Sakip Cami: Luftimet dhe dëshmorët e Dibrës, mars 1943

1614
Sigal

(Lista e viktimave të popullsisë së pafajshme të zonës, të vrarë dhe plagosur nga goditjet me artileri të italianëve)

Sakip Cami

Në mars të vitit 1943 Çeta e Dibrës (Grykës së Vogël) ndodhej në fshatin Okshatinë. Komandanti i saj Haxhi Lleshi me një grup partizanësh ishin tek Ruset, ndërsa një grup tjetër tek Rushit Tomja. Mëngjesi i 5 marsit filloi me goditje artilerie dhe me krisma pushkësh e mitralozash. Goditja me artileri bëhej nga fshati Spas i Dibrës së Madhe dhe nga Kodrat e Maranicës, ndërsa goditja direkt e trupave me armë u bë në pozicionet e rrugës Homesh – Ura e Topojanit. Italianët kishin marrë informacion për vendndodhjen e çetës dhe kishin për qëllim eliminimin e plotë të saj. Tek Ura e Serbinit ata pushkatuan dhjetë fshatarë të pafajshëm. Për eliminimin e çetës aktivizuan një batalion të Divizionit „Firence“ i cili organizoi një darë rrethuese ndaj forcave partizane. Po me 5 mars kishte ndodhur vdekja e Shaqir Demës nga Homezhi dhe kishin ardhur për kryeshëndoshë (ngushëllim) Cen Elezi me përfaqësues të tjerë të Parisë së Dibrës. Cen Elezi, bashkë me shoqëruesit e tij të armatosur, teksa kthehej nga një varrim tek Fisi Dema i Homeshit, ndeshet në Okshatinë të Dibrës, me një batalion të divizionit të Firences. Në atë betejë që zgjati gjithë ditën, u vra bashkëshorti i bijës së Mersim Elezit, Ramadan Haraçiu, Ismail Cala, dhe u plagosën Cen Elezi e Halim Lika. Italianët nuk e kishin pasur informacionin për këtë vaki‘ (rast vdekjeje) dhe kështu kishte ndodhur një përplasje e padëshirueshme për ta.

Në raportin që i dërgohej Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, ndër të tjera, thuhej: “Dibër, 8 .3.1943…. Në mëngjesin e datës 4 mars 1943, aty nga ora 10, Fiqiri Dine, Miftar Kaloshi, Cen Elezi, djali i tij, Xhelali, Ali Maliqi, Aqif Lleshi, kryetari i bashkisë së Dibrës Shemsi Hatibi, dilnin nga banesa e Hysni Demës, ku kishin qenë mbrëmjen e datës 3.3.1943, për ngushëllim me rastin e vdekjes së Shaqir Demës…Patrullat… Kërkonin dorëzimin e armëve… Filloi një dyluftim, që zgjati gjashtë orë…”

Haxhi Lleshi, në librin e tij “Vite, njerëz, ngjarje”, botim i vitit 1996, shkruan: “Në fillim të marsit të vitit 1943, vdiq Shaqir Dema… Menduam të bëjmë një takim, se do vinte Paria… Vajtëm në Homesh me dhjetë vetë, te Rifat Rusi e Shyt Tomja (faqe 122)….Gjeneralët Acci e Piccini ishin lajmërue se Haxhi Lleshi me partizanë ishin në Homesh… Krerët me rreth 70 vetë veta u larguan nga Homeshi… Gjatë rrugës, në Okshatinë, takohen me italianë… Qamil Lleshi shtin i pari mbi italianë… Italianët, në tërheqje, pushkatuan dhjetë fshatarë të pafajshëm…. (faqe 124)…Në mortin e Shaqir Demës erdhën njerëz nga çdo anë. Gjithë mëhalla e Mizinës në Homesh caktohet për konak. Erdhi për ngushëllim edhe gjithë paria e Dibrës me shoqëruesit e tyre të armatosur. Erdhën dhe personalitete të kohës nga vende të ndryshme. Në lagjen “Mëhallë” të Homeshit qëndronte Haxhi Lleshi me njerëzit e tij. Në lagjen “Mizinë” ishte dhe Hysni Dema, i cili sapo qe kthyer nga internimi në Itali. Prania e gjithë këtyre njerëzve në Homesh u mor vesh dhe nga komanda italiane në Dibër të Madhe, ku qëndronin dy divizione, të cilët drejtoheshin nga gjeneralët Acci dhe Piccini. Ata, duke menduar se po bëhej një organizim kundër tyre, morën masat e veta, vendosën topa e mortaja në Vojnikë, nga ku kontrollonin rrugën automobilistike. Ndërsa, një kolonë të madhe ushtarësh e nisën për në Homesh. Gjatë rrugës vendosën grupe të armatosura (patrulla). Kolona e ushtarëve italianë u vendos në “Varrezat e Mizinës”, në Homesh.

Në mëngjesin e 4 marsit 1943 në konaqet e burrave, në Homesh ndodheshin: Fiqiri Dineja, Miftar Kaloshi, Cen Elezi, Aqif Lleshi, Ali Maliqi, Shemsi Hatibi, Shehlerët e Zerqanit e tjerë. Biseda sillej rreth italianëve, që nuk lëviznin nga pozicionet…. Njerëzit filluan të shpërndahen…I pari niset Fiqiri Dineja për Maqellarë. Kalon qetësisht rrugën pranë italianëve… Por, kur hynë në Okshatinë, e ndalon një patrullë. Tre oficerë u dolën përpara dhe u kërkojnë letërnjoftimet. Dy të tjerë, nga prapa, nxjerrin revolet. Shoqëruesi i Fiqiri Dines, Sinan Gega, u kthen automatikun dhe hapën zjarr. Vriten disa italianë. Fiqiriu me shokë zbresin poshtë rrugës dhe futen në shelgjet e Drinit. Po në këtë kohë një pjesë e Parisë, me shoqëruesit e tyre, kalojnë në jug-perëndim të Okshatinës. Në vendin e quajtur “Rrafshe” qëllohen nga një pozitë italiane. Malësorët u kthyen pushkën. Italianët, nga Vojnika, qëllojnë me artileri. Predhat bien në zabelet sipër, në Okshatinë dhe në Orma të Drinit. Në të gjitha anët ushtrojnë krismat. Këtu u plagos Cen Elezi dhe u vra miku i tij nga Sohodolli. U vranë dhe ushtarë italianë. Italianët u futën në fshat dhe filluan kontrollet në shtëpitë e Okshatinës. Disa fshatarë u grumbulluan te “Kroi i fisit Kaja”. U rrethuan nga italianët. Fshatarët çanë rrethimin. Gratë e fëmijët largoheshin në zabele. Kudo përleshje. Kjo situatë zgjati gjashtë orë. Partizanët ishin në mes të popullit dhe nuk u dëmtuan, por mbetën të vrarë nga predhat e artilerisë Tefik Boduri nga Okshatina, Mersin e Mane Cllini nga Topojani, Mel dhe Rustem Xheka nga Gjurasi. Mbetën të plagosur Rifat Boduri dhe Tush Lleshi nga Okshatina. (Historiku i LANÇ, Dibër, faqe 390 – 391). Çeta e Haxhi Lleshit u tërhoq drejt Teqesë së Bllacës. Në këtë betejë ka marrë pjesë edhe Ali Maliqi me forcat e tij. Beteja e Okshatinës, mars 1943 ishte një betejë e përbashkët e forcave partizane të Haxhi Lleshit, të Cen Elezit dhe të Ali Maliqit, pra e Nacional Çlirimtares dhe e pjesës patriote të Parisë së Dibrës. Të rënët e kësaj lufte Ramadan Haraçiu dhe Ismail Cala nuk e kanë statusin e dëshmorit të LANÇ.

(Foto me partizanët dibranë të Batalionit të Dibrës)

 

VIKTIMA TË LUFTËS

Viktimat e luftës janë të shumtë. Të zhdukur, të pagjetur, gjak humbur etj. Unë po rendis disa nga viktimat, nga ato që janë evidentuar dhe janë shkruar në librin:“Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e Popullit Dibran“ faqe 390, 391.

  1. Kamber Toska, 12-vjeçar nga Bllaca, vrarë nga bombardimet, gusht 1943
  2. Tefik Boduri nga Okshatina, vrarë nga artileria e italianëve, mars 1943
  3. Mel Xheka nga Gjurasi, vrarë nga artileria e italianëve, mars 1943
  4. Rustem Xheka nga Gjurasi, vrarë nga artileria e italianëve, mars 1943
  5. Mersin Cllini nga Topojani, vrarë nga artileria e italianëve, mars 1943
  6. Mane Cllini nga Topojani, vrarë nga artileria e italianëve, mars 1943
  7. Rifat Boduri nga Okshatina u plagos nga artileria e italianëve, mars 1943
  8. Tush Lleshi nga Okshatina u plagos nga artileria e italianëve, mars 1943
  9. Mehmet H. Haldeda, Lurë, vrarë nga artileria e gjermanëve, gusht 1944
  10. Selman Tollja, Lurë, vrarë nga artileria e gjermanëve, gusht 1944
  11. Haxhi Cuku, Lurë, vrarë nga artileria e gjermanëve, gusht 1944
  12. Isak Shehu nga Kërçishti, vrarë nga italianët në korrik 1943
  13. Hajredin Istrefi nga Kërçishti, vrarë nga italianët në korrik 1943
  14. Hysen Sadiku nga Dibra, vrarë nga italianët në korrik 1943
  15. Bexhet Agolli, nga Herbeli, vrarë nga gjermanët, goditje nga Maranica
  16. Xhevdet Islami, nga Herbeli, vrarë nga gjermanët, goditje nga Maranica
  17. Leme Basha, nga Herbeli, vrarë nga gjermanët, goditje nga Maranica
  18. Nurçe Agolli, nga Herbeli, vrarë nga gjermanët, goditje nga Maranica
  19. Xhere Agolli, nga Herbeli, vrarë nga gjermanët, goditje nga Maranica
  20. Hysni Gjançi nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët në korrik 1944
  21. Ismail Lila, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët në korrik 1944
  22. Ibrahim Seferi, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët në korrik 1944
  23. Mehmet Deda, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët në korrik 1944
  24. Ali Gjaçi, nga Sofraçani, masakruar nga gjermanët në korrik 1944