Promovimi i “Skënderbegasit ndër vite…” në Tiranë, pjesëmarrje e jashtëzakonshme

1281
Mesazhe nga ish-Skënderbegas që sot janë figura të njohura në shoqërinë shqiptare si: Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Luan Rama, Petro Koçi, Zyhdi Kroj
Në promovimin e volumit të dytë të “Skënderbegasit ndër vite…”, pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Përveç qindra skënderbegasve që kanë studiuar në këtë institucion në periudhën 1945-1992, merrnin pjesë dhe gazetarë, shkrimtarë, personalitete të artit e kulturës, drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes e Ministrisë së Brendshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, diplomatë të huaj (atashe ushtarakë e të kulturës) të akredituar në Tiranë, gjeneralë të ushtrisë shqiptare etj… Aktivitetin që nisi në orën 11:00 të 28 marsit 2017, që drejtohej nga moderatoria Silvana Braçe, e hapi Thoma Konduri, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Pasi falënderoi pjesëmarrësit, uroi autorët për këtë libër dhe gjithë skënderbegasit për 72-vjetorin e shkollës “Skanderbej”, ai ia la podiumin moderatores Braçe… Në vazhdim vazhduan diskutimet rreth librit.
Luan Rama (Ish-skënderbegas, deputet i Kuvendit të Shqipërisë)
“Faleminderit dhe ju përshëndes shokë skënderbegas… Nuk do të flas si deputet këtu, pasi midis emrit skënderbegas dhe punës si ‘deputet’, jam më i nderuar me emrin e parë, atë të skënderbegasit. Kjo dhe për faktin se emrin e deputetit e kemi bërë aq pis sa s’ka, por se skënderbegasit duhet të jenë krenarë pasi emri i tyre nuk mund të krahasohet me asnjë profesion tjetër. Unë dua të uroj me këtë rast të gjithë skënderbegasit, ata që janë këtu apo nuk kanë ardhur në këtë eveniment dhe të tjerrit që janë në emigrim, për festën e shkollës, për festën e kësaj fidanishteje që nuk qe vetëm fidanishte e ushtrisë, siç quhej atë kohë, por qe fidanishte e atdhedashurisë, fidanishte e përkushtimit dhe heroizmit shqiptar që na bën ne të gjithëve të jemi krenarë. Ne skënderbegasit, pavarësisht kohës që kemi qenë në shkollën “Skënderbej”, pavarësisht gjeneratës që i përkasim kemi kodin tonë të komunikimit. Kemi kodin tonë të komunikimit pasi shkolla “Skënderbej” qe deh mbetet monumenti që kultivoi dashurinë dhe respektin për njeri-tjetrin, qe vatra që kaliti dhe çelikosi solidaritetin midis nesh, që mbetet një vlerë e patjetërsueshme, një vlerë monumentale, pasi ka qenë ky solidaritet, kjo atdhedashuri e skënderbegasve, përkushtimi i tyre, që siç tha gjeneral Parllaku, bëri të mundur ngritjen dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare, si një ushtri dinjitoze, si nj ushtri që ishte krenari për atdheun. Unë nuk do të flas gjatë, por do të them diçka esenciale që më buron nga shpirti. Pas brezit që bënë luftën Nacional-Çlirimtare, skënderbegasit ishin, janë dhe do të mbeten brezi më idealist, që e lidhën jetën me atdheun dhe nuk kursyen asgjë për atdheun.
Zyhdi Kroj (President Nderi i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë)


Libri meriton shumë vlerësime… jam i të njëjtit mendim me gjeneral Parllakun, besoj këtë mendim keni dhe ju këtu, që ky libër është një monument. Është një monument për më shumë se 36 mijë skënderbegas, për qindra e mijëra mësues e komandues të kësaj shkolle, për familjet e tyre, për vitalitetin dhe atdhetarinë e ushtarakëve shqiptarë… Urime autorëve, miqve të mijë Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, e mirë u pafshim pas një viti në promovimin e pjesës së tretë të “Skënderbegasit ndër vite….”.
Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian (Ish-skënderbegas)


Promovimi i librit “Skënderbegasit ndër vite…”, pjesa e dytë, i autorëve Maksi Fejzulla e Kujtim Boriçi, sot, në ditën e 72-vjetorit të krijimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, është një ngjarje e rëndësishme dhe vlerësim për dhjetëra breza të që kanë studiuar dhe janë edukuar në bankat e kësaj shkolle me emër për cilësi dhe misionin fisnik që kreu; është një homazh për qindra skënderbegas që ndër vite kanë ndërruar jetë si dhe një dokument për kontributin që skënderbegasit kanë dhënë në këto vite në të mirë të vendit e shoqërisë, duke punuar me sakrifica, profesionalizëm e përkushtim në të gjitha detyrat që iu besuan. Skënderbegasit janë krenarë për rrugën dhe kontributin e tyre, pasi përveç të tjerave, ata kanë qenë dhe mbeten besnikë dhe atdhetar, përmbushës të devizës bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe!”. Ndaj, kudo që kanë qenë apo janë, skënderbegasit kanë reflektuar e reflektojnë dije, kulturë, besim, paqe, harmoni dhe atdhedashuri, duke qenë e mbetur si grupim, shtresë vitale e shoqërisë shqiptare. Dëshiroj që të shpreh vlerësim e mirënjohje për autorët Maksim Fejzulla e Kujtim Boriçi, për atë që kanë bërë me përgjegjësi, duke sjellë si dokument diçka të vlefshme dhe që ka munguar deri tani në këto përmasa. U uroj të gjithëve shëndet paqe, mirësi e dashuri në familjet tuaja! Zoti ju bekoftë!”
Petro Koçi (Zëvendësministër i Mbrojtjes)


Për mua është një privilegj e kënaqësi që të jem pjesë e këtij evenimenti. Dua të përshëndes dy autorët e librit për punën e shkëlqyer… Shkolla “Skënderbej” është pjesë e lavdisë së historisë sonë ushtarake. Skënderbegasit dhe ushtarakët shqiptar, janë e mbeten një shtresë atdhetare, janë intelektualë të përgjegjshëm që mbi gjithçka kanë venë interesat e kombit. Ata kanë mbajtur mbi supe për dekada një barrë të rëndë, kanë përmbushur me punë, intelektin e tyre dhe përkushtimin si askush, betimin që kanë bërë para flamurit dhe kombit. Ndonëse jeta e tyre ka qenë dhe mbetet edhe me vështirësi, ata kurrë nuk u thyen por bënë maksimumin duke qenë dinjitozë e duke merituar vlerësimin zyrtar, moral e shoqëror të shoqërisë shqiptare. … Dhe një herë i përgëzoj autorët për këtë vepër profesionale e me shumë vlera, duke u uruar suksese dhe për punën në vazhdim, në përgatitjen e volumit të radhës të “Skënderbegasit ndër vite….”. 

Të jesh skënderbegas

Thanas Jani*

Isha katërmbëdhjetë vjeç kur vesha uniformën ushtarake. Babanë e kisha kuzhinier dhe donte të më jepte zanatin e vet. “Do vesh në shkollën e kuzhinierëve – më thoshte – do bësh “prokopi”. Gjithmonë do të jesh brenda dhe i ngopur… Kaq sa ti isha dhe unë, kur më mori nga prapa babai në mërgim e më dha zanat. Mbeta jetim, por e kisha zanatin ama. Mbajta nënën dhe shtëpinë. Tre palë fëmijë mbajta. Na dogji e shkretoi Lufta, ndryshe juve…”. Por unë, edhe pse e mbaja vesh për çdo gjë babanë, mbeta në kokën time. “Do vete në shkollën ushtarake “Skënderbe”, do bëhem oficer… apo s’kam edhe trup, më i gjati i shkollës do të jem!”. Isha në merak, a do të më miratohej kërkesa. Më së fundi, në shtator 1962, hyra në ëndrrën e jetës sime.

Shkolla: Bukuri fare. Kishte mësime e stërvitje, rreshtime e parakalime, parada e pastrime… Por çdo njëra kishte kënaqësinë e vetë. Kur dilnim në fundjavë, me atë uniformë të bukur e me këpucët “çeke”, që na kërcisnin e ndrisnin bulevardeve të Tiranës?! “Gjeneralë të vegjël” na quanin banorët e kryeqytetit dhe shumica na shihte me admirim. …Ne skënderbegasit e brendshëm takonim edhe shokët tanë, të një moshe, që mësonin në Politeknikumin Mjekësor apo në Lice. Ata ishin më të lirë, na vinin në postbllok dhe na sillnin ‘pak qytet’ brenda mureve të lartë të shkollës sonë “Skënderbe”. Na tregonin, me mburrje, për filmat e rinj që kishin parë, për mbrëmjet e vallëzimit, … për ndonjë dashuriçkë, që ata e zbukuronin dhe e zbukuronin si në ata librat e “verdhë”, që ne i lexonim netëve fshehur. Por edhe ne mburreshim me jetën tonë të shkollës. U flisnim shokëve për gjimnastikën e mëngjesit (vrap nga shkolla, në Kinostudion “Shqipëria e Re” e deri në kodrat e Priskës); për marshimet e Krujës apo të Malit të Dajtit. Një herë, kur vajtëm një grup shokësh për fshesa territori, nga kodrat mbi Tiranë, ramë në kurthin e koçimareve. Na pëlqyen kokrrat e tyre të pjekura dhe ha e ha, sa u dehëm. (Koçimarja zihet edhe raki. Del e fortë por po e pive do 12 orë që të të lirojë dhimbja e kokës). Kur erdhëm në vete nga gjumi i dehjes dhe erdhëm në shkollë, s’i shpëtuam dot ndëshkimit të oficerit të rojës, me masë disiplinore… Por edhe ne kishim prapësitë tona. Një herë ikëm si klasë nga ora e studimit për të parë filmin “Një jetë” në kinema “Partizani”. U varëm me çarçafë nga dritarja e pasme, që binte nga spitali dhe shkuam në kinema. E bënim zakonisht këtë. Po të mos kishim “spiunë” të brendshëm do ishim të pazbuluar. Por “spiunët” nuk mungojnë kurrë… Më kujtohet se romanin “Trëndafili me kredi” të Elsa Trioles, e kam lexuar brenda natës, se natën tjetër e kishte radhën shoku. Radhën e leximit e vendosja unë. Lexonim natën se gjithë oraret e ditës ishin të zënë dhe nën kontroll të oficerëve e të pedagogëve. Kështu bënim edhe me librat “Misteret e Luvrit”, “Kompania e bretkosave” (e kishim si dispensë, dikush e kishte shtypur në shaptilograf) e deri te “Belami” të Mopasanit apo “Një tragjedi amerikane” të Teodor Drajzerit. Bashkë me të vështirësitë, të mirat e prapësitë, ikën dhe vitet e shkollës së mesme “Skënderbe”, me shumë kujtime e mbresa nga mësuesit e oficerët e shkollës. U burrëruam e u bëmë më të fortë. Mua më dukej vetja më pranë oficerit… Ëndrrat më kanë rrëmbyer gjithë jetën… kur nuk mundja t’i jetoja ëndrrat e mia i hidhja në blloqe-poezish. Kështu ndjehesha gjithmonë i ëndërruar… Ëndrra nuk ecën në një udhë me fatin. Fati na trembej e na qëndronte larg. Ne ishim “fatmirët” e reformave të ushtrisë, që nuk ishin plotësisht edhe “fat” për jetën tonë, bile na mundonte ky “fat-reformash”. Të jesh ushtarak je personazh i përhershëm i vështirësive, por kur je në një moshë pas fëmijërisë, ato bëhen më të ndejshme. Nga jeta familjare u ndershëm me jetën kolektive-ushtarake, me rreshtin, me komandat dhe urdhrat, me marshimet e gjata, me vrapimet deri te kinostudioja “Shqipëria e re”, që e bënim çdo mëngjes; me shërbimet e rojës-natën dhe kur bënim në vend numëro se na ngrinin këmbët. Mbaj mend një herë, në vitin e parë të shkollës, isha me temperaturë të lartë. Ishte një i ftohtë pas marshimit. U mbështolla me batanije dhe dridhesha. Nën kujdesin e Dr. Major Zavalanit m’u dha ndihma e parë pastaj më shpunë në Spitalin Ushtarak. Do thënë se rregulli, disiplina, shërbimi mjekësor ishte i përsosur. I paparë në asnjë shkollë tjetër të Tiranës. Ata, që vinin nga Bashkimi Sovjetik thoshin se kështu edukoheshin edhe “kadetët” rusë. Më vonë mësuam se në të gjitha shkollat ushtarake të botës kalitja arrihej duke përballuar vështirësi të shumta. Borizani i shkollës, Asqeri Cerova nga Skrapari, sikur na i lehtësonte disi tensionin e zgjimit në orën 5 të mëngjesit, apo kur jepte sinjalin e kushtrimit, me atë talent të veçantë në atë vegël frymore. Ajo jetë ishte e pranueshme se ne skënderbegasit kishim një ideal të madh: T’i shërbenim popullit dhe Atdheut! Me këtë moral ishim edukuar dhe sakrificat ishin pjesë e jetës. Kur dëgjoj tani disa qytetarë, që qahen dhe kërkojnë “dëmshpërblime” nga ai sistem, që kishte ligjet e veta, mendoj se më të “persekutuarit” ishin ushtarakët, që e kaluan jetën me 1001 e një vështirësi. Dhe ushtarakët nuk qahen se janë ndryshe në shpirt e ndryshe në mendim. Ushtarakët më tepër kanë dhënë sesa kanë marrë. Ndaj mbetën më të diskriminuarit nga ata që dinë të marrin, nga ata që vodhën Shqipërinë për “Shtëpitë e tyre”. Njeriu është krijuar të rrojë e jo të ekzistojë. “Le të rrojmë në atë mënyrë, që kur të vdesim edhe varrmihësve t’iu vijë keq për ne”, thotë shkrimtari i madh Mark Tuein. Sa i shkon jetës ushtarake kjo thënie! Shkolla ushtarake “Skënderbej” ka qenë e gjitha sukses, në gjithë jetën e saj, nga krijimi e deri në vitin 1992. Suksesi niste nga vetë qëllimi i madh që kishte : të përgatiste “fidanët” e ushtrisë popullore. Nga shkolla Skënderbej” ka emra të përveçëm e të nderuar në kujtesën e kombit shqiptar. Në të gjitha fushat, ushtarakë të zotë në drejtimin e ushtrisë. Jo vetëm ata që bënë karrierë, por edhe ushtarakët e thjeshtë të kompanive apo baterive, që kishin botën e tyre të madhe të dijeve, të organizmit e të drejtimit. Artistë e sportistë, poetë e shkrimtarë, diplomatë e politikanë, që kanë ardhur nga shkolla Skënderbej, kanë qenë e janë nga më të suksesshmit. 

Gjatë jetës në shkollë, vetë ne i gëzoheshim sukseseve tona. Dua të përmend vetëm paradat madhështore ushtarake, ku në kompleks harmonizoheshin gjithë vetitë e ushtarakut: disiplina e rregulli, qëndresa e durimi, saktësia dhe veprimi. Në Athinë ka disa ish-skënderbegas, të organizuar në shoqatën “Skënderbegasit”. Të parin që takova, në lagjen Nea Smirni, ishte shoku im i togës së 7-të, Xhelal Hasalla. Kur unë isha zëvendës komandant i togës së 8-të, Xhelali ishte zv.kom.i togës së 7-të. Të dy klasat ishin përballë. Pastaj takova Premto Pulerin, shokun e fëmijërisë, nga Saraqinishta e Lunxhërisë. Bashkë ishim edhe në shkollën e Marinës-Vlorë. Pastaj e gjetëm njëri-tjetrin me veprimtari të ndryshme dhe festa. U bashkuam me Mihal Halilin e Riza Cerovën, me Kadri Hibron e Adem Kaçelin, Niko Seferin e Kristaq Hysollin, Kiço Shtika e Pëllumb Alikaj, Andrea Nito e Maliq Vreka, Artan Shehati e Odise Meçi, Ferit Murati e Idajet Goxhi, që i kisha kolegë edhe në divizionin e Beratit, Thoma Mano e Manxhar Malaj, Muzafer Muçaj e Koço Pirali, Sazan Gjomema (gazetari ushtarak) e Ptoleme Biku, Thimi Llavari e Vasil Zoga, … Shoqata e skënderbegasve është kujtesa e shkollës “Skënderbej” këtu në emigracion. 

*Skënderbegasi Thanas Jani (i viteve 1962-1966), është shkrimtar dhe poet i njohur shqiptar, njëkohësisht botues i revistës letrare “Peligrini”. Jetëshkrimi i tij ndodhet në librin “Skëndergegasit ndër vite…”, pjesa e dytë.

O shkollë e dashur “Skënderbej”!

Bashkim Kozeli*
O shkollë e dashur “Skënderbe”, 
Mirënjohje ke nga të gjithë ne. 
Nga bijt’ e Tu, që na djeg malli, 
Ti na dhe krahë të çajmë qiej. 
Ti në dhe forca majës së malit, 
Guxim na dhe mbi shkumb’ e valë, 
Dhe gjakun Kastriot në dej, 
Andaj për jetë të qofshim falë, 
O Shkollë e dashur “Skënderbej”! 
1-Ishte festa e shkollës dhe unë recitova një poezi timen. Më pritën me duartrokitje dhe mallëngjim, sepse recitoja disa vargje për nënën që më kishte lënë jetim qysh të vogël. Unë ngjaja me Timo Luton (që me vonë u bë gazetar i shquar i RTSH), si nga trupi, ca më tepër edhe nga uniforma e njëjtë. Pas koncertit, ai kalon afër kuzhinës dhe kryekuzhinieri Qirjako, një mesoburrë babaxhan e faqekuq, i bën me shenjë Timos dhe, duke i dhënë ëmbëlsirën, i thotë: “Të lumtë, na kënaqe me atë vjershën për nënën”. Timua nuk u ndje dhe e kollofiti ëmbëlsirën. Në atë kohe kalova unë rastësisht dhe kuzhinieri Qiriako shqeu sytë, sepse arriti të na dallojë, por ishte vonë… Timua iku me vrap, unë mbeta me përqafimin e Qiriakos që më kërkoi ndjesë. 

2-Me thënë të vërtetën, nuk kam qenë tip fort i hedhur, por dy shokët e klasës P. K. dhe K. C. , ishin ‘shpuzë’ dhe tifozë pas boksit, (me që edhe vetë merreshin me këtë sport). Më mbushin mendjen dhe të tre, hidhemi fshehurazi nga muri për të parë kampionatin e boksit që zhvillohej, atje, ku sot janë “7 xhuxhat”, tek ‘Rruga e Elbasanit’. Tifozët thërrisnin sa tundej Tirana. Këtë bënim dhe unë bashkë me dy shokët e mi. Mirëpo entuziazmi na u shua, kur po i afroheshim portës së shkollës, sepse për të dalë nga muri, kishim vënë disa gurë, ndërsa për t’u futur, nuk kishte mundësi të ngjiteshim. Deshëm, s’deshëm, u detyruam të hyjmë nga porta dhe na zbulojnë që kishim dalë pa leje. Atëherë Shkolla ‘Skënderbej’ dhe Shkolla e Bashkuar e Oficerëve ishin bashkë dhe oficer roje, atë mbrëmje, si për ters, ishte vëllai im Skënderi, pedagog artilerie në Shkollën e Bashkuar. Atij i vajti informacioni për tre skenderbegasit, ku midis tyre isha dhe unë. Dy të tjerët i la të lirë, ndërsa mua më dënoi tri ditë në izolim. Ishte ndëshkimi i parë dhe i fundit. 

*Bashkim Kozeli, ish-skënderbegas, gazetar dhe dramaturg i njohur
Vijon nesër
Sigal