiane. Fitorja e betejës së Palikështit u organizua e u drejtua nga Qarkori i partisë i cili në fund të vitit 1942 në fshatin Palikësht organizoi Aktivin e partisë ku u zbërthyen vendimet historike të Konferencës së Pezës duke bërë thirrje krahinës për mobilizimin e banorëve në shtimin e radhëve të partizanëve për të liruar atdheun. Në prag të betejës së Palikështit në fshatin Sadovicë në familjet e patriotëve Shako Veliu(Abazi) e Andrea Shyti u mblodhën drejtuesit e çetave partizane , drejtuesit e çetave te krahinës , persona me influencë në zonë e mbështetës të LANÇ ku u diskutua mënyra e përballimit të këtij sulmi nga fashistët italianë, detyrat luftarake të çetave partizane e atyre territoriale, pozicionet e luftimit dhe puna propagandistike që duhej bërë në popull për mobilizimin e tyre në luftë kundër pushtuesve italianë. Të tmerruar nga Beteja e Palikështit e qëndresa heroike e banorëve të kësaj zone Italia fashiste shpalli gjendjen e rrethimit të qytetit të Beratit duke ushtruar terror ndaj kuadrove drejtues të Qarkorit të partisë e drejtuesve të LANÇL për qarkun Berat. Në ditët e këtij rrethimi në qytetin e Beratit u vranë dëshmorët Kostandin Leka, Andrea Vrusho dhe Kristaq Capo që ishte dhe antar i Qarkorit të partisë.U kapën befasisht e tradhëtisht Heroina e Popullit Margarita Tutulani dhe vëllai i saj dëshmor Kristaq Tutulani të dy anëtarë të Qarkorit të partisë që pasi u arrestuan u pushkatuan më 6 Korrik 1943 në fshatin Gosë të Kavajës. Gjatë ditëve të rrethimit të qytetit të Beratit fashistët italianë nuk lejuan të hynin e të dilnin nga qyteti banorët e zonës së Shpiragut. Rrethimi e masakra e bërë në qytetin e Beratit, ndalimi i banorëve të zonës së Shpiragut të hynin e të dilnin në qytet u bë një javë pas disfatës së pësuar në betejën e Palikështit. Fashistët italianë nuk hoqën dorë asnjëherë nga hakmarrja që duhej ndërmarrë ndaj zonës së Shpiragut. Më 14 Korrik 1943 dy javë pas betejës së Palikështit italianët duke sulmuar me artilerinë e rëndë e aviacionin ushtarak dogjën për herë të dytë krahinën e Shpiragut duke dëmtuar edhe atë pak pasuri që kishte mbetur pas 29 Qershorit 1943. Edhe në këto kushte terrorizmi, fashizmi Italian nuk i trembi banorët e kësaj zone për të marrë pjesë masivisht në LANÇ, por urrejtja ndaj tyre i mobilizoi ata për të krijuar formacione më të mëdha luftarake partizane. Populli i kësaj krahine për të përjetësuar Betejën e Palikështit thuri këto vargje:

Itali ç’t’u bë ushtria?

Ma ka korrur trimëria

Në Shpiragun vija vija.

Më 20 gusht 1943 formohet Batalioni i Shpiragut, më 25 gusht 1943 formohet Batalioni i Malit të Bardhë dhe 14 Nëntor 1943 në fshatin Sinë u krijua Grupi i Dytë Partizan i Shpiragut. Partizanët e batalioneve të Shpiragut, të Malit të Bardhë e të Mesit të Urave kaluan në përbërje të brigadave partizane. Shumica e partizanëve nga Shpiragu u rreshtuan në radhët e Brigadës së Shtatë, ndërsa pjesa tjetër në Brigadën e Parë, të Dytë, të Tetë, të Dhjetë e të Gjashtëmbëdhjetë. Më 18 Shtator 1943 forcat partizane të Shpiragut hynë në qytetin e Beratit dhe të nesërmen së bashku me forcat e tjera partizane çarmatosen forcat italiane dhe i gjithë armatimi i ushtrisë italiane bie në dorë të partizanëve . Për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kontributi i kësaj krahine është mjaft i madh. Kjo krahinë është ndër krahinat e para në rreth e Qark që u hodh pa rezerva në mënyrë masive në mbështetje të LANÇ duke marrë pjesë aktive në këtë luftë. Në këtë krahinë ka mbi 40 familje “Baza të rëndësishme të LANÇ”. Është krahinë e rrallë në vendin tonë që në përbërje të saj nuk kishte asnjë fshat kundër LANÇ. Nga zona e Shpiragut dhanë jetën 72 Dëshmorë dhe mbetën Invalidë Lufte 10 persona. Në LANÇ morën pjesë partizanë nga të gjitha fshatrat e krahinës dhe dëshmorët e rënë gjatë luftës janë bij e përfaqësues të çdo fshati. Nga dëshmorët e LANÇ këtë vit 18 prej tyre kanë 75 Vjetorin e rënies .Ata janë Ismail Zyla, Kadri Grëmshi, Ramadan Sadiku, Xhemal Dalipi, Kici Thanasi, Islam Skorani, Riza Mulita, Asim Lybeshari, Shefit Dhia, Barjam Zylali, Sali Demo, Ismet Demo, Hasan Ngjela, Muharem Çaushaj, Skënder Hysaj, Muhamet Kosova, Mino Xhindi dhe Nasi Vogli. Të kujtosh e të mbrosh ata që dhanë jetën për liri është detyrim e obligim i brezave . Të rënët mbartnin vlera liridashëse për familjen, fshatin, krahinën e gjithë Shqipërinë, Gjaku i tyre do të jetë gjithmonë i pavdekshëm. Liria që ne gëzojmë sot është simbol i këtij gjaku të derdhur për liri e demokraci. Gjithmonë të rënët do të nderohen e do të respektohen me nder e lavdi të përjetshme. LANÇ ndau përfundimisht fituesit nga humbësit dhe atdhetarët nga tradhtarët dhe asnjë herë nuk do të vihet shenja e barazimit. Banorët e zonës janë krenar për zonën por edhe ne jemi krenar pasi jemi nga kjo zonë, të lindur, rritur e edukuar me traditat e shkëlqyera të kësaj zone.

Petro               Olldashi          Veterani i LANÇ

Xhezmi           Malaj              Pasardhës veteran

Mensur           Hoxha Pasardhës veteran