Rrethanat në të cilat është ekzekutuar Bajram Curri

591
Prof. Dr. Lush SUSAJ

(në 93-vjetorin e vdekjes)
Historia duhet të shkruhet e të kujtohet ashtu siç ka ndodhur. Në këtë mënyrë do të shërbejë, jo vetëm për të kujtuar përvjetorët e rënies së patriotëve, por edhe për të kuruar plagët dhe për të përmirësuar sjelljen tonë shtetërore dhe politike. Ahmet Zogu, me t’u rikthyer në pushtet, ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë dhe krahinave nën influencën e tyre, si Hasit, Malësisë së Gjakovës, Mirditës, Pukës, Shkodrës etj. Sipas Camillo Libardit dhe dëshmive të përsonazheve të tjera të kohës, në sulmin ndaj krahinave që mbështetën opozitën e asaj kohe, përveç reparteve të rregullta të ushtrisë dhe policisë, fatkeqësisht janë përdorur edhe mercenarë vendas dhe të huaj, të grumbulluar me ngut e që janë shquar për sadizëm, injorancë dhe sjellje turpëruese për shtetin, kombin dhe specien njerëzore. Njëlloj si në otomanizëm, edhe në këtë histori të trishtë të sulmit të armatosur mbi opozitariamin, popullsinë e krahinave të Dukagjinit që kerkonte punësim, mirëqënie, qetësi dhe demokraci përfaqësuese, janë përdorur paratë e pista dhe hedhja e krahinave dhe vëllezërve kundër njëri tjetrit sipas parimit të njohur “përça e sundo”. Bajram Curri dhe familja e tij kanë qenë kundërshtarë të njohur të pushtimit otoman. Pas renies së Gjakovës nën sundimin serb, Bajram Curri pati kaluar në Shqipëri dhe qe bërë një kundershtar i moderuar i Ahmet Zogut dhe një përkrahës i hapur i opozitës që përfaqsohej nga Luigj Gurakuqi, Hysni Curri, Luigj Bumçi, Hasan Prishtina, Fan Noli, Lef Nosi, etj. Dihet fakti që Bajram Curri, Hysni Curri dhe Hasan Prishtina, mbështetjen kryesore e kishin në vendin e origjinës së familjeve të tyre, në Nikaj-Mërtur dhe në fshatrat e tjera të Malësisë së Gjakovës, të Hasit, të Shkodres dhe të Prizrenit. Pas rikthimit të Ahmet Zogut, Bajram Curri e dinte dhe e priste hakmarrjën politike që është një sëmundje e vjetër nga e cila shoqëria shqiptare nuk u çlirua asnjëherë. Për këtë arsye, në Janar të vitit 1925, Bajram Curri ka ardhur në Malësinë e Gjakovës dhe ka bërë edhe përpjekje të fundit për të riorganizuar mbështetësit e tij për një qëndresë popullore ndaj dhunës shtetërore të periudhës Janar-Mars 1925. Në këtë kohë, paria e Malësisë së Gjakovës dhe e gjithë popullsia e saj, ndodheshin nën trusninë dhe terrorin e egër të bandave të armatosura të Ceno Beg Kryeziut që i kishte shpallur luftë çdo familjeje dhe fisi që do të guxonte të priste, të mbante me bukë apo t’i shoqëronte drejtuesit e opozitës, si Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën etj. Në këtë kushte, Bajram Curri është gjendur i braktisur nga brenda dhe nga jashtë. Në këto kushte, është detyruar që të arratisej e të qëndronte në male derisa është ekzekutuar në Shpellën e Dragobisë me 29 Mars të vitit 1925. Represioni i vullnetarëve të grumbulluar nën armë pa rregull, pa dije, pa kulturë dhe pa meritë, ka qenë i pashembullt, Me të arritur në Krumë, falë informatorëve të shumtë, komanda e operacionit ndëshkues pati hartuar një listë me të gjithë ata që e kishin mbajtur, mbështetur dhe shoqëruar Bajram Currin gjatë Qershorit 1924 dhe më vonë. Në këtë mënyrë, njerëz të pafajshëm dhe pa asnjë aktivitet apo përkatësi politike, janë arrestuar, janë dhunuar dhe janë dënuar me burg e deri edhe me vdekje. Ndërsa me 21 Janar 1925, vullnetarët gjakprishur kanë vrarë Tarçuk Ramën e Shipshanit, prijësin e njohur të betejave antiosmane në Gjakovë dhe bashkëluftëtar i Bajram Currit. Bashkëkohës të tij kanë dëshmuar për mënyrën se si e kanë arrestuar deshmorin Tarçuk Rama, e kanë torturuar në mënyrë publike dhe çnjerëzore, e më pas e kanë varur në litar në oborrin e nënprefekturës, në Tropojën e Vjetër dhe e kanë ekspozuar gjithë ditën për të tmerruar njerëzit. Pak ditë më vonë, një tjetër skenë të llahtarshme është përsëritur në oborrin e ish-prefekturës në Krumë të Hasit ku janë torturuar, varur në litar dhe ekspozuar gjatë gjithë ditës edhe dy opozitarë të tjerë dhe patriotë të njohur në betejat antiosmane. Vullnetarët pa shpirt dhe pa ndeë, i kanë kanë ftuar në prefekturë dhe më pas i kanë prerë në besë duke i ekzekutuar pa gjyq Gjelosh Ramën nga Currajt dhe Hoxhë Zogun nga Bytyçi. Fjala e fundit e dëshmorit Gjelosh Rama ka qenë: “Nuk jam i martuar, nuk kam as vëlla tjetër, nuk po lej djalë, megjithatë dijeni se Currajt kanë me e marrë hakun tim”. Pas kësaj fjale, xhandari që e kishte torturuar ka qeshur me të madhe, e ka fyer dhe ia ka shtyrë stolin me neveri. Dihet se si pas rreth 20 vitesh, Kol Adem Përpepaj, një emigrant nga Currajt, kushëri i Gjelosh Ramës e ka njohur dhe e ka vrarë ekzekutorin dhe dhunuesin e kufomës së Gjelosh Ramës. Në këtë mënyrë, profecia është realizuar fjala dhe amaneti i fundit i dëshmorit të atdheut Gjelosh Ram Mrishaj. Përveç sulmit nga Hasi, Prizreni dhe Gjakova, po në Janar të vitit 1925, është ndërmarrë një tjetër sulm i nisur nga Shkodra në drejtim të Dukagjinit. Në këtë sulm, në mënyrë të koordinuar e të njëkohshme, ka marrë pjesë një ushtri me rreth 6000 vullnetarë të armatosur. Për këtë ushtri që goditi Shkodren dhe malësitë e Mbidrinit, Camilio Libardi ka shkruar: “Një turmë vullnetarësh të tërbuar që vinte nga Shkodra, pasi e kishin grirë mirë e mirë Drishtin, Shllakun, na u ndanë në dy pjesë, njëra pjesë iu turr Temalit, ndërsa tjetra Prekalit të Shoshit”. Shumica e këtyre vullnetarëve ishin njerëz të paarsimuar, njerëz të manipulueshëm, të egër e të rritur në katunde të izoluara e të varfëra. Në të shumtën e rasteve të edukuar shumë keq nga hoxhallarë mediokër. Këtë fakt e vertetoi sjellja e tyre e vrazhdë ndaj pronës, njerëzve dhe simboleve fetare. Për fatin e keq, këta njerëz të armatosur e të çartur vepronin në emër të shtetit duke dhunuar bashkëkombësit e tyre në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe vlerat e traditës dhe trashëgimisë shoqërore dhe fetare në Shqipëri. Urdhri i komandës së ekspeditës ndëshkuese ishte i prerë. Të gjithë ata që e ndihmonin apo i jepnin konak e mbështetje Bajram Currit, përfshirë edhe parinë dhe shtëpitë e mëdha të kohës në malësi, do të përfundonin në plumb, në zjarr dhe në litar. Në këto kushte të rënda presioni dhe terrori, Bajram Curri mbeti pa përkrahje, pa bukë dhe duke fjetur jashtë nga 15 Janari e deri në ditën kur është ekzekutuar me 29 Mars 1925. Për të tilla ngjarje dhe veprime antiligjore (torturat dhe vrasjet pa gjygj), as atëherë dhe as më vonë e deri në ditët e sotme, nuk është dënuar askush. Për pasojë, të tilla ngjarje e situata tronditëse, përçarëse dhe turpëruese janë përsëritur edhe gjatë rregjimit komunist, edhe gjatë viteve 1997-1998, e deri në ditët e sotme. Të tilla periudha dhe ngjarje të zeza do të përsëriten për sa kohë që do të mungojë kujtesa, analiza dhe ndëshkimi historik i sjelljeve antikombëtare dhe antishtetërore të klasës politike shqiptare.