Si e çliruam Shqipërinë më 28 nëntor ‘44

136

Leonard VEIZI

INTERVISTA III/ Flet Abaz Hoxha, ish-partizani 14-vjeçar i Brigadës së Pestë Sulmuese

(vijon nga numri i kaluar)

Mund të jetë edhe kështu… që data e çlirimit të Shqipërisë nga trupat e Rajhut të Tretë, të mbajë datën e 28 nëntorit. Abaz Hoxha, ish- partizan në Brigadën e Pestë Sulmuese, thotë për “Telegraf” se më 28 nëntor, në majën e një tribune, ku shihte parakaluesit fitimtarë, Enver Hoxha shpalli publikisht çlirimin e plotë të Shqipërisë. Dhe po atë mbrëmje Radio Londra njoftoi botërisht këtë ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar. Por si do të vijonin luftimet deri në këtë ditë? Abaz Hoxha, partizani 14- vjeçar i Brigadës së Pestë vazhdon rrëfimin e tij:

Batalioni juaj u shkëput nga Brigada e Pestë. Ku u dislokuat?

Morëm urdhër që të dislokoheshim në zonën e çliruar të Tiranës. Kishin filluar luftimet për çlirimin e saj nga divizion që komandohej prej Mehmet Shehut. U vendosëm në një vilë në rrugën “Bardhyl” dhe në ndërtesat e tjera dy-tre katëshe. Një pjesë e Tiranës ishte çliruar. Luftimet bëheshin kryesisht në Pazarin e Ri dhe rrugën që më pas u quajt “Rruga e barrikadave”, vazhdonin deri tek fundi i Bulevardit “Musolini” dhe shtypshkronja, ish- stabilimenti “Bashkimi”, ndërsa në jug ishte marrë Pallati Mbretëror dhe ishte frenuar sulmi nga një bunker gjerman që ishte në rrugën e Elbasanit. Një qendër e fortifikuar ishte Sheshi “Skënderbej” ku ishte vendosur një bunker me kupolë tanku, që rrotullohej në 360 gradë e mbronte të gjitha rrugët që vinin drejt qendrës. Ky bunker ishte lidhur me një tunel nëntokësor me ish- Bashkinë e Tiranës dhe bënte roje të pandërprerë 24 orë dhe nuk lejonte që trupat partizane t’i afroheshin qendrës. Luftimet kryheshin kryesisht natën ndërsa ditën shtinin vetëm pikat e fortifikuara gjermane në drejtim të stacionit të sotëm të trenit, rrugës së Durrësit, Kavajës, ndërtesës së sotme të universitetit si dhe në drejtim të rrugës “28 Nëntori” vetëm kur ata shikonin ndonjë lëvizje, qoftë edhe të vogël.

Në cilën pjesë të kryeqytetit do të sulmonte batalioni, ku bëje pjesë?

Batalioni ynë nuk u fut në luftime, por kryente përgatitje dhe funksione patrullimi në lagjet e çliruara për të kapur ish spiunë dhe bashkëpunëtorë të armikut. Dy ditë para çlirimit u lejua edhe batalioni ynë të futej në luftime përkrah forcave të Brigadës së I-rë që kishte çliruar rrugën e Durrësit dhe po rrethonte Radio Tiranën në rrugën e Kavajës. Kompania jonë u rreshtua prej Radio Tiranës deri tek shtypshkronja sot “Mihal Duri”. Unë me skuadrën time u ndodhëm në rrugicën më poshtë Radios. Skuadër komandanti vendosi dy partizanë, njëri me automatik, në ndërtesën dy katëshe në anë të rrugës së Kavajës që lidhesh me rrugicën ku ndodheshim ne. Unë, që isha më i vogli, n’atë kohë 14 vjeç, kisha një automatik anglez që ma kishin dhënë mbas sulmit që bëmë mbi bazën e Abaz Kupit në fshatin e Shën Palit që ja u kishin hedhur aleatët me parashutë, ndërsa skuadër komandanti që ishte edhe i sëmurë me ethe kishte një pushkë të gjatë. Dolëm në rrugën e Kavajës ku gjendeshin shumë trupa, ushtarakë e civilë, të vrarë në rrugë dhe trotuarë. Gjermanët po tërhiqeshin në drejtim të aeroportit të Tiranës. Bashkë me shokun tim kaluam në anën tjetër të rrugës së Kavajës karshi shtypshkronjës. Një nuse e re po ulërinte pranë trupit të burrit dhe babait të saj të vrarë gjatë natës nga gjermanët. I kishin vrarë burrin dhe babanë, shtëpia ishte kthyer në gërmadhë e vazhdonte të digjej. Natën e fundit gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre bënë shumë krime në popullsinë civile, ç’gjenin përpara i pushkatonin. Ishte një skenë makabër që më është fiksuar në memorie.

Ndërkohë ju vazhduan ndjekjen?

U dha urdhri që të vazhdonim ndjekjen e gjermanëve në drejtim të aeroportit të Tiranës. Ne u ngjitëm në katin e dytë, në tarracën e një ndërtesës dhe andej të qëllonim në drejtim të gjermanëve që po grumbulloheshin drejt aeroportit. Zura pozicion në një qoshe të tarracës dhe fillova të qëlloj. Por automatiku im përsëri u bllokua. U ula poshtë parapetit të tarracës dhe fillova përsëri të merresha me automatikun. Gjatë natës kisha grumbulluar 7 karrikatorë që mezi i ngrija. Më ishte bërë një mani për të grumbulluar sa më shumë fishekë ndonëse për moshën dhe trupin tim të vogël ishin një barrë e madhe. Gjatë natës disa partizanëve të tjerë që kishin të njëjtin automatik u ishin bllokuar dhe kishin hedhur ata dhe karrikatorët e kishin marrë pushkë të gjermanëve të vrarë për të vazhduar luftën. U kthyem dhe shkuam në rrugën “Kont Urani” në ndërtesën e Radio Tiranës. Në katin e dytë ndodhesh një thes me sheqer i lënë nga gjermanët. Deshëm të hanim, sheqeri ishte një gjë e rrallë dhe kishim kohë që nuk e kishim provuar, por komandanti i kompanisë na ndaloi; “Mos prekni asgjë, na tha. Sheqeri mund të jetë i helmuar.” Brenda ishte një kaos i vërtetë. Karrike dhe tavolina të thyera dhe të hedhura tutje e tu, dritare me xhama të thyer sikurse dhe mikrofonë e altoparlantë të hedhur sa andej këndej.

Po me popullsinë civile si u veprua ato ditë?

Morëm urdhrin që disa patrulla partizane të shpërndaheshin nëpër rrugët e Tiranës dhe të ndalonim popullsinë të dilte nëpër rrugë për t’i mbrojtur se mos gjermanët kishin bërë minime për të shkaktuar terror dhe hakmarrje. Mua me Lirinë, një partizane optimiste, e qeshur dhe e shëndoshë të cilën më vonë nuk kam pasur mundësi ta takoj më, na caktuan të kontrollonim rrugën e Kavajës nga Shtëpia e Oficerëve deri ku ndodhet sot Poliklinika Nr.9 si dhe rrugicat që lidheshin me të. Në hyrje dhe shkallët e Shtëpisë së Oficerëve ishte një kasaphanë e vërtetë, mbushur me trupa, kryesisht oficerë dhe nënoficerë gjermanësh të vrarë. Tek tuk midis tyre ishte edhe ndonjë civil nga bashkëpunëtorët e tyre. Skena të llahtarshme, por në zjarrin e luftës këto të duken normale, kur mendon se një natë më parë vetëm në skuadrën time ishin vrarë dy partizanë dhe skuadër komandanti ishte plagosur. Pra brenda nesh ziente ndjenja e hakmarrjes. Në një trotuar ishte një nënoficer gjerman i plagosur rëndë në frymëmarrjet e fundit. Edhe atë e shikonim me ndjenjën e urrejtjes. Na ishin shuar gati në zero ndjenjat e dhembshurisë të kohës së paqes, ndonëse edhe ai ishte bir i një nëne që priste ta shihte pas shumë vjetësh t’i kthehesh. Unë isha ende një fëmijë 14 -vjeçar, një njeri që para se të shkoja në male më dhimbsej edhe therja e një pule. Por lufta është e egër, ajo pa dashur të kthen në një bishë të papërmbajtur. Lufta vazhdonte, ishim futur në vorbullën e saj. U futëm nëpër rrugicat dhe nëpër familjet duke u thënë të mos dilnin nëpër rrugë se ishte me rrezik.

Lufta kundër analfabetizmit

“Ishin vite të vështiraLuftë dhe vetëm luftë. Sa mbaronte një fushatë armike fillonte tjetra. Nuk kishim kohë as të çmalleshim me njëri-tjetrin. Duke marrë parasysh se rreth 70% e partizanëve të brigadës ishin analfabetë, luftës kundër analfabetizmit ju kushtua një kujdes i madh, në kohën e lirë midis betejave. Detyra e parë që m’u dha ishte të drejtoja kursin kundër analfabetizmit. Gjeta një çantë prej lecke, lapsa dhe fletore të cilët i premë më dysh dhe ua shpërndamë partizanëve që nuk dinin shkrim e këndim. Në një dërrasë të zezë me disa shkumësa shkruaja germat e alfabetit dhe zhvilloja mësimin. Këtë kurs e vazhdova me partizanë të ndryshëm deri në fund të luftës”.

Si ju priti populli i kryeqytetit?

Burra e gra, pleq e plaka na pritën me përzemërsi dhe na mbuluan me puthje e përqafime të çliruar nga ankthi dhe nga tmerri që kishin kaluar sidomos ditët e fundit kur gjermanët kishin marrë shumë masa represive dhe kishin pushkatuar shumë njerëz të pafajshëm. Papritur na doli përpara një nga motrat e Qemal Stafës, atij që ishte bërë simboli i sakrificës dhe vetëmohimit, e heroit kombëtar që na frymëzonte në betejat luftarake. Na u duk se takuam vetë Qemalin, ndonëse atë nuk e kishim njohur kurrë personalisht. Ajo na përqafonte dhe qante me dënesë. Iu kujtua vëllai që nuk arriti ta gëzojë lirinë. Gjithë banorët nuk dinin si të na përgëzonin dhe na ofronin çdo gjë që u kishte mbetur, por ne duhej të vazhdonim kryerjen e detyrës. Gjatë natës, nga reparte të veçanta xhenierësh që ishin përgatitur gjatë luftës, u kontrolluan të gjitha rrugët se mos kishte minime. Të nesërmen më 17 nëntor, që herët në mëngjes, rrugët e kryeqytetit u mbushën me partizanë e popull që festonin me hare. Përqafime të pafundme nga njerëz krejt të panjohur, buçitën këngët dhe vallet partizane nëpër rrugicat dhe sheshet që nuk prekeshin nga bunkeri gjerman i vendosur në qendër. Ndonëse kryeqyteti praktikisht ishte çliruar bunkeri gjerman në qendër të Tiranës vazhdonte të rezistonte dhe u bë një rrezik për forcat partizane dhe popullin. Ai rezistoi disa ditë derisa iu mbaruan municionet dhe furnizimi dhe pastaj ata dolën nëpërmjet të tunelit që i lidhte me Bashkinë e Tiranës.

“Vjosa” / Takimi i parë me Mehmet Shehun

Dihej që Mehmet Shehu ishte Komandanti i Brigadës së Parë, por jo të gjithë e njihnin atë. Duke kujtuar takimin e tij të parë me kryeministrin e ardhshëm të vendit, Abaz Hoxha thotë: “Gjermanët kishin filluar mësymjen e tyre të madhe për asgjësimin e forcave partizane që u quajt Operacioni i Qershorit 1944. Batalioni ynë i parë kishte për detyrë të mbulonte rajonin Moglicë-Zarec-Qafë e Gjarpërit dhe ishte në qendrën kryesore të sulmit armik në Qafën e Gjarpërit. Duke iu ngjitur kodrës për të zënë Qafën e Gjarpërit u ulëm dhe bëmë një pushim në faqen e saj. Ndërkohë po vinin drejt nesh, duke u ngjitur dy kalorës të armatosur. Ata ndaluan para meje dhe duke më parë me dashuri e dhembshuri, njëri prej tyre m’u drejtua: “A do t’i mundim gjermanët, more trim?” Unë u ngrita pa vetëdije në këmbë mbajta drejtqëndrim, nderova me grusht dhe iu përgjigja: “Do t’i mundim, shoku komandant”. Nuk e njihja se kush ishte se nuk e kisha parë kurrë, por fakti që ai ishte mbi kalë mendoja se do ishte ndonjë komandant i rëndësishëm. Ai zbriti nga kali, më përqafoi dhe iu drejtua shokëve të mi partizanë: “Do t’i mundim patjetër kur në radhët tona veprojnë edhe fëmijë kaq të vendosur për të mbrojtur Atdheun”. Më përqafoi edhe një herë i hipi kalit dhe vazhduan rrugën. Kur ata u larguan ynë e pyeta një shokun tim që kisha pranë se kush ishte ai që më pyeti: “Pse nuk e njeh! Ai është “Vjosa”-Mehmet Shehu”, më tha shoku. Shtanga në vend. Kaq shumë kisha dëgjuar dhe e pata pranë e nuk munda të bisedoja me të. Ai ishte bërë një legjendë. Emri i tij i koduar “Vjosa” ishte bërë tmerr i armikut, ai kish krijuar një personalitet të padiskutueshëm në të gjithë Zonën Operative Vlorë-Gjirokastër, për vendosmërinë dhe trimërinë e tij”.

 Organizimi / Batalioni i disiplinës

Termi “ushtri partizane” do të fillonte të hiqej dalëngadalë nga qarkullimi, përderisa ushtria shqiptare e Luftës së Dytë Botërore, kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe leva të tjera. Dhe ende pa përfunduar mirë lufta, organizimi i ushtrisë kishte filluar. Në një nga këto organizime bënte pjesë dhe krijimi i “Batalionit të Disiplinës”. Abaz Hoxha, pjesë e këtij batalioni rrëfen: Ishte shtatori i vitit 1944. Mbas një luftimi të pandërprerë për rreth 20 ditë rresht në Maqellarë të Dibrës, trupat gjermane u tërhoqën në qytetin e Dibrës së madhe. Pati luftime të përgjakshme dhe na u vranë shumë shokë. Në këtë kohë erdhi një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për organizimin e një batalioni special që do të nisesh drejt Tiranës diku në qafën e Priskës, ku ndodhesh Shtabi i Korparmatës së Parë që kishte marrë porosi të rrethonte dhe të çlironte Tiranën nga trupat pushtuese gjermane dhe tradhtarët e vendit që bashkëpunonin me ta. Batalioni përbëhesh nga tre kompani njëra nga Brigada e parë, tjetra nga Brigada e katërt dhe e treta nga Brigada e pestë. Rasti e pruri që nga brigada e pestë të shkëputesh Kompania e dytë e Batalionit të parë, ku bëja pjesë edhe unë. Në krye të batalionit si komandant u caktua Hajdar Aranitasi dhe komisar Teme Sejko. Batalioni që u quajt “special” u nis drejt Tiranës dhe mbas disa ditësh arritëm në Priskë, ku ndodhesh Shtabi i Korparmatës së parë që komandohesh nga Dali Ndreu me komisar Hysni Kapon. Aty nuk qëndruam gjatë, por morëm detyrën për të shkuar në fshatin Gurrë dhe rrethinat që kishte një pozicion të përshtatshëm se ishte pranë Tiranës dhe kontrollonte rrugën automobilistike Tiranë-Qafë Krrabë-Elbasan nga edhe mund të vinin forca gjermane në ndihmë të Tiranës që po i ngushtohej harku i rrethimit. E quajtëm një nder dhe privilegj që na jepesh mundësia të merrnim pjesë në luftimet për çlirimin e kryeqytetit. Po më vonë morëm vesh se batalioni ynë nuk kishte për detyrë të inkuadrohesh në veprime luftarake, por të përgatitesh për veprime të tjera pas çlirimit të kryeqytetit duke u emërtuar me emrin “Batalioni i disiplinës”.

FESTA / Ja kur u çlirua Shqipëria

“Dita e 28 nëntorit ishte një festë e madhe për të gjithë popullin. Shqipëria ishte çliruar plotësisht. Gjermanët, rreth datave 24-27 nëntor, mbasi u grumbulluan të gjitha forcat në Shkodër, filluan largimin e tyre përfundimisht nga Shqipëria të ndjekur nga forcat e ushtrisë NAÇl. Gjithë rrugët e Tiranës ishin në festë. Qytetarët kishin mbushur rrugët dhe me këngë e valle prisnin me padurim mbërritjen e qeverisë provizore që ishte krijuar në Berat. Batalioni ynë kishte marrë masa të forta sigurie. Erdhën çastet e mirëpritura. Partizanët që kishin çliruar kryeqytetin hynë në sheshin para ndërtesës, ku sot është Universiteti i Tiranës të rreshtuar me kuadrate. Në ballë prinin udhëheqësit që dolën nga lufta: Enver Hoxha i veshur me uniformën e gjeneralit, Myslym Peza, Omer Nishani, Hysni Kapo, ish- komisar i Korparmatës, që drejtonte gjithë operacionin, Mehmet Shehu që kishte komanduar direkt operacionin për çlirimin e kryeqytetit, etj.. Ishte një paradë ushtarake. Populli brohoriste dhe hidhte lule. Para hotel “Dajti” ishte ngritur një tribunë ku kuadrot kryesore me në krye Enver Hoxhën, hipën të përshëndetur nga duartrokitje të zjarrta. Mua më ishte caktuar detyra të qëndroja poshtë në qoshe të tribunës nga ana e ministrive. E.Hoxha shpalli publikisht çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në mbrëmjen e po asaj dite Radio Londra e njoftoi botërisht këtë ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar, por njëkohësisht edhe si një fitore të koalicionit antifashist. Ishte një ditë e paharruar”.

 Pranimi në parti

“Më datën 4 dhjetor më thirri ish- komisari i kompanisë që tashmë ishte bërë i batalionit në zyrën e tij dhe midis të tjerave më thotë se, së shpejti do të kisha një ngritje në detyrë. M’u duk e çuditshme, mbasi unë isha ende fëmijë, 14 vjeç. Nuk vonoi, më 6 dhjetor, në katin e dytë të ndërtesës, më thirrën në një mbledhje. Disa nga pjesëtarët ishin të ulur, por pjesa tjetër në këmbë se nuk kishte karrige. Iu afrova një tavoline dhe u mbështeta pas saj. Në krye ishte komisar Asllani dhe Abedini zv/komisar. Aty më thanë se isha pranuar anëtar i Partisë Komuniste. Kjo m’u duk e çuditshme mbasi unë, duke qenë për gati një vit e gjysmë në radhët e ushtrisë partizane dhe këtë e udhëhiqte Partia Komuniste mendoja se të gjithë, duke përfshirë edhe unë, ishim anëtarë të kësaj partie. Fjalët që u thanë në adresën time për të argumentuar pranimin në parti ishin si një partizan i vendosur dhe trim që megjithë moshën e vogël nuk është përkulur nga asnjë vështirësi dhe që ka dhënë një kontribut të madh në kurset kundër analfabetizmit. Ndërsa unë po dëgjoja i çuditur në çast u ngrit më përqafoi dhe më puthi komisari i batalionit, Asllani”.

 

NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI

-Si u zgjodha delegat në Konferencën e Partisë së Tiranës

-Provokimi i ushtarakëve: Ia mblodhëm Enver Hoxhës

-Çfarë ndodhi në mbledhjen e byrosë në Kinostudio