Sefer Pasha/ Takim emocional për Shtjefën Gjeçovin në Zym të Kosovës

299
Me të kaluar urën e Drinit të Bardhë të shfaqet Zymi, i cili i ngjan një pikture të varur në mal. Tek amfiteatri i Shtjefën Gjeçovit na pret Frrok Kristaj një burrë i thinjur si kreshta e malit të Pashtrikut. Frrok Kristaj është biografi dhe regjisori i manifestimeve për Shtjefën Gjeçovin. Po mbushen 44 vjet që ky burrë fisnik organizon manifestimet kulturore e shkencore që njihen në Kosovë si “Takimet e Gjeçovit”. Frrok Kristaj është fjalë pakët dhe i rreptë. Ai na vë përpara të gjithë krijimtarinë e shkencëtarëve, shkrimtarëve, poetëve, publicistëve, piktorëve dhe këngëtarëve, të cilët në këto 44 vjet kanë hulumtuar dhe kanë krijuar për një nga pionierët e kulturës shqiptare Shtjefën Gjeçovi. E gjithë kjo punë ruhet në arkivin e Zymit.
Zymjanët kanë ardhur nga e gjithë bota. Edhe nga Amerika. Në Zym nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Gjëmon vendi nga këngët e vallet. Mali i Pashtrikut zgjat kokën nga lart kurse Drini i Bardhë i bie violinës së përjetshme. Prej Kryeziut ku kanë lindur të parët e Shtjefën Gjeçovit ka ardhur koordinatori i manifestimit biznesmeni Tonin Alia, Kryetari i Bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj, shkencëtari Xhemal Meçi, gjurmuesi i jetës së Gjeçovit Bilbil Dervishi si dhe kori i këngëve dhe të valleve të shkollës së Kryeziut që mban emrin e gjeniut Shtjefën Gjeçovi. Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kumtesën kryesore e mbajti studiuesi Laurant Bica. Dhe pastaj përshëndeti ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi. Folën e recituan me shumë pasion shkencëtarë, poet, piktorë e këngëtarë. Folësit ishin nga Prishtina, Gjilani, Prizreni, Gjakova, Peja, Tirana, Shkodra, Tropoja, Puka e Mirdita. Salla është mbushur plot e për plot. Në ballinën e sallës vështron Shtjefën Gjeçovi në portret. Sa i madh ishte ky njeri them me vete. Ishte etnolog, arkeolog, shkencëtarë, shkrimtarë e përhapës i arsimit shqip. Shtjefën Gjeçovi ka lindur në Kosovë me 12 gusht të vitit 1874 me prejardhje të të parëve të tij prej Kryeziut të Pukës. Ishte kjo arsyeja që Gjeçovi e përdori Kryeziun për mbiemër. Në vendlindje mori arsimin fillor. Arsimin e mesëm e filloi në Troshan dhe e vazhdoi në Bosnje. Në Kroaci u diplomua për filozofi dhe teologji. Më 1896 e në vazhdim emërohet prift françeskan në Troshan, Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, Durrës, Vlorë, Shkodër e në Zym të Hasit.
Flasin në foltoren e Zymit nga e gjithë Shqipëria, por flasin dhe këndojnë nga Kryeziu. Kryeziasit sjellin me tregimet e tyre copëza nga vendlindja e Shtjefën Gjeçovit. Rrëfejnë për rrënojat e kullës së të parëve të Gjeçovit, për udhët, kroin, qershitë, mullirin, lisat, rrëketë, livadhet, lumin e Kryeziut, Shkëmbin e Diellit e Kunorën e Dardhës. Folësit nga Kryeziu dhe nga e gjithë Kosova e Shqipëria kanë në duar vepra të Shtjefën Gjeçovit si “Dashunia e Atdheut” (dramë), “Shqipëri ngadhënjyese”, “Princi i dy Dibrave, Mojsi Golemi”, “Mënera e Prezës”, “ Përkrenarja e Skënderbeut”, “ Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Tradhti gjakësore”, “vrasja e Marka Kulit” si dhe shumë vepra të tjera të botuara dhe të pabotuara. Teatri në Zym është i papërshkrueshëm. Zymjanët edhe sot e kësaj dite në përditshmëri zbatojnë ato doke e zakone të shkruara e të lëna amanet nga Gjeçovi. Në Zym janë të shenjta e të prekshme riti i lindjes, martesës, mikpritjes, besës, të drejtën zakonore, mitet, baladat, legjendat, besimet e lashta, këngët,vallet, mortet e ligjet e pashkruara të mirësjelljes. Fotografi nga Tirana Kolë Dedaj, lëviz nëpër Zym si një ciklon vjeshte. Ai ka merak malin e Pashtrikut dhe Drinin e Bardhë. Zymjanët janë kureshtar për punimet e artistit Llesh Biba nga Mirdita. Ai ka sjell në Zym punime druri të qëmtuara nëpër motivet e veprës së Gjergj Fishtës. Orët ikin me vrapin e Drinit të Bardhë. Ne që kemi ardhur nga Tirana përshëndetemi me krijuesit nga Zymi e nga Kosova. Në mes të zymjanëve është dhe shkrimtari i mirënjohur Ramiz Kelmendi. I jap dorën talentit nga Kosova. E kam lexuar veprën e tij. Kujtoj në ato çaste tregimet magjike të Kelmendit si “Vdekja e poetit”, “ Me e rëndë se vdekja”, “Lame Lita” e të tjerë. Një tjetër krijues nga Prishtina, Shime Deshpali, më jep me autograf veprën e tij letrare në poezi dhe në prozë. Vepra botohet me parathënie të Hasan Mekulit. Shkrimtarja Fatime Ahmeti më dhuron romanin e saj “Likja”. Po kështu na japin librat e tyre dhe krijues të tjerë nga Zymi dhe nga e gjithë Kosova. Për jetën dhe veprën e Shtjefën Gjeçovit punojnë me zell gjithashtu Nikollë Kërhanaj, Arbnora Kolgjeraj e të tjerë. Takimet e bisedat për Shtjefën Gjeçovin gurgullojnë si Drini i Bardhë që vjen nga Istogu. Mitomani Frrok Kristaj, i cili ia ka kushtuar jetën Gjeçovit i jep Zotit Tonin Alia një libër të vyer për një figurë tjetër të madhe siç është ajo e Pjetër Bogdanit. Libri i Frrok Kristajt titullohet “Pjetër Bogdani Skënderbe i fushës së mendimit”. Në librin e Kristajt thuhet se Pjetër Bogdani ka lindur në “Guri ndë Has”, ku hamendësohet se ky vend mund të jetë nga një lagje në përbërje të fshatit Zym. Një kopje të këtij libri Frrok Kristaj ma jep dhe mua. Me këtë libër në duar afrohem tek shtatorja e Shtjefën Gjeçovit. Dhe më ndizet fantazia dhe vizioni. Edhe Shtjefën Gjeçovi edhe Pjetër Bogdani janë dy kolos të mëdhenj. Zymasit janë brumëzuar dhe frymëzuar nga këto dy legjenda. Kol Dedës i lutem që të bëj sa më shumë fotografi me pamje nga Zymi. Dhe e kam një shkak. Në Zym botohet në vitin 1900 Abetarja e parë me 33 shkronja. Po ku është ajo abetare? Nuk më mjafton koha për të pyetur. Dhe pa u larguar nga shtatorja e Shtjefën Gjeçovit vetëtimthi sjell ne mendje Ismail Qemalin. Plaku i urtë i Vlorës në vitin 1908 i hipën kalit dhe me disa prijësa të tjerë mbërrin në zëmër të Labërisë në fshatin e largët Mesaplik dhe Vranisht. Ismail Qemali në këto fshatra nuk çon flori, por abetare. Edhe sot e kësaj dite në Lumin e Vlorës flasin për abetaret e Ismail Qemalit. Me Tonin Alinë nuk ndahem nga shtatorja e Gjeçovit. Gjeniun e vranë serbët. Po se mos vranë vetëm Gjeçovin. Ata kanë vrarë me qindra e me mijëra. Më ka qëlluar të pres në Kakavijë të Gjirokastrës gruan e Jusuf Gërvallës dhe fëmijët. I solli shteti i Enver Hoxhës pasi serbët vranë vëllezërit Gërvalla. Po ky është një tregim më vete. I mbështetur pas shtatores i recitoj Toninit vjershën e Jusuf Gërvallës “Bekimi i nënës”: – /Le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish/ /bari i zverdhur fare le të jetë/ /nën çatitë e kullës le të pikojë shi/ /le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi/ /le të marri lumi urat e trarët le të thyhen/ /në cung le të ketë një sëpatë për dru/ /lulet e verës le ti ketë prerë me bar kostari/ /le të ftohet/ /ka stinë ku veç parzma e nënës do të ngrohet/. Shtjefën Gjeçovi që nga shtatorja na fton që të mos harrojmë. Atë e vranë serbët se ai përhapte arsimin, kulturën dhe shkencën e Shqipërisë dhe të Kosovës. Dhe e vranë në besë të zymjanëve. Prandaj komuniteti në Zym e përkujton me nderim këtë bir të shquar. Unë ndërsa meditoj së bashku me Tonin Alinë një poete e re nga Elbasani, por e martuar në Zym më jep të lexoj një poezi të saj të cilën ajo e ka thurur në moment:
Në mes të Zymit Shtjefën Gjeçovi,
Shtrëngon duart me Tonin Alinë.
Zogu i Kryeziut një tjetër qershi mbolli,
Aty ku kreshta e Zymit fotografon në Drin.
Tonin Alia i tregon Gjeçovit rrëfana,
Për kopshtin me qershi në Kryezi.
Dhe për zogjtë që me sqep sjellin bërthama,
E i mbjellin në Zym ku u vra një perëndi.
Nuk ndahemi dot prej Zymit. Eshtë e pamundur të përshkruhen të gjitha motivet. Po kush është Zymi? Këtë e shpjegon shumë bukur në poezinë e tij poeti, Hamza Halabaku. Në poezinë “Zymi” ai shkruan: – /Zym/ /Z si zemra/ /Y si ylberi/ /Këtu dikur afër/ /Ka lindur Skënderbeu/ /Këtu bukën e pjek dielli/ /Uji nxirret nga thellësi e tokës/ /Këtu s’kanë bukë për veti/ / E bukë i japin botës/