Sot mbushen plot 106 vjet nga zhvillimi i punimeve të Kongresit të Manastirit

771
Sigal

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, por edhe emigrantë

Sot mbushen plot 106 vjet nga zhvillimi i punimeve të Kongresit të Manastirit (ose Kongresi i Alfabetit). Ky mbetet Kongresi më i rëndësishëm i të gjithë historisë së germave shqipe. Ishin ata burrat e ditur, që shkrinë pasurinë për Shqipërinë, që organizuan Kongresin e dijes dhe të alfabetit tonë të bukur. Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jo latine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste ‘’Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare të fesë myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur dhe te gjithë erdhën së bashku të bashkuar si vëllezër për një qëllim të madh kombëtar.

 Kumtesa e Gjergj Fishtës

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha jonë Shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

Ndre Mjeda, një studiues jezuit, i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë:

Përmbi za, që lëshon bylbyli,

Gjuha shqipe m’shungullon,

Përmbi erë, qi nep zymbyli,

pa da zemrën ma ngushëllon.

Gegë e toskë, malësi, jallia,

jan nji komb, m’u da s’duron,

fundë e majë nji asht Shqipnia,

e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

Shtypshkronja

Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetar myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme Bashkimi i Kombit si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore. Ndërkohë, çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas për shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës të lexonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë ortodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë. Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e At’ Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke. Tri herë turku ja dogji shtëpinë dhe librat shqip, por At’ Melani nuk pyeti. Më 24 dhjetor 1917, At’ Stathit i kishin zënë pritë banda e kusarëve të Josif  Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën.

 Klubi i Manastirit dhe rëndësia e tij

Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politik. Klubi korçar ‘’Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 Nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipnin që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës.

 Heronjtë e alfabetit

Petro Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 Shtator 1892, peshkopi i Kosturit Fillaterri nxori një lajmërim me titull “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të shkolluar. Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të shkolluar të gjuhës shqipe. Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipërisë, nga data 20 deri 27 Gusht të 1909. Në këtë Kongres tetë ditore, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet ‘’Shkolla Normale në Elbasan” një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njërës të mësuar në Universitetet e huaja europiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar trupin pedagogjik.

Shpërthimi i shqiptarizmit

Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipni dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlonë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlonës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipnia, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq. Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi mosleimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë moslemane. Njërës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Xhonturqëve në Stamboll shoqërinë ”Mahfeli” me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti” me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me germa arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7000 njerëz protestuan kundra përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 mijë vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me germa arabe, të dërguara nga Stambolli.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI