Ushtria shqiptare ishte e shpërndarë në çdo cep të Atdheut

1069
Albert Z. ZHOLI

Vijon nga numri i kaluar
Flet Xhemil Çelaj, ish-ushtarak i lartë: Si u katandis ushtria e kryekomandant Berishës në marsin e egër të 1977-s, Nën dritën e zhvillimeve të 5 ditëve të para të gjendjes së jashtëzakonshme, nga 2 – 7 mars 1997
Xhemil Çelajka qenë shefi i degëssë zbulimit në Korpusin e Shkodrës. Ish shef i Katedrës së zbulimit në Akademinë Ushtarake deri në pension.
Cilët ishin faktorët që ndikuan si në rastin e parë edhe në të atë të dytë? 
Është vështirë për mua t’i analizoj në shkallë të mjaftueshme në këtë shkrim. Ndaj më gjerësisht po ndalem në ndonjërin prej tyre për të cilat kam edhe një shkallë disi më të thellë njohjeje. Në radhë të parë do të evidencoja faktin se populli atëherë repartet ushtarake, ushtrinë në tërësi dhe teknikën e armatimin në to, i vlerësonte, i ruante dhe i mirëmbante si mjete të domosdoshme për të luftuar armikun e jashtëm dhe jo si mjete për zgjidhjen e rivaliteteve të brendshme. Por një ndikim të fuqishëm kishin edhe rregullat e forta të vendosura në mirë-administrimin e tyre. Këto dhe faktorë të tjerë krijuan në popullin-ushtar një mendim e praktikë të caktuar. Pra, krijuan një psikologji udhëheqëse, se me to nuk mund të bëhet shaka, nuk mund të luhet si me “mall belik”. Sipas kësaj psikologjie armatimet e pajisjet jo vetëm duheshin dorëzuar deri tek maja e gjilpërës, pas përfundimit të stërvitjes ushtarake, por dhe duheshin mirëmbajtur e pastruar periodikisht, por edhe ruajtur ato. Ky nuk është përfundim a mendim vetjak. Është fakt i pakundërshtueshëm i një rruge dhjetëra-vjeçare. Paradoksi, krahasuar me sot qëndron në faktin se populli sulmoi depot ushtarake që dikur, pra në shtetin monist, i mbronte vetë nëpër vendroje me fanatizëm!? Proceset demokratike në mbarë vendin normalisht se do të përfshinin edhe ushtrinë shqiptare. Ajo duhej reformuar, sikurse kam shkruar edhe në “Revista Ushtarake” qysh në shkurt 1992. Jam i ndërgjegjshëm se për gjendjen ku u katandis ushtria nuk mund të bëhen përgjegjëse proceset demokratizuese, qoftë edhe ato të vet Forcave të Armatosura. Me njohjen që kam, më saktë me bindjen që zotëron te unë, përgjegjësia e deri fajtorët duhen kërkuar te mënyra se si u realizuan këto transformime apo “reforma”në FA dhe te qëndrimi që mbajti politika partiake ndaj çështjes së mbrojtjes së vendit në tërësi dhe reformave ushtarake në veçanti. Por edhe te aftësia dhe qëndrimi i kuadrit të lartë ushtarak në krye të saj. Në dy vitet e para të periudhës së tranzicionit punoja pranë Akademisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, si shef katedre. Pa ndonjë orientim nga lartë, nisur nga njohuritë që kisha për shkak të funksionit që kryeja lidhur me transformimet në ushtritë e vendeve të ish Traktatit të Varshavës e duke pritur që këto të ndodhnin edhe te ne, krahas materialeve të shkëputura që dërgoja si katedër në udhëheqjen e MMP, grumbullova dhe hodha në letër, në formë tezash apo drejtimesh, problemet kryesore që gjykoja se duhet të rroknin transformimet edhe në ushtrinë tonë. Duke përfituar nga rasti se unë isha përfshirë në të ashtuquajturin “Grup Organizator” të përgatitjes së Kongresit të 10-të të PPSH, së bashku me Adem Dinon, zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë dhe gjithashtu anëtar i këtij grupi, i parashtruam Krye/komandantit të saj kohe Ramiz Alisë, mendimet tona për reformimin tërësorë të ushtrisë sonë në tranzicion. E gjykonim një proces të zgjatur e të shtrirë në kohë. Gjithsesi duhej filluar sa më shpejtë. Tërësinë e këtyre masave, sikurse edhe në shtypin e huaj ushtarak, e emërtuam “REFORMË USHTARAKE“. Për herë të parë termi “Reformë”, në fushën ushtarake, u përdorë në programin e qeverisë “Nano-2” (pas ngjarjeve të Shkurtit 1991), pikërisht mbi bazën e problemeve të shtruara prej nesh, edhe pse ato nuk u reflektuan të plota. Pra e rëndësishme të theksoj është se, si specialist në fushën ushtarake, në kushtet e ndryshime të thella politiko-shoqërore në vend, ne nuk shikonim ndryshimet si diçka të pjesshme, por tërësore. Megjithatë mendoja se për këtë transformim do të gatuhej çdo gjë mbi bazën e asaj pasurie që ishte arritur në dhjetëra vite, duke jua përshtatur edhe strukturave euroatlantike, ku mendonim se do të afroheshim e të bënim pjesë. Në mbështetje të nevojës për reforma të thella, dëshiroj të ndaloj edhe në problemin e Artit Ushtarak të reflektuar gjerësisht në “REVISTË USHTARAKO SHKENCORE“, kryeredaktor i të së cilës u caktova muajt e fundit të karrierës ushtarake e që përkon me daljen e numrave të parë të saj. Në të, nga fillimi në fund, shtronim idenë dhe drejtimet për një “punim tërësor” të Artit ushtarak dhe te vet strukturave të FA. Po kështu në dy numrat e parë të revistës, me ndjenjë të plotë përgjegjësie, shtronim idenë për transformimin edhe të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve. Kush dyshon le t’i shikojë këto numra të revistës.
Depolitizimi i ushtrisë 
Sa më përket mua dhe katedrës që drejtoja, depolitizimi i ushtrisë ishte një problem i paracaktuar, edhe pse udhëzime nga lart nuk kishte. Ndaj edhe orientova shokët, qysh para ngjarjeve të muajit Shkurt 1991, të bënim spastrimin e materialeve mësimore nga ideologjizimet si dhe politizimet e kohës. Përgatitëm dhe zbatuam një program të detajuar në mënyrë që procesi mësimor i vitit të ri akademik, në shtator 1991, të fillonte me materiale të ripunuara e sa më të depolitizuara. I theksova këto detaje për të qartësuar lexuesin se ndryshimet në ushtri nuk ishin të papritura. Madje nuk ecej në udhë të pashkelura. Përvoja e huaj ishte e pranishme, qoftë edhe në literaturë. Diçka prej saj edhe e hedhur në letër prej nesh. Duke qenë se kisha një shkallë të caktuar njohjeje për reformat në ushtritë e vendeve të Lindjes, duke parë se si po vepronim ne, më dukej se, gjatë gjithë viteve të tranzicionit, mënyrën se si bëhej reforma (në formë e përmbajtje), nuk shkonte në rrugë të mbarë. Në themel të thellimit apo deri të mungesës së besimit qëndronte mënyra se si vepronte partia në pushtet si dhe qeveritarët me ushtrinë. E vlerësonin dhe e trajtonin atë si një “pronë” të tyre. Me të ata mund të bënin si të donin dhe çfarë të donin. Pra nuk e vlerësonin si fushë të interesave themelore të të gjithëve, veçanërisht të mbarë shtetit shqiptar. Këtu, pra në mentalitet, sipas gjykimit tim, fillon edhe rrokullima e ushtrisë shqiptare. Ushtria po futej në një kundërshti gjithnjë e më të ashpër: nga njëra anë proceset demokratizuese kërkonin depolitizimin real dhe, nga ana tjetër, partia në pushtet dukej se kërkonte ta kishte si “vegël qorre”. Mentaliteti që po kultivohej dhe u fut shkallë shkallë, por në mënyrë gjithnjë e më tepër shkatërrimtare në popull, ishte se ushtria u kthye dhe mbetej një “bahçe” partiake e PD-së. Për rrjedhojë logjike, në vështrimin tim, them se nga ky kënd them se ushtria do të respektohej e do të ruhej prej popullit deri në atë moment që do të respektohej e ruhej dashuria e respekti për vet PD-në. Dihet se në demokraci vepron sistemi i rotacionit politik. Ikën njëra parti dhe vjen tjetra. Në kushte normale, në struktura të tilla të depolitizuara të shtetit si ushtria (në se realisht kjo do të ishte e tillë), rotacioni politik nuk bie ndryshime, pra nuk ka e nuk duhet të ketë edhe ndikime. Por te ne, kur populli u shkurorëzua me PD-në, ai nuk do të hezitonte të shkurorëzohej e fatkeqësisht të shkatërrojë, sikurse u veprua, edhe vet “bahçen” e saj-ushtrinë. Partitë politike shqiptare e sidomos Partia Demokratike, kur ishte në opozitë e për fatkeqësinë e saj e tonën, edhe kur erdhi në pushtet, nuk rreshti së punuari për të kultivuar te masa e gjerë e popullit mendimin populist “ç’na duhet ushtria”, “kush do e sulmojë Shqipërinë”, “45 vjet nuk na sulmoi njeri”, “Ç’janë këto bunkerë?” etj. Jo më me dendurinë e forcën që u shtruan, u shkruan apo u artikuluan këto ide, por edhe në një mënyrë më të kufizuar sikur të ishin bërë, në ato kushte të vështira tranzicioni e përmbysjeje të madhe ekonomike politike por edhe morale e psikologjike, që kalonte vendi, do të zinin vend, sikurse zunë, shumë shpejt në ndërgjegjen e masës së njerëzve të thjeshtë. Për një kohë të shkurtër, dukuria e panjohur deri atëherë e refuzimit të qytetarëve për të shkuar në shërbimin ushtarak të detyruar, si një murtajë përfshiu thuajse të gjithë të rinjtë. Jam dëshmitar i dredhive që përdorte shteti për t’i shtënë në grackë rekrutët e t’i mobilizonte ushtar. Vet shteti, në sytë e mi, por gradualisht edhe në ndërgjegjen e popullit, shkatërroi një nga simbolet e shenjta të unitetit kombëtar, sikurse ishte ushtria në çdo shtet e sistem politik. Më tej. Me deklaratat gjithë mburrje që bënte Kryekomandanti dhe qeveria e tij për arritjet e “sukseset” në fushën e mbrojtjes, dukej se nxiste më tej fenomenin negativ. Parulla “Ne qeverisim, bota na ndihmon”, e deklaruar botërisht nga qeveritarët, në fushën e mbrojtjes, sikurse tregonte përvoja, në mendjen e njerëzve përkthehej: “Ne bëjmë qejf -NATO na mbron”. Duke e formuluar në këtë mënyrë mentalitetin që po krijohej te njerëzit, nuk dua të ketë keqkuptim, lidhur me anëtarësimin në NATO. Në të kundërt, deri sa pranova shpirtërisht e moralisht ndryshimin politik në vend, e kam përkrahur. Por më skuqeshin faqet nga turpi, kur dëgjoja ministrin e Mbrojtjes e Presidentin tek thoshin pa gjë të keq se “NATO nuk bën dot pa Shqipërinë” dhe se ne “kishim zënë radhën e ishim gati të parët për t’u pranuar në NATO”. Nuk di, por me shkallën time të njohjes, e vlerësoja një diletantizëm e madje një idiotizëm ministror e presidencial. Tërësia e këtyre thënieve e praktikave, sikurse dëgjoja edhe në bisedat e njerëzve të ndryshëm, të çonte te mendimi se “Ç’na duhet ushtria, rrofshin të tjerët që do të na mbrojnë!”.Reformimin e ushtrisë e konceptoja dhe e prisja të bëhej mbi baza të shëndosha shkencore, me mendim të pjekur teorik e veprime të matura praktike. Mbi të gjitha gjykoja se do të hidheshin baza të shëndosha ligjore në aspektin e koncepteve themelore të doktrinës së re ushtarake. Pra me mendim bashkëkohor si pikënisje për Reformën. Pa një mendim të shëndoshë, të bazuar në kushtet konkrete jo vetëm të vendit por edhe të mjedisit gjeopolitik përreth, në rajon e më gjerë nga pret edhe rreziqet më evidente, nuk mund të veprosh drejt. Por fatkeqësisht me sa njohim zhvillimet, ende pa krijuar mendimet, pa një teori të qartë, pa një programim tërësor, u kalua direkt në zbatimin e Reformës strukturore të ushtrisë. Pikërisht pse nuk kishte një bosht teorik e programim shkencor, reformimit të strukturës, sikurse jemi dëshmitarë, iu kthye e rikthye disa herë. Po disa herë, vetë Kryekomandanti, deklaronte në mënyrë ceremoniale se “Përfundoi me sukses reforma strukturore” dhe se do të vazhdonte Reforma në fusha të tjera. Pse ndodhte kështu? Duket se në praktikë nuk shikohej më tej se maja e hundës. Kështu nuk dëgjohej të flitej a punohej për përpunimin e koncepteve themelore doktrinore; cilat ishin detyrat themelore që do të përballonte ushtria në zhvillimet reale që kalonte vendi e si, por edhe të zhvillimeve kaotike e shpërthyese për rreth vendit tonë; çfarë kosto ekonomiko-financiare duhet të përballonte vendi dhe a i kishte mundësitë e cilat do të ishin rrugët për sigurimin e tyre; cila do të ishte dhe në se do të konsistonte realisht ndihma e huaj ushtarake që trumbetohej aq shumë e ç’faturë financiare e materiale duhet a mund të ofronim etj. Kësaj i thonë të vësh karrocën përpara kalit. Pra, realisht ngrihej godina strukturore e FA pa ditur se çfarë e sa duhej futur në të. Ndoshta elementë të këtij përfytyrimi të punës së bërë për reformën vjen edhe nga mungesa e transparencës. Nuk e përjashtoj. Vetë Doktrina e përgatitur dhe e botuar në vitin 1995, nga sa lexova në shtypin ushtarak, zyrtar para se të vija në Greqi, realisht ishte ndërtuar sipas konceptit “Neve bëjmë qejf – ata (institucionet politike e ushtarake euroatlantike) do të na mbrojnë”. 
Pse e thoni këtë? 
Në dokumentin e Doktrinës, më shumë dhe më konkretisht, bëhej fjalë në mënyrë moralizuese për të tjerët, për organizmat ndërkombëtare, funksionet e detyrimet e ndërsjella në mes të aleatëve (anëtarëve) dhe jo të atyre që aspironin të futeshin në ato struktura, sikurse ishim ne. Nga ana tjetër, për atë se çfarë do të bënim ne, pra strukturat tona politike e veçanërisht ato ushtarake, flitej shumë më pak dhe në mënyrë tepër të përgjithshme, deri evazive!? Madje në dokument, çështja kombëtare që do të përbënte kryesisht një problem parësor të Politikës së Sigurimit dhe të Politikës së Mbrojtjes, trajtohej sikurse e donte Evropa, si një çështje pakicash dhe jo sikurse i interesonte çështjes sonë kombëtare e që kërkonte zgjidhje. Kuadrot ushtarake dhe politika që ndjek shteti ndaj tyre, është një nga treguesit më tipikë të seriozitetit të sjelljes së shtetit ndaj çështjes së mbrojtjes dhe vetë fateve të vendit. Në kuadrin e reformës ishte e pranueshme se do të bëheshin shkurtime, madje të ndjeshme në korpusin e oficerëve. Por ajo që nuk pritej ishte tendencioziteti tejet ekstremist politik që u ndoq. Nuk u mbajtën në vëmendje: aftësitë profesionale ushtarake e teknike dhe shkallët e hierarkisë ushtarake. Fakti që 12 vitet e fundit të karrierës unë punova si mësimdhënës, më mundësoi të kaloja nëpër duar thuajse të gjithë kuadrot ushtarake të nivelit; batalion e lart që vepronin në atë kohë në ushtri. Këtej kam njohje për shkallën e aftësive të tyre profesionale dhe nivelin intelektual. Kur u bënë disa emërime dhe gradime në strukturat më të larta ushtarake, një miku im, me kërkesën time, pyeti njërin nga funksionarët e PD-së, që mbulonte kuadrin, për rrugët e kriteret që u ndoqën në përzgjedhjen e kandidaturave të gjeneralëve. Ai, pa hezitim, ishte përgjigjur: “ata na shërbyen-ata shpërblyem!?”. Më qartë nuk mund të thuhet se si ishte bërë apo çka unë mundohem të sqaroj në këtë shkrim. Kjo, në tërësi, përkonte edhe me vlerësimin tim për aftësitë profesionale të tyre. Këtu gjykoj se qëndron edhe turpi, por edhe rezultati aq i hidhur i pritshëm i politikave partiake në çështjen e mbrojtjes së vendit. Si shqiptar, i ndjej se edhe ata, arkitektët e asaj politike, duke parë se ku u katandis vendi dhe ushtria, tani mund të mendojnë me keqardhje, si edhe unë apo duke ditur gjërat më nga afër edhe më keq. Por është tepër vonë! Haraçi që po paguajmë si mbrojtje dhe si popull po bëhet gjithnjë e më i rëndë. Një ushtri e ngre në nivelin e misionit të saj, përgatitja dhe edukimi profesional dhe moralo-atdhetar. Por edhe pse u fol shumë në këta 5 vjet për një përgatitje intensive, madje edhe në veprimtaritë jo të pakta stërvitore të përbashkëta me të huajt, një privilegj për kuadrot e sotme ushtarake në krahasim me të kaluarën, praktika e këtyre ditëve tregoi lakuriq të kundërtën. Faktikisht ushtria, as qenkej stërvitur e as edukuar profesionalisht. Vepronin shumë faktorë. Këtu do të veçoja mohimin e traditës kombëtare. Pa dyshim që edhe në këtë fushë do të kishte trajtime të reja. Gjithsesi nuk mendoja se duhet të kishte mohim total të së shkuarës së afërt apo të largët, sikurse u veprua. Në trajtesat verbale e shkrimet a dokumentet zyrtare periudha 45 vjeçare u mohua tërësisht. Madje ishte “mollë e ndaluar” të zihej me gojë për mirë. Ajo vetëm duhej të përgojohej, të shahej, të nxihej etj, pa shikuar e ndjerë se po shanin e nxinin vetveten, pra embrionin nga po dilte ushtria e re e ristrukturuar.
Mohimi i së shkuarës shkonte hap pas hapi dhe pa ndalesa.
U ndryshua edhe data e themelimit të ushtrisë duke kaluar në vitin 1912. Edhe pse u motivua me faktorë historikë, ishte qartësisht e kuptueshme se u bë vetëm e vetëm të mohohej 10 Korriku, dita e themelimit të UNÇSH, të asaj ushtrie që u bë simbol i ushtrisë shqiptare të pasçlirimit. Personalisht nuk kam gjë kundra caktimit të datës 4 Dhjetor 1912, si ditë e krijimit të ushtrisë. I jam përmbajtur dhe i përmbahem mendimit se sa më në thellësi të historisë (në kohë) të jenë ngritur institucionet shtetërore, aq më mirë i bëhet Shqipërisë. Për më tepër për ne shqiptarët që jemi akuzuar për “paaftësi shtet-formuese”. Por, nga ana tjetër, nuk i bëhet nder dhe as shërbim i dobishëm vendit e sidomos ushtrisë që në aspektin e përvojës dhe të historisë, t’i mohosh asaj më shumë se gjysmën e jetëgjatësisë e, për më tepër, kulme të krenarisë kombëtare e atdhetare. Gjatë LANÇ-it dhe ë ato 45 vjet për asgjë antidemokratike nuk mund të akuzosh Ushtrinë Popullore shqiptare. Në të kundërt, ka shumë për të marrë prej saj. Mbi të gjitha, parë edhe nga këndi i ngjarjeve të tanishme, atë që ajo ishte pranë popullit e mund të themi e shkrirë me të si organizim, armatim, synime, përgatitje e deri jetesë. Ushtria dhe kuadrot e saj, aktivë e rezervistë, sakrifikuan pambarimisht për interesin e përgjithshëm, jetuan me varfërinë e popullit e për popullin, i qëndruan Atdheut besnik e të gatshëm për çdo rrezik. Por asnjëherë nuk u ankuan, asnjëherë nuk e braktisën detyrën, asnjëherë nuk vunë në dyshim (pa folur për rrezik) vetë ekzistencën e ushtrisë, sikurse fatkeqësisht po ndodh sot. Në vijim të argumentimit të mohimit të së shkuarës së ushtrisë sonë dhe të vlerave bashkëkohore të saj, më duhet të vë në vëmendje edhe një detaj që shpreh shumë. Si ish-zbulues, më duhet të veçoj shkallën e lartë të përgatitjes së trupave të zbulimit, përgatitje që në fillimin e viteve 1970-të, u vu edhe në bazë të përgatitjes së të gjithë ushtrisë shqiptare. Me rastin e festave të Nëntorit 1994, në Liqenin artificial, në Tiranë, u bënë disa mësime treguese. Unë i ndoqa në televizor. Sinqerisht ndjeva kënaqësi për nga niveli, ndërkohë që mendoja se në këtë drejtim bëhej pak. Në ndjekjen e mësimeve treguese mori pjesë edhe Kryekomandanti Sali Berisha. U fol në televizor se në mbarëvajtjen e saj kishte ndihmuar edhe një nënoficer i trupave speciale amerikane. Kjo është e natyrshme. Kaq e quaj normale. Por e ndjeva veten të fyer si nuk u tha asnjë fjalë e vetme për përvojën e vetë trupave të ushtrisë sonë!? Ngulmoj te kjo pa e tepruar se mësime treguese, me një nivel shumë më të lartë, të këtij karakteri, në vitet 70-80-të, i zhvillonim me batalionet e zbulimit të korpuseve e madje në disa tregues në vitet 80-të edhe me rezervistë. Vlerësoj shkallën e lartë të përgatitjes së trupave speciale amerikane. Duke i njohur ato edhe kam shkruar me konsideratë për profesionalizmin e aftësitë e tyre e vështirësitë që na dilnin në përballimin e tyre në rast rreziku. Madje kam marrë edhe nga përvoja e tyre (nëpërmjet literaturës së huaj ushtarake) duke e futur në procesin e përgatitjes së zbuluesve tanë. Por nuk mund të mohoj se kam shkruar edhe më me pasion për përgatitjen e zbuluesve tanë. Sigurisht nuk kam ndërmend këtu të bëj krahasim. Kam ndjerë se kemi qenë mbrapa me infrastrukturën, sikurse parapëlqehet të quhet sot. Por them se shpreh një realitet të prekshëm, se këtë mangësi e kemi kompensuar me përkushtimin e pa kufi, me harxhimin në shkallën më të lartë të mundshme të energjive dhe me intelektin e zbuluesve e veçanërisht të kuadrove. Kësaj përvoje të trupës së zbulimit ushtarak shqiptar nuk do ta kishte për turp t’i referohej çdo ushtri, në se do ta njihte atë në brendinë e saj. Por ja që vetë ne, shqiptarët, me një servilizëm për t’u pasur zili, lëmë mënjanë përvojën tonë të vyer ushtarake dhe e kërkojmë atë shumë larg! Dhe kjo vetëm nga ngarkesat politike e servilizmi i disave që janë në krye të ushtrisë (politikanë e aq më tepër ushtarakë). 
Sigal