Sefer Pasha/ Tek Rrapi i Mesaplikut, atje ku ka folur Ismail Qemali gati 100 vjet më parë

155
Sot jeta e shqiptarëve duhet parë në një optikë më reale. Këndejpari nëpër Shqipëri rrjedhin dhe burime të llagarta. Nëpër vitrinat e Shqipërisë ka dhe dritë. Punohet. Investohet. Universi nuk rrotullohet vetëm rreth dramave. Arkitektura e peisazhit me ngadalë, por po përmirësohet. Ka dhe dasma. Nuk ka vetëm këngë morti.
Ishim në Mesaplik të Luginës së Lumit të Vlorës. Edhe pse ka probleme, jeta po promovon një dialektikë, që e thënë me kodet zakonore ia vlen në Mesaplikun e largët të bësh një qokë e të dëgjosh nja dy djem të rinj barinj tek këndonin në brinjat e Shënmjegullës:- /Seç më doli gjumi./E seç m’u bë një këngë./U afrova tek barinjtë dhe i pyeta kur këto ditë shumë të rinj janë nisur drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera dhe ata siç e kanë lebërit ma kthyen më këngë: – /Thuaj sikterr Europës/Si denbabaden/Bredhjet nëpër botë seç na bën verem. 
E kuptova thagmën e këngës dhe impulsin e brishtë të mesaplikasve, të cilëve jo se nuk u pëlqen Evropa, por mund të jetohet mes vedi dhe në Mesaplik si prej qëmoti. 
Në luginën e Vlorës
Gjithsesi jo vetëm në Mesaplik, por në të gjithë Luginën e Lumit të Vlorës, pa përdorur ndonjë metaforë brilante, jeta lëviz. Nuk punohet hopthi, por me mend në bujqësi, blegtori e në turizëm. Në këtë rend jetësor banorët kushtimisht ua janë qepur punëve në çdo front. Edhe emigracionit i është pirë “lëngu”. Luftohet e ndërtohet. Ndërsa po vizitoja jetën e mesaplikasve m’u kujtua një shkrimtar nobelist i cili ka thënë. – “Nga të gjitha gjërat që ndërton njeriu, asgjë nuk është më e bukur dhe më e vlefshme se urat”. Në vendin, ku ka qenë Rrapi i Mesaplikut, dhe ku ka folur Ismail Qemali gati 100 vjet më parë, shoqatat e Lumit të Vlorës kanë vendosur unanimisht për të mbështetur shoqatën “Mesapliku” për ngritjen e kompleksit kulturor kushtuar figurave të shquara të krahinës së Mesaplikut dhe të Kurveleshit të Poshtëm, pranë obeliskut të Ismail Qemalit në Mesaplik i inaguruar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Puna ka nisur dhe kompleksi do të përfundojë në javën e parë të qershorit kur është dhe festa e krahinës. Pranë Obeliskut të Ismail Qemalit do të rreshtohen të gdhendur në skulptura figurat baladeske të Cane Myftarit, Selam Hasani, Zaçe Xhelua, Zigur Lelo, Toto Hosi, Hamit Lumi, Zenel Gjoleka, Lulo Abazi, Sali Vranishti, Memo Mete, Ahmet Lepenica, e Halim Xhelo. Të gjitha këto figura janë ikona, mite e legjenda të Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë. Në Vlorë dhe në Mesaplik skulptorët punonin ne studio mbi dokumentet biografik duke u kapur tek pikat më të forta të heronjve.
Që në orët e para të agut në mes të mesaplikasve befasohesh nga imazhet e ndjeshme të dashurisë për punët në përditshmëri, por dashuria për atdhenë është e vetvetishme. Kjo ndihet tek pasioni për realizimin e kompleksit skulpturor kushtuar heronjve, tek uniteti i një komuniteti të shëndetshëm siç është ai i Mesaplikut, tek investimet në shumë fusha, durimi për të kapërcyer vështirësitë që janë të pranishme, solemniteti për të mos e braktisur vendlindjen, rikthimi tek traditat, kënga, arti gjuhës, mitet, baladat, bota e zanave dhe i vitave, botimi i librave, regjistrimi i kujtimeve, vlerat thelbësisht estetike të traditave të zonës së Lumit të Vlorës, lufta për të mos u dorëzuar përpara maktheve të ekonomisë së dobët, arsyet dhe rrënjët e krizës ekonomike, modestia skajore për të bërë në fshat dhe punët më të rëndomta, artikulimi i kritikave të forta për administratën e pushtetit vendor, sensi i lartë për ta përzënë zgjyrën e madhe të varfërisë dhe boshtin kuptimor se guri i rëndë peshon në vend të vet dhe jo nëpër Evropë. Se nuk ka vend më të magjishëm se Lugina e Lumit të Vlorës.
Me kryetarin e Shoqatës së Mesaplikut 
Së bashku me kryetarin e Shoqatës së Mesaplikut, Namik Jahaj, kemi ndalur tek Obelisku i Ismail Qemalit. Namiku më thotë se për realizimin e kompleksit skulpturor të figurave të shquara të krahinës së Mesaplikut dhe të Kurveleshit të Poshtëm po punojnë me mirësi dhe përkushtim Kryetari i Shoqatës së Vranishtit, Bilal Shkurti, të Velçës, Caush Sinanaj, të Matogjinit, Besnik Lula, të Shoqatës “Labëria”, Ahmet Dema, të Tërbaçit, Albert Abazi, të Bolenës, Rruzhdi Bajrami, të Ramicës, Neshat Leka, të Shoqatës Ismail Qemali”, Bardhosh Gaçe, të Bratajve, Xhafo Muçaj, të Bashajve, Petref Muçaj, e të Gjormit, Gilo Halili. Është një ngjizmë e përbashkët e fjalë për fjalëshme jo vetëm e kryetarëve të shoqatave, por dhe të biznesmenëve, të emigrantëve si dhe e të gjithë banorëve të Luginës së Lumit të Vlorës. Namik Jahaj aty, ku ka qenë Rrapi i Mesaplikut, e ku ka folur Ismail Qemali më dha në dorëshkrim librin “Flakadanët e Historisë” me të cilin ka punuar poeti Idajet Jahaj. Në librin në proces gdhenden portretet e zgjeruara të figurave të shquara dhe heroike të Lumit të Vlorës. Domosdo në qendër të librit është personaliteti i personazhit të Ismail Qemalit, i cili në Mesaplik dhe në Vranisht nuk shpërndau flori, por abetare. Fjalimi i Ismail Qemalit në Mesaplik është kthyer për banorët në një mit. Pasioni për këtë figurë profetike tek rrënjët e Rrapit të Mesaplikut shpreh sot shkallën e perceptuar të inteligjencës të intelektualëve dhe të gjithë banorëve, të cilët mes halleve ekonomike në këtë tranzicion të pacak, duan të promovojnë vlerat historike të krahinës së tyre me emër. Ndryshimi dialektik po ndodh. Dhe ky ndryshim nuk është metaforik, por real, i prekshëm e që ia bën “mu”. Nuk ka vend për pesimizëm, as për t’ia mbathur drejt Gjermanisë, as të flasim me gjuhë të koduar e të shohim ëndrra apokaliptike. Rëndësi ka që është gjetur udha. Ta zgjerojmë atë që të shohim më shumë dritë. Vështirësi do të ketë. Rëndësi ka që të luftojmë të ngrihemi. Pasternaku thotë: – “Njerëzit që nuk janë rrëzuar kurrë në jetë, nuk e kanë zbuluar ende bukurinë e saj”.
Tek Obelisku kushtuar Ismail Qemalit
Udhëtimi në Mesaplik nuk është një kumt letrar. Njerëzit që takojmë nuk janë as lozonjarë dhe as shakatarë. Ata janë me këmbë në tokë. Varfërinë nuk e marrin me të ububushëm. Këtu ku kemi rrojtur denbabaden do ta ngremë jetën në një stad më të lart. Vetë orientimi është pika e tyre më e fortë. Tek Obelisku kushtuar Ismail Qemalit këndonin si për ironi të eksodit këngën e lashtë të Lumit të Vlorës:/ Ne jemi më të parë/ /Në Evropë nga çdo farë/. Vokali i këngës dhe miksi i ndjenjave përhapej si valët sizmike nëpër dallgët e lumit të Shushicës. Njerëzit janë në kërkim të burimeve të të mirave materiale. Asgjë nuk zgjidhet me shkop magjik na thonë vendasit, por me çelës logjik. Jo të shesim mallin e gjënë e të marrim udhët e Evropës, por në qerthullin e jetës të punojmë në vendin tonë, ku kemi element të fortë identiteti dhe sipas mundësive të mos lëmë pas dore as emigracionin. Energjinë krijuese ta vëmë në shërbim në bujqësi, blegtori, turizëm, frutikulturë e në fusha të tjera.
Në përditshmëri në Luginën e Lumit të Vlorës e mes mesaplikasve pyetjet e rënda plumb rrotulloheshin rreth eksodit të ditëve të fundit drejt Evropës e sidomos drejt Gjermanisë. Qysh në krye të herës vetë banorët thoshin se “viktima” ka dhe në viset e tyre. Trafikantët peshkonin dhe atje ku ka ujqër. Gojët e liga thoshin se “Gjermania i ka hapur portat”, “Pakthimësia është e sigurt”, “Gjermanët të peshojnë në euro”, “Të strehojnë e të sigurojnë vendin e punës” e të tjera broçkulla. Është fatkeqësi që disa të rinj, por dhe familjet bien në trillet e kanaleve të krimit. Fantazia dhe mjeshtëria e trafikantëve shpalos tek njeriu i thjeshtë emocione ngjethëse dhe rreziqe fatale. “Muçot” të thonë vendasit të bëjnë që të shesësh shtëpinë e katandinë. Për gjithçka duhet durim. Populli e ka thënë me vakt: – “Çdo gjë vjen në kohën e duhur për atë që di të pres”.
Kompleksi kushtuar figurave të shquara
Në javën e parë të qershorit kur është dhe festa e gjithë krahinës do të përurohet kompleksi skulpturor kushtuar figurave të shquara të Luginës së Lumit të Vlorës dhe të Kurveleshit të Poshtëm. Kjo vepër, e cila po ngrihet në skajin më të tejmë të zonës së Labërisë është fener magjik për banorët e sotëm dhe për brezat që vijnë. Heronjtë tek Rrapi i Mesaplikut do t’i japin jetës kuptim më të thellë. Shoqatat e Mesaplikut si Velça, Ramica, Matogjini, Bashaj, Mesapliku, Bolena, Vranishti, Tërbaçi, Brataj e Gjormi me punën që kanë nisur nuk po krijojnë ndonjë mit ekzotik. Por po shkruajnë një libër të shenjtë për heronjtë e vendit të tyre. Krijuesit po hulumtojnë për detaje të reja për origjinën e heronjve, historinë, gjuhën, traditën, legjendat, autenticitetin, tregimet, baladat, bëmat, pikat lidhëse, përpjekjet e mundimshme, nivelin kulturor dhe gjuhësor, detajet më të imta, vlerat e besës së Labërisë, burimin e shprehjeve, episodet e panjohura, këngët e epërme labe, kodet e odave, kapedanët e fjalës dhe këngët e rapsodëve me emër. M’u në krye të këtyre punëve janë krijuesit vlonjat, të cilët po ecin në të njëjtën kahje me kryetarët e shoqatave të Krahinës së Mesaplikut. Shembulli është sharamant. Heronjtë janë klasik, elegant e universal. I gjithë stafi që është në krye të punëve është i fisshëm. Në këtë rrafsh performanca e tyre synon që këto doza energjie të mendjeve të bukura të ngjizin e të frymëzojnë rininë në mes të halleve me pozitivitet, energji, frymëmarrje dhe dritë. Në këto kohë të vështira personazhet e historisë janë hyjnor dhe ngushëllues. Ciceroni thotë: – “O kohë! – O doke!”. Shembulli i mesaplikasve le të shërbejë dhe për intelektualët e deziluzionuar si një dritë me ngjyresa të forta, se besa po, në Luginën e Lumit të Vlorës engjëjt rrëfejnë ëndrra hyjnore. Jeta jonë me halle shumë gurgullon në rrjedhën natyrore të gjërave. Në Shqipëri jetohet. Shqipëria do të bëhet. Dekarti thotë: – “Mendoj. Pra, jam”.